Ramush Haradinaj i reagon Albin Kurtit: Qeverinë do ta bëjmë ne, mashtruesit ordinerë s’e shpëtojnë Shtetin

Aktuale

Ramush Haradinaj i reagon Albin Kurtit: Qeverinë do ta bëjmë ne, mashtruesit ordinerë s’e shpëtojnë Shtetin

Nga: P.R Më: 18 qershor 2017 Në ora: 17:51
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kandidati për kryeministër të Kosovës, nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka thënë se do ta krijojë qeverinë e re dhe sipas tij nuk do të ketë kurrfarë krize.

“Standardet dhe normat zgjedhore, që i kemi në këtë Shtet, kanë prodhuar një rezultat që na hapë rrugën e krijimit të institucioneve të reja dhe kjo gjë do të ndodhë. 
Përgjegjësia politike këtë herë është më e madhe se sa mashtrimi utopik, dhe shumë prej të zgjedhurve e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosove "futuriste"!”, ka shkruar Haradinaj, përcjellë “Bota sot”.

Kujtojmë se me herët, Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte deklaruar se  PAN po mundohet t’ia vjedhë ndonjë deputetë LDK-së ose AKR-së dhe më pas me lejen e kryeministrit serb, Aleksandër Vucic të formoj Qeverinë.

Ja postimi i plotë:

Defetistët janë ngutur edhe këtë herë për të lansuar lloj lloj tezash për një farë krize imagjinare politike. Ato që i bluajnë në kokat e tyre, po mundohen t'ua mveshin të tjerëve, me shpresë se kështu mund ta ofrojnë veten si shpëtimtarë. 
Por ky është një mashtrim utopik ordiner! 
Standardet dhe normat zgjedhore, që i kemi në këtë Shtet, kanë prodhuar një rezultat që na hapë rrugën e krijimit të institucioneve të reja dhe kjo gjë do të ndodhë. 
Përgjegjësia politike këtë herë është më e madhe se sa mashtrimi utopik, dhe shumë prej të zgjedhurve e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosove "futuriste"! 
Ne do t'i mveshemi punës dhe do ta kthejmë mbar këtë vend, sepse problemet janë të mëdha dhe janë konkrete. 
Nuk mund ta shkatërrojmë vendin e t'ia nisim nga e para, për tekat e askujt. 
Është derdhur gjak e djersë për ta krijuar këtë Kosovë, kështu siç e kemi, dhe askush nuk do ta ketë mundësinë e as fuqinë që ta rrezikojë ecjen përpara të vendit. 
Kosova do të bëhët dhe do ta ketë Qeverinë e saj, shpejt! 
RH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat