Detaje tjera të arrestimit të Himë Lufajt: Kush ishte personi më i kërkuar në Austri?

Aktuale

Detaje tjera të arrestimit të Himë Lufajt: Kush ishte personi më i kërkuar në Austri?

Më: 24 maj 2017 Në ora: 21:27
Himë Lufaj

Policia e Kosovës ka arritur gjatë ditës së djeshme të arrestojë personin më të kërkuar në Austri. Bëhet fjalë për Himë Lufajn nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit, i cili që nga 30 prilli i vitit 2009 ka qenë në kërkim të EUROPOL-it.

Lufaj kërkohej për shkak se akuzohej për vrasje në tentativë të një polici vjenez, të cilin e kishte therur disa herë me thikë. Po ashtu, kishte tentuar të plaçkiste një grua në Austri, ndërsa plagosi keq – prapë me thikë – një kalimtar që deshi ta ndihmonte atë grua.

Ai ka qenë një ndër dy personat më të kërkuar në botë – prej autoriteteve te drejtësisë austriake – ndërsa që nga 2016 ishte edhe në ueb-faqen e personave më të kërkuar të EUROPOL-it të quajtur ENFAST.

Arrestimi i tij ka ndodhur në bashkëpunim të ekipit për persona të arratisur “FAST Kosova” me partnerët e tyre ndërkombëtarë.

Lufaj është vëllai i Ilmi Lufajt i cili ishte vrarë më 11 prill të 2016-tës, nga rreshteri Shefqet Kamberaj. 35-vjeçari Ilmi Lufaj ishte qëlluar me dy plumba në kokë, me t’u afruar dhunshëm afër Stacionit Policor në Deçan.

Image
Himë Lufaj

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se arrestimi i Himë Lufajt ka ndodhur në Strellc.

“Gjate bashkëpunimit te Policisë se Kosovës me autoritetet austriake, është ardhur në përfundim se Lufaj ishte në fshatin e tij të lindjes, në perëndim te Kosovës. Me përkrahjen e autoriteteve austriake, në vitin 2016 është themeluar – në Policinë e Kosovës, respektivisht tek Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e zbatimit te ligjit (ILECU) – Ekipi për Persona te Arratisur (FAST KOSOVA). Ky ekip ishte integruar ne ENFAST (Europian Network for Fugitive Active Search Teams). Pas dorëzimit te rastit, dje, me 23 maj 2017 – nga autoritetet austriake tek Ministria e Drejtësisë dhe mandej Prokuroria dhe Gjykata Kompetente – FAST Kosova, së bashku me njësit e vëzhgimit dhe NJSI-në (Njësia Speciale Intervenuese) e Policisë se Kosovës, kane reaguar. Në orët e pasdites të së enjtes ata e kanë arrestuar Lufajn”, ka thënë Hoxha.

Hoxha më tej ka treguar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar marrëveshje me organizatat dhe rrjetet ndërkombëtare rajonale, si FRONTEX, SEEFEG dhe OLAF, dhe se dalngadalë Policia e Kosovës po bëhet pjesë e institucioneve evropiane për siguri.

Ai ka shtuar se për punë më efikase PK-ja ka nevojë që të jetë pjesë e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.

“Intervenimi dhe arrestimi i djeshëm tregon se Policia e Kosovës dhe autoritetet kosovare te drejtësisë, në përgjithësi, janë krijuese të sigurisë ne rajon. Sukseset mund të arrihen më shumë kur Republika e Kosovës dhe Policia e saj bëhen pjesë e familjes së institucioneve të rëndësishme evropiane dhe botërore”, u shpreh Hoxha, duke thënë se persona te tjerë të arrestuar në shtetet e Evropës presin ekstradimet për në Kosove.

FAST Kosova, që nga themelimi i saj në qershor të vitit 2016 e deri me sot, ka kryer rreth 20 arrestime të profilit të lartë të karakterit ndërkombëtar (shtetas të huaj apo qytetare te Kosoves) dhe ka listën me 10 persona me prioritet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat