Fillon rinumërimi i 115 kutive, pritet rinumërime tjera

Aktuale

Fillon rinumërimi i 115 kutive, pritet rinumërime tjera

Më: 18 qershor 2017 Në ora: 14:05
Ilustrim

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar rinumërimi i 115 kuti të votimit, përderisa nuk përjashtohet mundësia që sërish të ketë vendime për rinumërim e kutive tjera. Kurse, javën tjetër pritet të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë.

Rinumërimi i 115 kuti të votimit po bëhet pas vendimit të KZQ-së, për shkak që nuk kanë arritur të procesohen si të rregullta për shkak të mospërputhjeve të të dhënave.

Ndërsa, i gjithë procesi i numërimit nuk pritet të përmbyllet gjatë kësaj jave, pasi që nga QNR është bërë e ditur se janë në procesin e kompletimit të skanimit të listave përfundimtare të votuesve. Po ashtu, janë në proces të regjistrimit të votave me kusht, si dhe votat me post, të cilat janë në pritje të numërimit.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme ka filluar rinumërimi i 114 vendvotimeve. Po ashtu, ai tha se shpresojnë që rinumërimi të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Ahmetaj: Procesi i rinumërimit të tyre ka filluar

“Jemi në procesin e rinumërimit të fletëvotimeve nga 115 vendvotimet të cilat nuk kanë mundur të kalojnë auditimin dhe tash jemi në procesin e rinumërimit të tyre dhe shpresojmë që brenda ditës të përfundoj rinumërimi i këtyre 115 vendvotimeve. Procesi i rinumërimit të tyre ka filluar, ka filluar qysh dje në ora 4 e pasdites, mirëpo jemi në proces që shpresojmë që ta përmbushim dhe ta përmbyllim këtë proces të këtyre 115 vendvotimeve ta rinumërojmë deri nesër”, tha ai.

Ahmetaj tha se nuk ka përfunduar procesi i auditimit të të gjithë formularëve të rezultateve, e sipas kësaj ai tha se mund të ketë edhe ndonjë vendim tjetër për rinumërim.

Ahmetaj: Mund të ketë edhe ndonjë vendim tjetër për rinumërime

“Akoma nuk është i përfunduar procesi i auditimit të të gjithë formularëve të rezultateve, jemi në proces, kështu që mund të ketë edhe ndonjë vendim tjetër për rinumërime. Mirëpo, akoma raporti nuk është final, do të presim deri të përgatitet, mirëpo aktualisht jemi duke procesuar me ato 115 vendvotime dhe shpresojmë ta përmbyllim deri nesër”, tha ai.

Ndërsa, i gjithë procesi i numërimit nuk pritet të përmbyllet gjatë kësaj jave, kjo sipas Koordinatorit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, i cili tha se janë në procesin e kompletimit të skanimit të listave përfundimtare të votuesve.

Po ashtu, ai tha se janë në proces të regjistrimit të votave me kusht, si dhe votat me post të cilat janë në pritje të numërimit.

Ahmetaj: I gjithë procesi është vështirë se do ta përmbyllim brenda pak ditësh

“I gjithë procesi është vështirë që mund të thuhet se do ta përmbyllim brenda pak ditësh, sepse jemi në procesin e kompletimit të skanimit të listave përfundimtare të votuesve. Po ashtu, jemi në procesin e regjistrimit të votave me kusht, pra të gjithë votuesit me kusht i regjistrojmë në bazën e të dhënave dhe e bëjmë krahasimin e votuesve që kanë votuar të rregullt është fjala, për votuesit e rregullt dhe votuesit me kusht, bëhet krahasimi i tyre dhe nëse evidentohet që një votues ka votuar  edhe i rregullt edhe me kusht, vota me kusht do të refuzohet. Ndërsa, votat tjera me kusht të cilat vërtetohen dhe evidentohet që nuk kanë votuar si të rregullt, atëherë ato vota do të mund të numërohen. I kemi edhe votat me postë të cilat janë në pritje të numërimit të tyre, kështu që besoj që gjatë javës tjetër do të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe votave me postë”, tha Ahmetaj per kp.

Gjithashtu, Ahmetaj bëri të ditur se çdo subjekti politik i është lejuar që për secilën tavolinë të ketë një vëzhgues. Sipas tij, transparencë më e plot dhe më e madhe se që është tani nuk ka qenë më herët.

Ahmetaj: Transparenca më e plotë dhe më e madhe ndoshta nuk ka qenë kurrë

“Ju kemi ofruar mundësinë vëzhguesve sidomos të subjekteve politike që për secilën tavolinë  ta kenë të paktën një vëzhgues, që nëse i kemi 20 njësi të numërimit një subjekt lejohet t’i ketë deri në 20 vëzhgues dhe ta vëzhgoj procesin nga afër. Po ashtu, është ofruar mundësia që vëzhguesit të jenë shumë afër tavolinave në mënyrë që të vëzhgohet i gjithë procesi. Kështu që, transparenca më e plot dhe më e madhe ndoshta nuk ka qenë kurrë deri më tani”, tha ai.

Ndryshe, KQZ, dje ka filluar t’i publikoj në ueb-faqen e saj zyrtare, rezultatet preliminare për secilin deputet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat