Raporti i vëzhguesve të BE-së evidenton disa probleme në ditën e votimit

Aktuale

Raporti i vëzhguesve të BE-së evidenton disa probleme në ditën e votimit

Më: 13 qershor 2017 Në ora: 13:16
Shefi i vëzhguesve të BE-së Alojz Peterle

Misioni i vëzhguesve të Bashkimit Evropian ka paraqitur raportin preliminar me të gjeturat nga monitorimi i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Sipas raportit preliminar, zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të qetë, pa incidente, por vëzhguesit kanë vërejtur edhe disa parregullsi, siç janë votimi familjar, rastet e ndihmës abuzive të votuesve dhe prani e tepërt e vëzhguesve nga  partitë politike.

Shefi i  vëzhguesve të BE-së Alojz Peterle theksoi në prezantimin e të gjeturave preliminare të vëzhgimit të zgjedhjeve të 11 qershorit, se ky proces u ndikua negativisht nga dobësitë e vjetra, veçanërisht nga listat e pasakta të votuesve që janë të cenueshme ndaj mashtrimeve, një sistem që lë mundësi për abuzim dhe sistem me shumë të meta për votim jashtë Kosovës.

Megjithëse, sipas tij, procesi i votimit të dielën ishte i qetë dhe pa incidente, nuk munguan edhe votimet familjare, pranisë së tepër të vëzhguesve e raste tjera.

Peterle: Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë, por pati raste abuzive

“Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe nuk u vërejt asnjë incident i theksuar nga EU EOM, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Votimi në përgjithësi u vlerësua pozitivisht, megjithatë vëzhguesit vërejtën raste të shpeshta të votimit familjar, raste të ndihmës abuzive të votuesve dhe pranisë së tepërt të vëzhguesve nga dy subjekte politike, duke shkelur ligjin. Procedurat e numërimit të votave nuk u përfillën gjithmonë duke nënvizuar nevojën për trajnim me të mirë të stafit zgjedhor”, tha Peterle.

Ai shtoi se edhe mbajtja e zgjedhjeve në periudhën me të shkurtër të mundshme, ka ndikuar negativisht në tërë procesin zgjedhor. Derisa, listat e votuesve, tha Peterle vazhdojnë të jenë shqetësuese, sidomos prania e personave të vdekur në lista votuese, derisa votimi jashtë Kosove u ndikua në mënyrë të veçantë nga periudha e shkurtër kohore, pasi vetëm 15 mijë janë regjistruar për votim, derisa janë afër 500 mijë votues që jetojnë jashtë vendit.

Sipas raportit të vëzhguesve të BE-së, edhe në komunat veriore shkoi mirë, por kishte udhëzime të paqarta nga KQZ-ja nëse duhet të pranohen dokumentet e identifikimit të Serbisë si dokumente të vlefshme identifikimi për votim në katër komunat veriore.

Derisa, në zgjedhjeve rreth 30 autobusë nga Serbia sollën votuesit në disa komuna me shumicë serbe.

Peterle foli edhe për praninë e vëzhguesve të partive politike të certifikuar nën ombrellën e një organizate jo qeveritare, për të cilën tha se është shqetësuese.

Peterle: Kjo OJQ s’ka komunikuar me neve

“OJQ që ju po e përmendni është regjistruar në orët e fundit para zgjedhjeve dhe nuk kemi pasur kurrfarë komunikimi me të, madje as që ka shprehur dëshirën për të komunikuar me misionin tonë. Dhe, janë ngritur disa shqetësime në këtë drejtim dhe kjo është një prej pikave që do të qartësohet. Me së paku që do të dëshironim është që një OJQ të bëjë diçka që nuk përkon me mandatin e saj dhe ne kemi disa elemente në raportin tonë sa i përket këtij aspekti dhe me kujdes do ta trajtojmë këtë çështje”, theksoi ai.

Shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian Igor Soltes tha se Misioni i zgjedhjeve të kaluara ka listuar rekomandimet për të përmirësuar procesin zgjedhor, por nuk janë marr parasysh, çka u vërejt në zgjedhjet e 11 qershorit.

Solter: Nuk u morën parasysh rekomandimet nga zgjedhjet e kaluara

“Ne duhet të pranojmë se ka mundur të bëhet me shumë në zbatimin e këtyre rekomandimeve, është dashur të kishim një ndikim më pozitiv sikur kjo të kishte ndodhur në këtë fushatë të vitit 2017. Ju jap tri shembuj konkret, kanë qenë tri rekomandime që kanë pasur të bëjnë me kornizën e nevojshme për përgatitjen e procesit zgjedhor. Është me rëndësi që të pranohet se koha shumë e shkurtër është marr parasysh, duke mos marr parasysh rekomandimet për këto zgjedhje dhe pasojat janë të dukshme, nga cilësia e listës së votuesve e deri të mundësit që janë të votuesve që janë Kosovës, e deri të përgatitja dhe menaxhimi i trupave menaxhuese të zgjedhjeve. Pastaj fushata zgjedhore mendoj se do të duhej të kishte marr parasysh rregullat sa më transparente. Sikur këto të ishin marr parasysh do të kishim një fushëbetejë shumë me të barabartë mes partive politike”, u shpreh Soltes.

Vëzhguesit evropian theksuan se edhe numri i madh i fletvotimeve të pavlefshme është pikë shqetësuese. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat