Shaip Mujës i "dhemb" deklarata e Shpend Ahmetit për koalicion me LDK-në

Aktuale

Shaip Mujës i "dhemb" deklarata e Shpend Ahmetit për koalicion me LDK-në

Nga: A. Zh Më: 29 maj 2017 Në ora: 12:03
Kandidati për deputet nga PDK-ja Shaip Muja

Kandidati për deputet nga PDK-ja Shaip Muja, ka reaguar ndaj deklaratës së Shpend Ahmetit, i cili ka thënë se mund të ndodhë koalicioni LDK-Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Përmes një postimi në Facebook, Muja ka thënë se Ahmeti është shembulli se deri ku shkon imoraliteti politik.

“Peshkimi i kotë i Ahmetit në kënetën e LDK-së, dëshmon për ligësinë e kësaj lëvizjeje dhe makiavelizmin ekstrem”, ka shkruar Muja, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë të Shaip Mujës:

Duke qenë pa program dhe pa vizion për Kryeqytetin, me përjashtim të gjetjes së ndonjë strehe a paterice për të livadhisur deri në fund të mandatit me parulla boshe, Shpend Ahmetit i kthehet dashuria për LDK-në, duke harruar madje 70 akuzat për kreun e kësaj partie dhe debatet e pafund kundër saj. Shpendi po kërkuaka koalicion paszgjedhor me LDK-në. Shembull se deri ku shkon imoraliteti politik.

Shpend Ahmeti ka dëshmuar se dhelpëria e VV është e tejdukshme, spekulative dhe për "konsum për masat e gjëra", sepse, në fillim të fushatës, joshë qytetarët me skema e koalicione paszgjedhore. Ky peshkim i kotë i tij, madje imoral, në kënetën e LDK-së, dëshmon për ligësinë e kësaj lëvizjeje dhe makiavelizmin ekstrem.

Vetëvendosje nuk la "prehër" pa u ulë që sado pak të ngrohet dhe pastaj të deklarohet sikur nuk bëri koalicione "për parime". VV me të gjitha forcat u përpoq “të kapet” diku, i shkoi huq me koalicione parazgjedhore. Shpendi, si trimosh që është, synon që të "kap" trenin e fundit, koalicionin paszgjedhor, aq të rëndësishëm për mbijetesën personale politike. Se çka synon me votat paszgjedhore të LDK-së, është e qartë. Tashmë, për çdo njohës të politikës, lajkat e tij ndaj LDK-së, nuk i sjellin “kapje” më të vlershme se të ndonjë bretkose në atë kënetë. O tempora, o mores!/BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat