Prej sot mund të kompensohen viktimat e krimit në Kosovë

Aktuale

Prej sot mund të kompensohen viktimat e krimit në Kosovë

Më: 22 maj 2017 Në ora: 14:26
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha

Programi i Kompensimit të Viktimave të Krimit mundëson kompensimin financiar të viktimave të krimeve të dhunshme për disa dëmtime që kanë rezultuar nga vepra penale.

Kështu u tha sot gjatë lansimit të “Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, aktivitet ky i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Komisioni i Kompensimit të Viktimave të Krimit shqyrton kërkesat për kompensim dhe merr vendime duke respektuar nevojat dhe të drejtat e viktimave të krimit.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se të gjitha viktimat e krimit të cilët kanë mbaruar procesin gjyqësor mund të aplikojnë në Komisionin e kompensimit të viktimave të krimit për kompensim.

Hoxha: Programin iu garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit

“Programin të cilin po e lansojmë sot ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale, si vrasja, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje”, theksoi ministrja Hoxha.  

Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha se përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë është synimi primar dhe kryesor të cilin e vënë Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë. Ai tha se programi është një hap i evoluimit të Kosovës në sistemin e drejtësisë dhe pas ditës së sotme, dhe procesi i kompensimit të viktimave është themeluar në Kodin e procedurës penale në vitin 2013.

Delawie tha se është e domosdoshme që Programi për kompensimin e viktimave të krimit t’i shtohet buxhetit në mënyrë që të sigurohet se programi do të jetë funksional në vitet në vijim.

Delawie: E rëndësishme e zhvillimit të sistemit të drejtësisë është marrja e fitimit nga krimi

“Mbështetja jonë përfshinë kontributet në hartimin e ligjit, zhvillimin e rregulloreve për udhëzimin e bordit dhe trajnimet për t’i përgatitur ata për punën e tyre. Përveç kësaj, ne kemi trajnuar gjyqtarë, prokurorë dhe mbrojtës të viktimave për atë se si funksionon ligji dhe do të vazhdojmë të punojmë me ta në të ardhmen. Kompensimi i viktimave duke siguruar se siguria e tyre është e domosdoshme është vetëm njëra pjesë e ekuacionit. Një pjesë tjetër e rëndësishme e zhvillimit të sistemit të drejtësisë është marrja e fitimit nga krimi”, deklaroi ambasadori Delawie.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se lansimi i programit për kompensim e kategorisë së cenueshme të shoqërisë është me rëndësi dhe KGJK do të jetë kontribut dhënës për këtë kategori. Sipas tij, jehona që i jepet rëndësisë së trajtimit adekuat dhe sipas mekanizmave institucional të viktimave të krimit kursen në radhë të parë shoqërinë, institucionet, familjet dhe individët. Ai tha se është momenti i fundit t’i kushtohet vëmendjen dhe trajtimin me dinjitet kësaj kategorie të shoqërisë.

Idrizi: Të qenit viktimë e krimit dëmton edhe shëndetin shpirtëror dhe emocional

“Lansimi i një skeme të kompensimit materia të viktimave të krimit përbën përpjekjen e parë institucionale që përmes një instrumenti financiar të kompensohet kjo kategori e cenueshme e shoqërisë. Kjo pa dyshim që përbënë një lajm të mirëpritur jo vetëm për institucionet tona, por edhe për viktimat apo subjektet që kanë pësuar drejtpërdrejt apo tërthorazi nga veprat e krimit. Të qenit viktimë e krimit jo vetëm që e dëmton integritetin e personit apo shëndetin fizik, por njëkohësisht dëmton edhe shëndetin shpirtëror dhe emocional të viktimës. Kjo gjë bëhet edhe më rënduese kur viktimat e krimit humbin mbështetjen apo përkujdesjen e institucioneve tona të shtetit”, theksoi Idrizi.

Edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi duke treguar se edhe prokuroia e shtetit është kontribuues i këtij ligji, tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Kosovës, dhe si të tilla, ai tha, se duhet të respektohen edhe nga shteti.  Ai tha se Qeveria e Kosovës në janar të këtij vitit ka ndarë 100 mijë euro për këtë kategori të viktimave të krimit.

Lumezi: Pasuria e konfiskuar duhet t’i kthehet shtetit, por edhe të dëmtuarve

 “Pasuria e konfiskuar duhet t’i kthehet shtetit, por edhe të dëmtuarve, duke i shitur asetet e konfiskuara dhe kompensuar viktimat e krimit. Me këtë jo vetëm që do të bëjmë krimin të pa frytshëm, por edhe do të dobësojmë grupet kriminale, duke ua marr fuqinë ekonomike dhe në anën tjetër do të kontribuojmë në ngritjen e të hyrave në llogarinë e Programit për Kompensimin e Viktimave të krimit”, theksoi Lumezi.

 Nesrin Lushta kryesuese e Komisionit për Kompensim tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punës për shqyrtimin e aplikacioneve nga palët dëmtues, në këtë rast viktimave të krimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat