DnV ka bërë 69 ankesa në PZAP për fushatën e subjekteve

Aktuale

DnV ka bërë 69 ankesa në PZAP për fushatën e subjekteve

Më: 10 qershor 2017 Në ora: 13:21
Albert Krasniqi dhe Ismet Kryeziu

(E plotësuar) - Koalicioni i organizatave jo qeveritare për monitorimin e zgjedhjeve të 11 qershorit, Demokracia në Veprim, ka bërë 69 ankesa në Panelin Zgjedhorë për Ankesa dhe Parashtresa, për shkeljet e subjekteve politike që kanë bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Nga monitorimi i 655 aktivitete të subjekteve politike, që i bie rreth 100 për çdo ditë, sipas DnV-së pjesëmarrja e qytetarëve në tubimet elektorale ka qenë i vogël, pasi vetëm në 49 tubime kanë qenë më shumë se 1 mijë pjesëmarrës, derisa në të gjithë tjerat kanë qenë nga 50 deri në 500 pjesëmarrës.

Përfshirja e fëmijëve edhe në këtë fushatë ishte dukuri shqetësuese, ku sipas monitorimit të DnV-së 3 mijë e 653 fëmijë kanë qenë të përfshirë në fushata nga subjektet politike.

Albert Krasniqi nga DnV-ja, tha se nga monitorimi i tyre në terën kanë vërejtur se ka pasur shfrytëzim të resurseve publike. Derisa, për shkelje të rregullave kanë bërë 69 ankesa në PZAP.

Krasniqi: Kemi bërë 69 ankesa në PZAP

“Përdorimi i resurseve publike ka qenë i shprehur mjaft shumë në aktivitetet e subjekteve politike, ku janë shfrytëzuar nëpunësit civilë që kanë përdorur qoftë burimet, qoftë  pozitën e tyre për qëllime të fushatës zgjedhore. Në përgjithësi, ne kemi arritur t’i identifikojmë 57 vetura zyrtare dhe 49 nëpunës civilë që janë përfshirë në fushatë zgjedhore. Për këtë arsye dhe arsye të tjera të shkeljes së rregullave zgjedhore, Demokracia në Veprim ka dorëzuar në PZAP 69 ankesa, prej të cilave 54 janë vendosur si të pranuara, ndërsa kanë mbetur në shqyrtim edhe 15 tjera. Ajo shifra, të cilat janë shqiptuar nga PZAP-ja ndaj subjekteve politike vetëm nga ankesat e DnV-së arrin në shumën e 102 mijë e 800 euro, që subjektet politike obligohen që brenda 15 ditëve t’i shlyejnë këto gjoba”, tha Krasniqi.

Ankesat e DnV-së, Krasniqi tha se kanë të bëjnë me shkelje të rregullave të zgjedhjeve, kryesisht me vendosjen e posterëve në vende të palejuara.

Krasniqi: Ankesat janë të natyrave të ndryshme

“Janë të natyrave të ndryshme, të cilat janë për vepra që ndalohen të kryhen nga subjektet gjatë fushatës zgjedhore. Kryesisht janë për vendosje të materialeve në hapësirat publike, shtylla elektrike, institucione fetare, kulturore, aty ku vëzhguesit tanë kanë hasur. Ka pasur ankesa për gjuhë të urrejtjes në spotet e partive politike, por edhe për grumbullime të nënshkrimeve të cilat i kanë bërë partitë politike që ne kemi konsideruar si presion apo varësi ekonomike që mund të ushtrohet ndaj votuesve. Mirëpo, kjo ankesë e jona është në shqyrtim dhe prokuroria do të merret me këtë lëndë, sepse kalon kompetencat e PZAP-së”, tha Krasniqi.

Po ashtu, gjatë monitorimit të fushatës, sipas Krasniqit gjuha e urrejtjes ka qenë e pranishme në tubimet e subjekteve politike, por më pak se sa në fushatat e kaluara. Derisa, pjesëmarrja në tubime e grave ishte e ulët, vetëm 17 për qind, ndërsa folëse kanë qenë vetëm 18 për qind.

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur edhe përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve të nesërme. Ismet Kryeziu nga DnV-ja, tha se ata si koalicion janë të gatshëm për monitorimin e zgjedhjeve gjatë ditës së nesërme dhe do të kenë në secilin vendvotim monitorues.

Kryeziu: Jemi gati për nesër

“Ne si koalicion i organizatave vendore për vazhdimin e zgjedhjeve kemi bërë të gjitha përgatitjet për nesër dhe tani në këtë rrjet të organizatave janë të akredituar 2 mijë e 912 vëzhgues, të cilët do të mbulojnë të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet në ditën e nesërme. Gjithashtu, kemi 9 ekipe lëvizëse, 151 vullnetarë, të cilët do të jenë pjesë e qendrës së thirrjes dhe qendrës së komunikimit me publikun, e cila do të jetë e vendosur në “Sirius”. Demokracia në Veprim iu bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të mos ushtrojnë presion mbi qytetarët e tyre dhe përmes vëzhguesve të tyre, anëtarëve të tyre të krijojnë mundësinë dhe ambient ky qytetarët mund të vendosin në mënyrë të lirë dhe të drejtë, dhe në këtë formë të garantohet një proces fer për gjithë akterët që janë pjesë e garës”, tha Kryeziu.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. 

DnV: Partitë politike mos të bëjnë presion ndaj votuesve

Demokracia në Veprim të shtunën u ka bërë thirrje subjekteve politike që në zgjedhjet e nesërme parlamentare në Kosovë të mos bëjnë presion ndaj votuesve, në mënyrë që të jetë një proces fer dhe demokratik, derisa qytetarët i ka ftuar që nesër të dalin të votojnë.

Në një konferencë për media të koalicionit "Demokracia në Veprim", ku është paraqitur përmbledhja e fushatës zgjedhore, Albert Krasniqi nga KDI tha se gjatë fushatës zgjedhore kanë përcjellë shumicën e aktiviteteve politike dhe se ka pasur më pak pjesëmarrës nëpër tubime.

Sipas tij, në 49 tubime të subjekteve politike kanë qenë të pranishëm më shumë se 1000 persona, ndërsa në tubimet tjera ka pasur 50 deri në 500 vetë.

Gjatë vëzhgimit të fushatës Krasniqi theksoi se ka pasur prani të fëmijëve në fushatë edhe pse kjo është e ndaluar. Ai shprehu shqetësimin se gjatë fushatës është vërejtur edhe përdorimi i veturave zyrtare, ndërkohë që DnV ka bërë 69 ankesa në PZAP.

Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës, tha se tashmë i kanë bërë përgatitjet e duhura për zgjedhjet e nesërme.

Ai tha se DnV iu bën thirrje subjekteve politike të mos bëjnë presion në mënyrë që të jetë një proces fer dhe demokratik, derisa qytetarët i kanë ftuar që nesër të votojnë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

DnV tregon planin për vëzhgimin e zgjedhjeve (Drejtpërdrejt)

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, po mban konferencën për media mbi vlerësimin e ecurisë së fushatës zgjedhore, si dhe planin dhe përgatitjet e këtij koalicioni për vëzhgim gjatë ditës së zgjedhjeve.

Konferenca po mbahet në zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat