Media zvicerane: Ndodhitë e fundit tregojnë se SHBA është akoma "miku i shqiptarëve", ndërsa shqiptarët baza e stabilitetit ballkanik

Aktuale

Media zvicerane: Ndodhitë e fundit tregojnë se SHBA është akoma "miku i shqiptarëve", ndërsa shqiptarët baza e stabilitetit ballkanik

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 27 maj 2017 Në ora: 11:21
Trump-Taxi në Tirana.

Duke parë një mori krizash mbi Ballkanin, diplomacia amerikane është rikthyer përsëri. Ata përdorin kryesisht ndikimin te shqiptarët, prej të cilëve varet stabiliteti në rajon, shkruan fillimisht prestigjiozja zvicerane “NZZ”.

Ndërhyrjen e fundit më të madhe amerikanët mbi Ballkanin e kanë pasur gjatë shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008. Ministria e jashtme orkestroi përgatitjet dhe aktin deri në detaj dhe gjatë festës shqiptarët i falenderuan ata me një det flamujsh. Megjithatë më pas amerikanët tërhiqen dhe rajonin ua lëshojnë europianëve, mbi të gjitha gjermanëve.

Fuqia dhe dobësia e perëndimit

Ishte Berlini, ai që bindi serbët për të filluar procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën në 2012. Një vit më vonë patëm një marrëveshje, por prej atëherë filloi të luhatet ndikimi europian. Diplomacia europiane është dobësuar për shkak të krizës së BE dhe integrimi i tejzgjatur i vendeve të rajonit.

Kjo nuk mbeti pa pasoja: Në mars presidenti Hashim Thaçi u bë i shurdhër kur kërkoi ndërtimin e një ushtrie përkundër kundërshtimit të Europës. Në Shkup presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov mospërfillte kërkesat europiane për dhënien e mandatit të liderit social demokrat Zoran Zaev. Ai e arsyetoi këtë se shqiptarët kishin si qëllim “federalizimin”. Në vend që të vizitonte përfaqësuesit europianë ai shkonte te Victor Orban (dhe së fundi te Vladimir Putin - SHP). Në Shqipëri opozita bojkotoi parlamentin përkundër kërkesave të BE.

Kështu u krijuan kriza në trekëndëshin Kosovë-Maqedoni-Shqipëri, ku diplomatët europianë mbetën pa ndonjë sukses të theksuar. Atëherë në rajon u aktivizuan amerikanët - dhe papritur lëvizën gjërat: Thaçi tërhoqi vendimin e ushtrisë, Ivanovi dorëzoi mandatin dhe opozita në Shqipëri u fut në parlament dhe do marrë pjesë në zgjedhje.

Suksesi amerikan ka vetëm një emër: Hoyt Brian Yee. Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, muajt e fundit kishte punuar intenzivisht në rajon. Me prirje taktike, ton të butë, por i pamposhtur në kërkesa, ai përuli të gjithë partnerët e bisedimeve.

Andaj kjo të kujtonte suksesin e diplomacisë të goditjes nga Richard Holbrooke. Gjithashtu kjo të kujton se përkundër një burri tjetër në Shtëpinë e Bardhë, vijon sundimi i kontinuitetit të politikës amerikane. Kjo mbi të gjitha ka qetësuar partnerët shqiptarë të bisedimeve, që shpesh bënin pyetje, nëse ekzistonte akoma “miku amerikan”.

Potenciali shqiptar

Se diplomacia amerikane është aktive në hapësirat shqiptare nuk ka të bëjë vetëm me atë se atje mund të ushtrojnë më shumë ndikim dhe prestigj. Në ministrinë e jashtme dihet se askund nuk është më shumë se atje potenciali i destabilizimit. Rreziku ekziston aty se shqiptarët mund të mos i paraqesin si të pandryshueshme kufijtë. Shqiptarët përbëjnë mbi 90 përqind të popullatës në Kosovë, 25-30 përqind të banorëve në Maqedoni dhe 97 përqind në Shqipëri.   

Në tre vendet institucionet shtetërore janë të dobta dhe legjitimiteti i tyre çdoherë vendoset në pikëpyetje. Përkundrazi ndjenja e “NE” shqiptarëve është mjaft e fuqishme. Historiani Oliver Schmitt flet për një rajon “panshqiptar komunikimi” që është krijuar në 25 vitet e fundit. Përmirësimi i infrastrukturës, ndërtimi i një sistemi mediatik përtej kufijve dhe bashkëpunimi mes aktorëve politik kanë krijuar një “albanosferë”, që rëndit edhe diasporën shqiptare në Europë dhe SHBA.

Përdallim nga nacionalizmi serb që ka dështuar me projektet e saj, nacionalizmi shqiptar ka korrur sukses vitet e fundit. Kurrë nuk kanë pas aq shumë fuqi politike dhe vetëvendosje shqiptarët si sot:  në fillim të viteve 90-të Shqipëria hoxhiste doli nga izolimi ndërkombëtar, në 2001 shqiptarët me rebelim faktikisht u vlerësuan si kombi i dytë shtetformues në Maqedoni, në 2008 Kosova u kthye në një shtet të dytë shqiptar. Këtu kemi edhe faktorin demografik. Kosova është vendi më i ri i Europës dhe rritet akoma. Në krahasim me kombet tjera shqiptarët janë më të rinj. Gjithashtu kjo sjell optimizmin e çështjeve kombëtare. Shumë besojnë se orët më të mira të kohës i kanë përpara, përcjell botasot.info.

Bashkimi i vogël dhe i madh

Mbi këtë dinamikë së fundi luajti kryeministri shqiptar Edi Rama. Nëse dështon projekti i zgjerimit europian mbi Ballkanin, tha ai paralajmërueshëm, në këto kushte shqiptarët mund ta zëvendësonin Unionin e Madh (BE) me Unionin e Vogël. Prej atëherë reaguan furishëm mediat serbë dhe maqedonase, ndërsa partia me ndikim në Kosovë Vetëvendosja parasheh referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Tash për tash ka kuptim angazhimi amerikan për stabilizmin e albanosferës - me të drejtë, nëse shfaqen alternativat e zhdukjes së ndikimit të BE: ndikimi i shtuar i Rusisë dhe Turqisë./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat