Politikanët e pasur, të zhytur në kredi si populli i varfër

Aktuale

Politikanët e pasur, të zhytur në kredi si populli i varfër

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 16:48
Euro

Politikanët e pasur të Kosovës, e kanë vetëm një të përbashkët me popullin e varfër, marrjen e kredive.

E dallimi me popullin është në të ardhurat vjetore, të cilat i kanë shumëfish më të larta, e po ashtu dhe paratë që i kanë në banka. 

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencisë Anti Korrupsion, shumica e deputetëve të cilët janë të pasur, që kanë shuma të mëdha të parave në banka, rroga të majme, e miliona pasuri të paluajtshme kanë deklaruar se kanë dhe kredi, për renovim të shtëpisë, apo dhe për martesë të fëmijëve.

Kredisë përveç qytetarëve, të cilët janë detyruar t’i marrin duke pasur parasysh gjendjen financiare,  nuk i ka shpëtuar as presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar para të gatshme në bankat e Kosovës në vlerë prej mbi 300 mijë euro dhe të hyra vjetore mbi 58 mijë euro, por ka dhe kredi 25 mijë e 406.15 euro.

Edhe deputeti i VV-së Faton Topalli,  vazhdoj t’i prijë listës si deputeti më hyra më të larta vjetore, pasi që ai së bashku me bashkëshorten e tij,  kanë deklaruar të hyra vjetore prej 146 mijë e 144 euro, nga pagat e marra në Zvicër dhe në Kosovë, ndërkaq para të gatshme të mbajtura në institucione financiare ka në vlerë prej  41 mijë e 350 euro.  Me gjithë shumat e mëdha të të hyrave,  as Faton Topalli, nuk i ka shpëtuar kredisë, pasi që ka deklaruar kredi rreth 500 mijë euro.

Edhe deputeti i PDK-së Adem Grabovci i cili ka mbi 31 mijë euro të hyra vjetore së bashku me bashkëshorten e tij, ka kredi në vlerë prej  15 mijë euro.

E pa kredi nuk është as shefi i GP të PDK-së Zenun Pajaziti i cili së bashku me bashkëshorten e tij ka të hyra vjetore në vlerë prej 50 mijë euro, por e ka dhe kredinë për ndërtimin e shtëpisë në vlerë prej 50 mijë euro.

Kredi ka edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj, i cili ka të hyra vjetore në vlerë prej 23 mijë euro dhe pasuri të paluajtshme në vlera të mëdha, dhe kredi prej 75 mijë euro.

Në kredi është edhe kryetari i VV-së  Visar Ymeri i cili ka para të gatshme në institucionet financiare prej  52 mijë e 273 euro, e të hyra vjetore rreth 28 mijë euro,  ka kredi prej  18 mijë euro.

 I zhytur deri në fyt në kredi është edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili edhe pse ka rreth 200 mijë euro para të gatshme në banka, e të hyra vjetore prej rreth 30 mijë euro e ka një kredi  rreth 150 mijë euro.

Duke parë pasurinë që e posedojnë, të ardhurat e tyre, e paratë e kursyera nëpër banka,  duket mjaft e çuditshme hyrja e këtyre politikanëve në kredi.  Nga të dhënat e AKK-së politikanët tanë milionerë, duket se e kanë bërë këtë vetëm që të “solidarizohen”, me popullin që i voton ata, e të cilët i kanë varfëruar dhe të cilët hyjnë në kredi, jo se u pëlqen, por janë të detyruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat