Policia, Prokuroria dhe KQZ-ja koordinohen për zgjedhjet e parakohshme

Aktuale

Policia, Prokuroria dhe KQZ-ja koordinohen për zgjedhjet e parakohshme

Më: 24 maj 2017 Në ora: 10:56
Policia e Kosovës, Prokuroria e shtetit dhe Komisioni Qendror zgjedhor në takim

Policia e Kosovës, Prokuroria e shtetit dhe Komisioni Qendror zgjedhor, kanë mbajtur një takim me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit të veprimeve, ku është shpalosur programi orientues për policinë e Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhjet e parakohshme tha ata janë të angazhuar për mbrojtjen e votës së qytetarit dhe se me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe  koordinimit të vazhdueshëm, Prokuroria e shtetit ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me KQZ, Policinë e Kosovës, Panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtresa dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Ndërsa tha se për këto zgjedhje  janë angazhuar  100 prokuror kujdestar, me qëllim që të sigurojnë efikasitet dhe mbrojtje të votës së qytetarit.

Pula: Kemi angazhuar 100 prokuror kujdestar

“Në këto zgjedhje kemi të angazhuar 100 prokuror kujdestar 24 orë dhe numër të mjaftueshëm të stafit mbështetës,  në tërë republikën e Kosovës, për të siguruar efikasitet dhe mbrojtje të votës së qytetarit....Theks i posaçëm i është vërë dhe veprës penale cenim i përcaktimit të votuesi. Për këtë vepër penale, që bënë pjesë në kapitullin e veprave penale, kundër të drejtës së votimit thuhet se kushdo që me përdorimit të forcës apo kanosjes serioze, apo keqpërdorimin e vartësisë ekonomike, profesionale për votuesit, ndikon apo detyron votuesin e Kosovës që të votojë në mënyrë të caktuar ose të mos votoj në zgjedhje, dënohet prej 1 deri në 5 vite burgim. Gjithashtu lidhur me këto veprime dhe elemente të kësaj vepre penale dhe vepra penale cenimi i fshehtësisë së votimit, e cila përcakton dhe parasheh që kushdo që me përdorimin e  forcës apo kanosjes s erioze, ose në ndonjë mënyrë tjetër të kundërligjshme, kërkon nga personi që të tregoj si ka votuar,  dënohet me 1 vit burgim. Ndërsa personat zyrtarë dhe anëtarët e KQZ-së,  si persona të autorizuar parashihet 1 deri në 5 vite burgim”, tha ajo.

 Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së  Enis Halimi,  i cili foli lidhur me përgatitjen që ky institucion po bënë për  këto zgjedhje tha se  një koordinim mes institucioneve relevante, do  të rezultojë i suksesshëm.

Halimi: bashkërendimi dhe koordinimi ka rezultuar i suksesshëm

“Jemi këtu sot sikundër dhe të kaluarën të provojmë t’i bashkërendojmë aktivitetet me akterët të cilët e përplotësojnë njëri tjetrin,  në ditën e zgjedhjeve, para ditës së zgjedhjeve dhe pas ditës së zgjedhjeve. Një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm sikundër është siguria. Ne e dimë dhe kemi qenë dëshmitarë që në të kaluarën kemi pasur telashe, që lidhen me procesin zgjedhor. Por kur është bërë një bashkërendim dhe koordinim në mes akterëve,  që edhe sot jemi këtu, në fund ka rezultuar me një rezultat jashtëzakonisht të mirë dhe kemi pasur zgjedhje të cilat kanë qenë të cilësuara, si zgjedhje që kanë arritur standarde me të larta deri në atë kohë“, tha ai.

 Zëvendës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Naim Rexha tha se Policia e Kosovës do të bëjë ç’është e mundur për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve që të mundësojë qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën për shprehje të lirë. Ndërsa tha se Policia e Kosovës, duhet të shpalos profesionizëm të lartë dhe neutralitet në këtë proces

Rexha: Neutraliteti i policisë, duhet shpaloset me profesionalizëm të lartë

“Fazat pasuese për të cilat Policia e Kosovës është përgjegjëse,  do t’i zbatojë siç dhe i ka zbatuar më herët me transparencë të plotë, duke respektuar të drejtat e qytetarëve dhe duke zbatuar ligjin me përpikëri. Dhe sidomos duke demonstruar një neutralitet të plotë, nga pikëpamja e përcaktimeve politike, gjatë ushtrimit të detyrave të autorizuara ligjore, në tërë periudhën e angazhimit të saj. Neutraliteti politik, në suaza të angazhimit gjatë procesit zgjedhor, i cili si i tillë ka ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë,  është dhe në favor të policisë së Kosovës. Për faktin se ndikon në prevensionin e shkeljeve të mundshme të individëve të ndryshëm, të cilët eventualisht vijnë në një situatë të tillë, që pretendojnë ta devijojnë ligjin. Neutraliteti i organizatës policore, duhet shpalosur me profesionalizëm të lartë“, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat