Media gjermane: Për dallim nga Kroacia dhe Bosnja, në Kosovë kishte luftë etnike; Brukseli ua ka lëshuar fuqive tjera Ballkanin

Aktuale

Media gjermane: Për dallim nga Kroacia dhe Bosnja, në Kosovë kishte luftë etnike; Brukseli ua ka lëshuar fuqive tjera Ballkanin

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 26 maj 2017 Në ora: 15:10
Prishtinë

Kosova është vendi më i ri dhe më i varfër i Europës, por në të nuk lëviz asgjë, shkruan fillimisht media rajonale gjermane “MDR”. Zhgënjimi ndaj BE, humbja e perspektivës dhe papunësia e madhe ka prekur çdo cep të Kosovës. Në këto kushte të mizerisë sociale ka marrë ndikim islami në një vend sekular. Gjithashtu edhe islami radikal, përcjell botasot.info.

“Kafenetë në qendër të Prishtinës janë deng dhe jehon muzika rock, pop dhe ajo kombëtarë. Mezi gjen një tavolinë të lirë. Qyteti ka një energji të pabesueshme por nuk është për t’u çuditur pasi ka popullatën më të re në Europë,” shkruan media gjermane duke shtuar se sipas OKB 17 përqind e popullatës së Kosovës jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 0.94 cent në ditë dhe 45 përqind në varfëri absolute me më pak se 1.42 euro në ditë. “Por kjo varfëri nuk vërehet në qendër ku të rinjtë janë modern dhe të veshur si në perëndim. Vajzat veshin funde të shkurtra. Rrallë diku mund të shohësh ndonjë grua me mbulesë. Ose me ferexhe.”

Image
Prishtinë

Kosova ka humbur dy herë shpresën

Në vijim media gjermane thekson se për dallim nga Kroacia dhe Bosnja, në Kosovë nuk kishte luftë fetare por etnike dhe për pavarësi. “Vendi është sekular. Banorët e Kosovës kishin shpresë për një të ardhme më të mirë pas Luftës 1999, e cila u zbeh pas disa vitesh. Shpresa rilindi pas Shpalljes së Pavarësisë në 2008, megjithatë pas nëntëvitesh është shuar edhe kjo shpresë. Kjo ka ardhur edhe nga zhgënjimi ndaj Europës që është i madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi, Shqipëri, Bosnjë ose Maqedoni.”

Temat kryesore në Kosovë: Krizë qeveritare, krizë kushtetuese, krizë politike, korrupcion, nepotizëm, krim i organizuar, demarkacioni me Malin e Zi, zënka të pafundme me Serbinë, mbi të gjitha në veri të vendit të banuar kryesisht me serbë, një opozitë esktremisht nacionaliste, gaz lotsjellës në parlament, udhëheqës politik nën hetime. Dhe mbi të gjitha humbja e perspektivës, përkundër ndihmave me miliarda dollarë nga BE dhe SHBA.

Image
KFOR në Kosovë

Pavarësisht kush ka qenë në pushtet në Kosovë, vendi nuk ka ndryshuar asgjë. Kështu e shikojnë shumica e shqiptarëve, sëpaku nuk ka shkuar situata për mirë, vijon më tej artikulli.

Ndikimi i shtuar arab e turk

Këtë vakum të krijuar nga një mori zhgënjimesh e ka shfrytëzuar Turqia dhe Arabia Saudite.

“Pavarësisht se në Kosovë nuk ka rrënjë kulturore të Islamit, ndërkohë janë ndërtuar 700 xhami dhe sipas disa shifrave rreth 50.000 banorë vlejnë si të radikalizuar” shkruan në fund artikulli duke cituar edhe Fatos Makolin: “Ata kanë shpërndarë islamin politik.”

Media gjermane thekson se e gjithë kjo ka ardhur duke e tradhtuar dhe duke e lënë të vetme Kosovën. “Në fund të tunelit që të dërgonte drejt BE, nuk shihet dritë. Mbi baza të njëjta edhe ortodoksët sllavë orientohen drejt Rusisë. Prej dhjetë vitesh luhatet ndikimi i BE në Ballkanin Perëndimor, duke ia lënë këtë hapësirë fuqive tjera.”/Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat