Sfarqa: Driton Selmanaj foli në bazë të disponimit të elektoratit të LDK’së

Aktuale

Sfarqa: Driton Selmanaj foli në bazë të disponimit të elektoratit të LDK’së

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 17:22
Muharrem Sfarqa

Kandidati për deputet nga radhët e LDK’së, Driton Selmanaj, dje ka deklaruar se LDK nuk duhet të futet në koalicion me PDK’në, në të kundërtën ai do të largohet.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar kreu i LDK’së, Isa Mustafa. Atij nuk i kanë pëlqyer aspak deklaratat e anëtarit më të ri të partisë që ai e udhëheq.  Mustafa e ka quajtur shantazh deklaratën e Selmanajt.

Por, për anëtarin e kryesisë së LDK’së, njëherësh kreun e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, deklaratat e Selmanajt kundër koalicionit me PDK’në janë të bazuara. Sfarqa thotë se bashkëpartiaku i tij ka të drejtë ta thotë mendimin e tij. Sipas tij, Selmanaj ka folur në bazë të disponimit të elektoratit karshi kësaj çështjeje. Por, sa i përket çështjeve të koalicioneve Sfarqa i përkujton Selmanajt se për këtë punë vendos kryesia dhe strukturat e partisë.

“Është e vërtetë që për koalicion me ndonjë parti vendos kryesia dhe struktura e partisë. Çështjet individuale të secilit janë konform situatës që është krijuar. Çështjet  tjera më shumë janë promovime individuale se sa çështje të partisë. Unë këto i vlerësoj, se demokracia këto i ka. Është e drejtë absolute dhe demokratike me e thënë atë çfarë e mendon. Driton Selmanaj mbrëmë ka fol në bazë disponimit të elektoratit”, ka thënë të hënën, anëtari i kryesisë së LDK’së, Muharrem Sfarqa.

Tutje ai është shprehur se elektorati i LDK’së nuk ka disponim për koalicion me PDK’në, ndërkohë që rreth koalicionit me VV’në, Sfarqa thotë se ende nuk ka ndonjë thirrje të partisë, përveç atyre individuale. Ndërkohë që kreu i Ferizajt thotë se ka ardhur koha që LDK’ për një kohë të qëndrojë në opozitë.

“Elektorati nuk ka disponim për koalicion me PDK’në në asnjë mënyrë sepse në të kundërtën nuk kish pas pse me u prishë mocioni. Sa i përket koalicionit me VV’në dhe thirrjet, këto akoma janë vendime individuale, ende nuk ka thirrje të partisë. Ne do të presim rezultatet e certifikimit dhe do ta vlerësojmë gjendjen, janë organet e partisë që vendosin. Nuk ka ndonjë përjashtim me VV’në. Megjithëse mendoj që më mirë do të ishte që LDK’ja njëherë të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Sfarqa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat