Haradinaj: Ushtrinë do ta krijojmë në 90 ditët e para të punës

Aktuale

Haradinaj: Ushtrinë do ta krijojmë në 90 ditët e para të punës

Më: 22 maj 2017 Në ora: 22:41
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe i nominuari për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në intervistën e dhënë për emisionin “Debat” në RTK, ka deklaruar se 90 ditë janë të mjaftueshme për ta vërtetuar se procesi i demarkacionit tani një nga kushtet e BE-së dhe procesi i reformave në gjyqësor dhe administratë është i nevojshëm për t’u dërguar si porosi dhe munden me marrë një aprovim pozitiv për liberalizim të vizave.

“Pra për demarkacionin mendojmë se rinisja e procesit me Malin e Zi është shenjë se ne po shkojmë kah zgjidhja. Por, nuk bëhet fjalë për versionin e tashëm. Ai ka vdekur. Unë e kam pas një përvojë në qeverisje, atëherë u quajshin standardet para statusit. Ka qenë një kohë shumë e gjatë e paraparë për t’i përmbushur ato standarde, por ne për 5 javë e kemi përmbushur atë proces. Pra, janë disa punë që Kosova i ka kritere të parapara, por çkado që ka mbetur e pa përmbyllur besoj se do ta kualifikojmë në nivelin e duhur si prioritet për qeveritë veq e veq, por janë edhe sinjalet e përgjithshme që çohen nga vendi. Nëse çohet një sinjal se ka një qeveri vepruese që po vepron dhe po e ndryshon gjendjen në vend nëpër sektorë veç e veç ajo reflekton tek të gjitha qeveritë e BE-së. Liberalizimi do të ndodhë. Mendoj se është një periudhë e nevojshme prej 90 ditësh në mënyrë që edhe me rinisë procesin e demarkacionit edhe me mujt me vëretetu si është gjendja në parametrat e tjerë për me mujt me i dërgu raporte pune qeverive veq e veq të BE-së se në cilat dinamika ndodhet Kosova dhe pse liberalizimi i vizave është ekuivalent me atë çfarë po ndodhë në Kosovë në bazë të kritereve të BE-së. Është e habitshme që kriter është edhe demarkacioni, por ne nuk do ta kundërshtojmë këtë por ne do të veprojmë por jo duke e aprovuar versionin e tashëm sepse kufiri është në Kullë dhe Çakorr dhe atje do të mbetet”, ka theksuar Haradinaj.

Tutje Haradinaj i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kjo e fundit e akuzoi atë për shantazh e kërcënime ndaj zyrtarëve të administratës shtetërore.

 “Ata po duan ta frikësojnë administratën, ta ruajnë ndonjë votë për vete. Sikur të kisha qenë në koalicion me LDK-në, ata do të thurnin lavdet më të mëdha për mua. Është fushatë zgjedhore, le të thonë çfarë të duan”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj është shprehur i bindur se Kosova do të ketë ushtrinë e saj, derisa ka thënë se do të tentojë t’i bind serbët e Kosovës se ushtria është në interes të tyre, por nëse kjo nuk do të arrihet, do të gjejë mënyra tjera për të arritur krijimin e ushtrisë.

“Nga fillimi i punës së Qeverisë mundet mos me shku as 90 ditë që të krijohet ushtria. Pra serbët e Kosovës po të ishin në veti dhe po të logjikonin pa ndërhyrje të Beogradit do ta votonin ushtrinë se është në të mirën e tyre, sepse ata jetojnë këtu. Kur ka siguri për të gjithë ka siguri edhe për ata. Nëse serbët nuk e kuptojnë këtë e unë do t’ua sqaroj në mënyrën më të drejtë e më të mirë do të zgjidhen rrugë për të lëvizur drejt krijimit të ushtrisë. Ne kemi biseduar edhe me aleatët dhe ata janë të interesuar që marrja ose dhënia e mandatit të bëhet në pajtim me kushtetutën dhe ne jemi për këtë, që nënkupton 2/3. Besoj që kjo arrihet se shqiptarët të gjithë e japin përkrahjen, komunitetet etnike të gjithë do e japin, por do ta japin edhe serbët. Me siguri do të ketë serbë mjaft të mençur që e kuptojnë se është në interes të sigurisë së tyre kjo”, ka theksuar Haradinaj.

Tutje lideri i AAK-së tha se nëse do të marrë besimin e qytetarëve ka shumë synime që beson t’i arrijë brenda 3 mujorit të parë të punës.

“Prioritetet e Qeverisë janë të shumta. E di që aplikimi i shtesave për fëmijë mund të marrë pak më shumë kohë sepse duhet ta bëjmë planifikim buxhetor. Janë 100 veprime prioritare që kanë të bëjnë me rendin dhe ligjin dhe me sigurinë në vend që dua t’i kryej në tre mujorin tim të pare si kryeministër”.

Haradinaj gjatë kësaj interviste ka thënë se Serbia është armike, pasi po e pengon Kosovën në rrugën drejt zhvillimit. Haradinaj ka porositur Bashkimin Evropian që të reflektojë dhe të ripërcaktojë qëndrimin karshi Serbisë. “Nëse e lejojnë Serbinë të avancojë drejt BE-së me pengime, Brukseli po gabon. Qasja e BE-së ndaj Serbisë është e gabuar. Ne Serbinë e kemi armike, ka sjellje armiqësore, politika armiqësore. Dialogu është për njohje. Kush s’na njeh, nuk e njohim”, ka thënë Haradinaj. Ai ka kritikuar qëndrimin e përfaqësuesve të deritashëm të Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe ka thënë se kryeministri në largim i Serbisë, njëherësh president i zgjedhur, Aleksandar Vuçiq, “duhet të vijë kokulur në takim me shqiptarët, sepse s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat