Zyra e BE-së dhe EULEX me kërkesa konkrete për subjektet politike

Aktuale

Zyra e BE-së dhe EULEX me kërkesa konkrete për subjektet politike

Më: 19 maj 2017 Në ora: 17:11
Zyra e BE-së në Kosovë

Zyra e BE-së në Kosovë dhe EULEX në një deklaratë të përbashkët u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozitën e lartë që ata mbajnë, si dhe të sigurojnë që ato të zhvillohen në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Zyra e BE-së në Kosovë dhe EULEX shpresojnë për një fushatë të qetë dhe të hapur parazgjedhore ku mosmarrëveshjet shprehen në një mënyrë konstruktive dhe paqësore e cila promovon pluralizmin dhe tolerancën për mendime të ndryshme.

“Zgjedhjet janë zemra dhe shpirti i demokracisë. Demokracia bazohet në parimin që qytetarët zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre përmes zgjedhjeve që janë zgjedhje të vërteta e demokratike. Për ne, si evropianë, e drejta e Kosovës për të zgjedhur udhëheqësit e saj, pa frikë apo ndërhyrje, është një parim i shenjtë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha palëve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje që të sigurojnë që ato të zhvillohen në pajtim me standardet ndërkombëtare. Është e rëndësishme që retorika dhe veprimet e fushatës të sigurojnë zgjedhje të informuar për votuesin, në një atmosferë paqeje, tolerance dhe respekti, në mënyrë që rezultati përfundimtar të jetë i pranueshëm për të gjithë. Kjo është demokracia që qytetarët e Kosovës e meritojnë.  Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozitën e lartë që ata mbajnë. Kos ova meriton përfaqësues të pozitës dhe autoritetit të lartë moral. Në shumë prej vendeve tona, individët të cilët janë dënuar për krime të rënda përjashtohen automatikisht nga pjesëmarrja në zgjedhje. Kosova meriton kandidatët që përmbushin standardet më të larta për zyrtarët publikë”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, demokracia nuk mund të mbijetojë pa pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.

“Qytetarët kanë përgjegjësi për të mbështetur atë demokraci.  Ata kanë përgjegjësi për të mbajtur udhëheqësit e tyre të përgjegjshëm dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi udhëheqësit e tyre me votat e tyre, për të zgjedhur udhëheqësit që duan. Çdo votë numërohet. Pra, shpresojmë që populli i Kosovës, miqtë tanë evropianë, nga të gjitha komunitetet, do të ushtrojnë të drejtën e tyre civile për të votuar”, thuhet në komunikatë.

Zyra e BE-së në Kosovë dhe EULEX kanë premtuar se pas zgjedhjeve do të punojnë me përfaqësuesit që zgjedhin qytetarët e Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet ekonomike e politike në bazë të përkushtimit të përbashkët, përfshirë edhe angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës dhe Agjendës për Reforma Evropiane.

“Ju, qytetarët të Kosovës, keni mundësinë që t'i zgjedhni këta përfaqësues”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat