Pacolli garanton rritje ekonomike 8%

Aktuale

Pacolli garanton rritje ekonomike 8%

Më: 27 maj 2017 Në ora: 16:35
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka qëndruar sot në Mitrovicë ku ka takuar qytetarë, simpatizantë dhe struktura të kësaj partie, ku ka thënë se koalicioni ka program të qartë ku garantohet rritja ekonomike tetë për qind dhe krijimin e mundësive për punësim.

Me këtë rast, ai tha se janë qytetarët ata të cilët kanë mundësi të vendosin për fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij, punët me AKR-në në pushtet do të shkojnë krejtësisht më mirë.

Ai potencoi se koalicioni AKR-LDK- ka program të qartë ku garantohet rritja ekonomike tetë për qind dhe krijimi i mundësive për punësim.

Pacolli: S’kemi njerëz që mendojnë ta keqpërdorin Kosovën

“Isha shumë i lumtur se filloi një rrugëtim i mbarë me ardhjen e Agimit këtu.. Por, ndodhi  e keqja që ne nuk arritën ta mbështesim Agimin nga qendra. Ne nuk arritëm të jemi pjesë e qeverisë dhe as e parlamentit…  Ne nuk do të ndalemi asnjëherë… Dashtë Zoti që ne ëndërrën tonë ta jetësojmë, ta jetësojmë këtë shpresë, sepse ëndërra e AKR-së është mirëqenia e qytetarëve…Edhe kësaj radhe, ne këtu para jush kërkojmë ndihmën e juaj. Pa ndihmën e juaj nuk ka ndryshim…Me votën e juaj ju mund ta ndryshoni Kosovën…Ne si AKR kemi të drejtë ta kërkojmë votën e juaj. Pse, sepse ne nuk e kemi keqpërdorë shtetin dhe të mirat e Kosovës, kemi dhënë kontributin aq sa kemi mundur… Ne me LDK-në së bashku do ta formojmë qeverinë e ardhshme dhe do të shihni se punët do të shkojnë ndryshe. Nuk ka njerëz në mesin tonë që mendojnë ta zhvatin, ta keqtrajtojnë dhe ta keqpërdori n Kosovën… Prandaj ky koalicion ka program të qartë ku garantohet rritja ekonomike tetë për qind, krijimi i mundësive për punësim. Ne do të kryejmë reformat tona edhe në gjyqësi, do të krijojmë kushte tjera të punësimit, nuk do të kemi vetëm një Ministri që shënon emrat e qytetarëve të cilët kërkojnë punë, por do të kemi grupe proaktive që do të bëjnë implementimin e çdo ideje, sidomos të gjeneratave të reja. Ne do të krijojmë së bashku me qytetarët një partneritet e ky partneritet do të krijojë mirëqenie, punësim”, ka thënë Pacolii.

Në anën tjetër, nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, tha se përkundër pengesave të ndryshme që i janë bërë nga niveli qendror në punën e tij, ai ka arritur t’i realizojë qëllimet në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të Mitrovicës.

Bahtiri theksoi se ka arritur ta heq SHIK-un nga Mitrovica, për të cilin tha se nuk ia ka frikën aspak.

Bahtiri: Nuk më frikëson SHIK-u

“Kryetarin e juaj e dini se e ka bllokuar qeveria e Kosovës. Çdo herë, në çdo formë, në çdo mënyrë janë munduar të më bllokojnë, por kryetari ka gjetur forma me ndërkomëtarët, ka bërë krejt  këtë investim dhe kush po vjen, po i merr lakmi Mitrovicës. Qysh e kam hequr Shik-un këtu, shumë njerëz mendojnë ndryshe, por unë mendoj krejt ndryshe. Njerëzit e devotshëm, njerëz të cilët e duan dhe japin gjithçka për vendin, të cilët punojnë pa asnjë cent për këtë vend sepse e kanë në zemër dhe shpirt t’i ndihmojnë këtij vendi, nuk ka që i frikëson as SHIK-u,  e as njeri i gjallë. Prandaj, ka ardhur koha që ta rrahim tavolinën edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës…Njerëzit të cilët nuk kanë pasur kaçakë dhe janë bërë milionera do t’i çojmë në shtëpi”, tha Bahtiri.

Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, gjatë këtij takimi ka prezantuar  edhe njëzet e dy kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës, disa prej të cilëve nuk ishin prezentë sot këtu.

 Në mesin e kandidatëve për deputetë janë edhe kryetari aktual i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Reqife Tërnava, Amir Ahmeti, Mirlinda Gashi, Arta Haxhaj, Sami Borovci, Islam Pacolli, Mirlinda Sopi, Jeton Ujkani, Arbena Reshitaj, Korab Sejdiu dhe Vesel Makolli.

Ndryshe, Pacolli gjatë qëndrimit të tij, ka vizituar poashtu fabrikën e kërpudhave ‘Hirano Mushrooms’ në fshatin Gushavc, si dhe Fabrikën për prodhimin e mobileve ‘Loni Dekor’ në Mitrovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat