Kurti shpalos planin qeverisës me 40 pika, do të hetohet edhe SHIK-u

Aktuale

Kurti shpalos planin qeverisës me 40 pika, do të hetohet edhe SHIK-u

Më: 25 maj 2017 Në ora: 17:17
Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje

(E plotësuar) - Përfaqësuesit më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shpalosur sot programin qeverisës, ku një nga prioritetet kryesore të këtij subjekti është zhvillimi ekonomik. Ata përmes 40 pikave programore në fokus kanë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale.

I nominuari për kryeministër nga kjo lëvizje, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij do të luftojë korrupsionin dhe do të zhvillojë vendin në të gjitha aspektet. Sipas tij, mirëqenieje e përgjithshme në Kosovë nënkupton që nuk duhet të ketë familje pa kulm mbi kokë, nuk duhet të ketë familje pa dikën të punësuar dhe nuk duhet të ketë fëmijë të uritur nëpër shkolla.

Ai po ashtu është ndalur edhe tek fusha e drejtësisë, për të cilën tha se gjatë vitit 2016-të, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga 715 të dyshuar për korrupsion u ka ngritur aktakuzë vetëm 241 prej tyre. Në gjysmën e parë të vitit 2016-të, pasuria e konfiskuar pas proceseve gjyqësore, sipas tij, nuk ishte as qerek milioni euro. Me ndryshimet që parasheh Vetëvendosje garanton që në asnjë mënyrë nuk do t’i rrezikojë interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Kurti: Qeveria jonë nuk do t’i rrezikoj interesat me SHBA e BE

Qeveria e Vetëvendosjes do të sjell zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes fondit sovran e Bankës zhvillimore, sovranitet shtetëror nëpërmjet ushtrisë e përmes bashkimit të Mitrovicës, integrim të plotë të serbëve, e dialogut të hapur me ta. Qeveria e Lëvizjes sonë nuk do t’i rrezikoj interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë. Do të ndërtojmë partneritet të mirëfillti për zhvillim e progres, për mbështetje të pakursyer të ndërsjellët, pa armiqësie e servilitet. Armiqësia a steriliteti janë dy ekstreme. Lëvizja jonë është kundër ekstremizmave, ne jemi për normalitet. Me komitetet e Lëvizjes sonë dhe me profesionistët e ekspertët tanë kemi përpiluar 40 zotime tona“, tha Kurti.

Sipas tij, plani zhvillimor do të mbështetet nga krijimi i fondit sovran, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës, dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës. Fondi sovran tha se do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK, korporatës së thëngjillit, PTK-së. Brenda këtij fondi, sipas tij, do të themelohet komponenta kredituese, e cili do të financohet nga paratë publike.

Lideri i kësaj partie, Visar Ymeri, tha se 40 pikat janë programi i cili do të paraqes ndryshimin që do të ndodh në vendin. Në këto 40 pika, sipas tij, ngërthehen të gjitha nevojat që i ka sot vendi.

Image
Albin Kurti me gruan

Ymeri: 40 pikat tona e ndryshojnë Kosovën

“Po ashtu një Republikë e cila nuk është e zhvilluar ekonomikisht nuk mund të jetë as plotësisht sovrane. 40 pikat e Lëvizjes Vetëvendosje e sovranizojnË Republikën, ia bashkojnë asaj territorin, ia mbrojnë kufirin, ia mirëmbajnë dhe zhvillojnë resurset dhe ia japin të drejtën e vendimmarrjes qytetarit. Këto 40 pika i faktorizojnë shqiptarët, sepse e përfaqësojnë Kosovën me Shqipërinë, e nxisin bashkëpunimin në funksion të faktorizimit të shqiptarëve,  përmirësimit të jetës së shqiptarëve në përgjithësi dhe në funksion të paqes në rajon. ...Nuk mund të zhvillohet ekonomia me politika hard hot, të aty për atyshme që bëhen për interesa momentit dhe partikulare të personave të caktuar. Deri sot të vetmet vendime ekonomike që i kemi parë nga qeveritë të ndryshme kanë qenë pa plan e të pa menduara, më shumë të dëmshme se sa të dobishme për vendin“, tha Ymeri.

I pari i Komunës së Prishtinës, që është kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë se Vetëvendosje për çdo çështje madhore ka pasur çdoherë zgjidhje. Madje për çështjen e demarkacionit tha se i kanë 6 plane.     

Ahmeti: Ne kemi zgjidhje për të gjitha problemet e qytetarëve

“Kemi plane 6 pikësh për demarkacionin, kemi plane e qëndrime gati për çdo çështje të rëndësishëm. Në fakt mendoj se është e vetmja Lëvizja Vetëvendosje që i ka të shkruara qëndrimet dhe zgjidhjet se si duhet me problemet që i kemi në Republikën e Kosovës. ...Është e qartë se për Lëvizjen Vetëvendosje në fokus është qytetari. Të pa punë përmes shtetit zhvillimor do ta bëjmë me punë .Të punësuarin përmes shtetit social do ta bëjmë më të mbrojtur, e punëtorin e mbrojtur do ta bëjmë përmes shtetit të së drejtës do ta bëjmë të fuqishëm. Ky është kalimi, kur po e mendoj tash çdo simbolik po lidhet se Vetëvendosje është ardhmja e Kosovës.”, tha Ahmeti.

Ndërsa, kandidatja për deputete nga kjo lëvizje, Albulena Haxhiu, ka shpalosur 11 prioritetet që ky subjekt ka për shtetin e së drejtës. Ajo ka thënë se në legjislaturën  ardhshme do të formojnë hetim parlamentar për SHIK-un, e po ashtu do të punojnë në zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës dhe rastet e fundit të vdekjes së Astrit Deharit dhe vrasjeve të tjera që kanë ndodhur në vend.

Image
Albin Kurti

Haxhiu: Do ta hetojmë SHIK-un

“Hetimi parlamentar i organizatës SHIK, mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën dhe rrjetin e veprimit. Shumica parlamentare e drejtuar nga VV, në legjislaturën e ardhshme do ta zhvilloj dhe përmbyll hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale SHIK , dosjet e prodhuara prej saj, përfshirjen e personave dhe rolet e tyre në të....Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, krijimit të njësisë së veçante të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pa zbuluara. “, tha Haxhiu.

Po ashtu, vetingu vlerësimi i përgjithshmen nëpërmjet një ligji të posaçëm nëpërmes vetingut. Ajo tha se konsiderohet që kjo është e domosdoshme ligji për vetingut dhe se me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes do të procedojnë ligjin e vetingut.

Lëvizja Vetëvendosje prezanton prioritetet për zgjedhjet e 11 qershorit

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti bashkë me kryetarin e partisë Visar Ymeri, dhe kandidatët për deputetë Albulena Haxhiu dhe Shpend Ahmeti bëjnë prezantimin e prioriteteve për zgjedhjet e 11 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat