Premton Vetëvendosje: Do ta hetojmë SHIK-un, "Zajednicën" do ta anulojmë

Aktuale

Premton Vetëvendosje: Do ta hetojmë SHIK-un, "Zajednicën" do ta anulojmë

Nga: Bota sot Më: 28 maj 2017 Në ora: 13:58
Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, në një konferencë për media, ka thënë se nëse VV vjen në pushtet, do të bëhet një vlerësim i dialogut Kosovë -Serbi.

Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk sheh arsye që të vazhdojnë këtë dialog, duke theksuar se vendi ka nevojë vetëm për dialog me serbët lokalë, pa privilegje dhe pa diskriminim.

“Dialogu tashmë është i ndërprerë, nuk është çështje që Vetëvendosje ta ndërpresë, çështja është se ai tashmë është i ndërprerë”, ka thënë Kurti, gjatë prezantimit të objektivave të tyre për drejtësinë.

 “Kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës”, ka pohuar Kurti.

Sipas tij, dialogu i deritashëm me Beogradin ka qenë asimetrik dhe pa kushte për Serbinë, dhe siç ka thënë rrjedhimisht edhe pa parime.

Si prioritet i VV-së, sipas Kurtit është edhe dërgimi i marrëveshjes së 19 prillit 2013 në komisionin e vendikut, si dhe anulimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave serbe, e ashtuquajtur "Zajednica".

Ndërsa, anëtarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se kur ata do të vijnë në qeverisje, do ta bëjnë siç ka thënë të ç’kapin sistemin e drejtësisë.

Haxhiu ka paralajmëuar se Vetëvendosje do të bëjë Vettingun, duke shikuar profilin dhe integritetin e secilit gjyqtar dhe prokuror në vend.

Ajo poashtu ka theksuar se VV do të ogranizojë edhe hetimin e organizatës ilegale SHIK si dhe rrjetin e veprimtarisë së saj.

 “Kur të vijmë në qeverisje do të organizojmë hetimin e organizatës ilegale SHIK si dhe rrjetin e veprimtarisë së saj. Do ta hetojmë SHIK-un dhe dosjet që kanë pasur dhe të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen prokurorisë”, ka thënë ajo.

Haxhiu më tej ka pohuar se ata do të bëjnë edhe hetimin mbi KEK-un dhe PTK-në.

Vetëvendosje në Qeveri, siç ka thënë Haxhiu, do të zbardh edhe vdekjen e aktivistit të tyre Astrit Dehari si dhe vdekjen e policit, Enver Zymberi, pastaj vdekjen e Dafina Zhubit, Ermal Kamberajt, Elvis Pistës dhe të tjera./BS/

Image
Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Albulena Haxhin, mbajtën sot konferencë për media ku u fol për Prioritetet e Republikës lidhur me sundimin e ligjit.

Komunikata e plotë:

Këtë konferencë, Kurti e nisi me prioritetin për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Referendum. “Referendumi është shprehje juridike e të drejtës për vetëvendosje. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, gjithsej 5 herë përmendet referendumi, mirëpo ne nuk kemi Ligj për Referendum as 9 vite pas miratimit të Kushtetutës. Një mori çështjesh jetike për vendin dhe për qytetarët në të kaluarën janë trajtuar pa votën e vullnetin e qytetarëve tanë. Ndërsa pasojat e atyre vendimeve kanë rënë mbi ta. Kjo nuk duhet të ndodhë më, për shkak se ne besojmë në respektimin e të drejtave politike e civile të ccdo qytetari të Republikës, dhe ata duhet ta gëzojnë këtë të drejtë për të kërkuar dhe realizuar referendum si për çështje madhore po ashtu dhe për ato lokale”, tha Kurti.

Ai shtoi se me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, të rinjve dhe të rejave nga mosha 16 vjeçare do t’iu jepet e drejta e votimit: “Vendi ynë ka një popullatë në moshë të re. Forma e parë dhe e drejtpërdrejtë e zgjerimit të të drejtave të rinisë është e drejta e tyre për të votuar. 16 vjeccarët kanë të drejtë të punojnë, por jo të votojnë. Me VETËVENDOSJE!-n,  ata do të kenë të drejtë për të votuar”.

Prioritet i VETËVENDOSJ!-s është edhe krijimi i Dhomës së Veçantë të Punës në Gjykatat e Republikës së Kosovës që do të merret me shkeljet e të drejtave të punëtorëve. Një nga mbrojtjet thelbësore të të drejtave të punës bëhet nëpërmjet sistemit gjyqësor. Është e domosdoshme që punëtorët tanë të kenë hapësirë dhe mundësi për t’i realizuar pa vonesa dhe me dinjitet kontestet e tyre me punëdhënësit.

VETËVENDOSJE! do të angazhohet për miratimin dhe zbatimi i Ligjit Anti-Mafia. Ne do të krijojmë Krijimi i Njësisë së posaçme Anti-Mafia në Prokurori që i raporton drejtpërdrejtë Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht ta krijojmë edhe Dhomën e Veçantë Anti-Mafia në Gjykatat e Republikës së Kosovës. Zyrtarët e këtyre njësive, do ta kenë të garantuar mbrojtjen e afërt”, theksoi Kurti.

Në fund të fjalës së tij, kurti tha se VETËVENDOSJE! do ta dërgojë marrëveshjen e 19 prillit 2013 në Komisionin e Venecias, për vlerësimin e ligjshmërisë dhe përputhjen së saj me standardet ndërkombëtare, si dhe do ta anulojë Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për krijimin e “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, paralajmëroi se do të bëhet Vetingu (vlerësim i hollësishëm) për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës nëpërmjet një ligji të posaçëm, për shkak se ka ardhur momenti të shqyrtojmë hollësisht profilin dhe integritetin e çdo gjyqtari dhe prokurori në Republikën e Kosovës.

Një nga Prioritetet e Republikës është edhe zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, dhe Krijimi i Njësisë së veçantë të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara. “Mbështetje për hetimin ndërkombëtar mbi rastin Dehari, dhe mbështetja për zbardhjen e plotë të rrethanave të pasqaruara të vdekjes në paraburgim të Naser Makollit, dëshmitarit kryesor të këtij rasti. Mbështetje e plotë për zbardhjen e rasteve të policit Enver Zymberi, dhe të Dafina Zhubit,  Ermal Kamberajt dhe Elvis Pistës përmes organeve shtetërore dhe ndihmës ndërkombëtare, aty ku do jetë e nevojshme. Si dhe mbështetje e plotë institucionale për zbardhjen dhe trajtimin e të gjitha rasteve të vrasjeve të aktivistëve politikë pas luftës”, theksoi Haxhiu.

Lidhur me hetimin parlamentar të organizatës ilegale “ShIK” mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën/rrjetin e veprimit, foli Alblena Haxhiu. Ajo tha se në legjislaturën e katërt patëm mbledhur 27 nënshkrime për hetimin e ShIK-ut; në të pestën i bëmë 38; e në të gjashtën, do t’i kalojmë 40. “Shumica parlamentare e drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në legjislaturën e ardhshme do ta zhvillojë dhe përmbyllë hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale “SHIK”, dosjet e prodhuara prej saj dhe përfshirjes së personave dhe roleve të tyre në të.Të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen sipas ligjeve në fuqi Prokurorisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh Haxhiu.

Në fund, ajo tha se VETËVENDOSJE! do të bëjë Hetim Parlamentar për Privatizimin e KEDS-it, për kontratat e ndërtimit të autostradave “Vërmicë-Prishtinë-Merdarë” e “Prishtinë-Shkup”, si dhe për procesin privatizues të PTK-së, si dhe do ta krijojë Komisionin Parlamentar për vlerësimin e Dialogut të deritanishëm me Serbinë gjatë viteve 2011 – 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat