Kuvendi i ri, edhe me shumë emra të vjetër

Aktuale

Kuvendi i ri, edhe me shumë emra të vjetër

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 16:09
Kuvendi i Kosoves

Ende nuk dihen zyrtarisht emrat e të gjithë deputetëve të legjislaturës së re, por megjithatë në media kanë dalë emra të shumtë të subjekteve politike që ishin në garë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Sipas analistëve politikë, ka emra të rinj, por ka edhe shumë emra të vjetër që nuk i kanë dhënë asgjë Kuvendit në legjislaturat e kaluara.

Fushata vetëdijëuese #AsUne, megjithatë, vlerësohet se ka ndikuar në vendimin e votuesve.

Legjislatura e re pritet të ketë emra të rinj, por po ashtu, ka edhe shumë riciklime të deputetëve nga legjislaturat e kaluara.

Opinionisti Imer Mushkolaj thotë se përkundër disa emrave të rinj, shihet që do të ketë edhe emra që nuk i kanë dhënë asgjë të re Kuvendit, nuk kanë folur madje asnjëherë në Kuvend, apo ndoshta edhe emra që kanë të kaluar kriminale e korruptive.

“Pse ka ndodhur kjo? Duke pasur parasysh se shoqëria kosovare është e vogël dhe ende funksionon me idenë e militantizmit, atëherë unë besoj se kjo ka qenë një ndër arsyet që janë votuar emra të tillë, emra që kanë qenë në të kaluarën dhe tani”, tha Mushkolaj.

Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, lansoi fushatën vetëdijësuese #AsUne, e cila për qëllim kishte ndikimin tek partitë që të mos përfshijnë në listat zgjedhore kandidatë të përfshirë në dukuri korruptive.

Kjo fushatë, sipas Mushkolajt, bashkë me deklarimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, ka ndikuar në vendimin e votuesve.

Edhe Artan Canhasi nga ky koalicion i OJQ-ve, thotë se fushata #AsUne, ka qenë e suksesshme, ngase në masë të madhe subjektet politike nuk kanë kandiduar persona me të kaluar kriminale e korruptive.

“Presim edhe rezultatet finale të certifikimit të deputetëve, të shohim se sa ka qenë ndikimi ynë në eliminimin e atyre rasteve që ne mendojmë se nuk është dashur të jenë në listat e kandidatëve. Sadopak kemi arritur që të eliminojmë ndonjë kandidat apo deputet të ardhshëm i cili ka mundur të jetë i përfshirë në afera korruptive”, ka thënë Canhasi.

Thirrje për partitë që të mos kandidojnë persona me të kaluar kriminale apo korruptive, në vazhdimësi kanë bërë edhe përfaqësuesit diplomatik në Kosovë.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it patën kërkuar nga subjektet politike që të kenë kujdes se çfarë njerëzish po përfshijnë në listat zgjedhore, duke bërë thirrje që mos të përfshihen persona të inkriminuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat