Abrashi: Investimet në arsim do të orientohen në bazë të tregut të punës

Aktuale

Abrashi: Investimet në arsim do të orientohen në bazë të tregut të punës

Më: 28 maj 2017 Në ora: 23:20
Arban Abrashi

Ndryshimet në sektorin e arsimit që LDK-AKR-Alternativa, kanë përfshire në planin e tyre konsistojnë në vendosjen e kurrikulave të reja në bazë të kërkesave të tregut për punë, investimit në trajnime profesionale, me theks të veçantë në bujqësi, si dhe fokusimi në shkollimin për moshat e hershme dhe orientimin në karrierë.

Këtë e ka bërë të ditur kandidati për deputet nga LDK-ja, Arban Abrashi, i cili tha që do të fokusohen në rritjen e cilësisë përmes futjes se sistemeve të reja të kurrikulave dhe trajnimeve.

“Deri tani politikat kanë qenë të fokusuara në masovizimin e arsimit të lartë ndërsa tani do të fokusohemi tek politikat strategjike, rritjes së cilësisë përmes testimeve, duke futur edhe sisteme të reja të kurrikulave dhe trajnimeve. Forma e afatgjate e investimeve në arsim do të jete vendosja e kurrikulave të reja në bazë të kërkesave të punës, si dhe instalimi nëpër shkolla i orientimit për karrierë në mënyrë që nxënësit të dinë cilat janë kërkesat e tregut të punës” ka thënë Arban Abrashi në një intervistë në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës.

Tutje Abrashi ka folur për planin për themelimin e Universitetit të Bujqësisë, meqë bujqësia është një nga profesionet që gjeneron më së shumti vende të punës.

Ndërsa në lidhje me kërkesat e tregut të punës, konkretisht përvojën e punës, Arban Abrashi ka bërë të ditur që puna praktike që studentët do të realizojnë gjatë studimeve, do të llogaritet si përvojë pune.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat