Kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në gjetjen e të pagjeturve

Aktuale

Kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në gjetjen e të pagjeturve

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 11:12
Konferenca e Qendrës burimore për personat e zhdukur

(E plotësuar) - Qendra burimore për personat e zhdukur ka apeluar Beogradin dhe Prishtinën si dhe komunitetin ndërkombëtar që të përcaktojnë një përfaqësues të lartë për t’i dhënë fund vuajtjes së tyre me qëllim të zbardhjes së fatit për familjarët e tyre.

Përfaqësuesi i kësaj qendre, Bajram Qerkini, ka deklaruar se familjarët e të pagjeturve nuk do të pushojnë derisa të zbardhet edhe fati i personit të fundit të zhdukur.

Qerkini: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e fundit të personave të zhdukur

“Duam të theksojmë se për ne çështja e të zhdukurve të më të dashurve tanë është ekskluzive çështje humanitare dhe ne nuk do të ndalemi  deri sa të zbardhet edhe fati i personit të fundit. Për 18 vite me radhë, çdo ditë është ditë agonie për ne secilin që jemi këtu por edhe ata që nuk janë këtu”, tha ai.

Me rastin e mbajtjes së Konferencës së  Gjenevës, e cila do të mbahet më 29-30 qershor, Qerkini ka apeluar Prishtinën, Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar që të marrin përgjegjësitë për gjetjen e më të dashurve të tyre.

Çerkini: Nxisim që të na informojnë rreth të pagjeturve

 “Nxisim Beogradin dhe Prishtinën edhe komunitetin ndërkombëtar të caktojnë një përfaqësues të lartë me mandate dhe autoritet mjaftueshëm të fortë të  fuqishëm për t’i dhënë fund vuajtjeve tona , të gjendet edhe i fundit për të mundur mbajmë zi apo të vendosim një lule pranë varrit të tyre. Ne nxisim Beogradin dhe Prishtinën si dhe komunitetet ndërkombëtare të na bëjnë të na informojnë dhe të shpërndajnë informatat të cilat i kanë premtuar dhe asnjë nuk i kemi marrë deri më sot. Ne nxisim Beogradin dhe Prishtinën si dhe komunitetit ndërkombëtar të përdorin informatat të cilat i morën nga ne qe 18 vite që të gjejnë të vërteten të atyre informatave dhe të na informojnë“, shtoi më tej Çerkini.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur që do të marrin pjesë në Konferencën e Gjenevës janë: Bajram Qerkini, Milorad Trifunoviç, Salih Muhaxheri, Kumrije Karaçeva, Natasha Stepanoviç, Negovan Mavriç.

I pranishëm në këtë takim ishte përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve serbë, Milorad Trifunoviç i cili tha se të gjitha premtimet se do t’i informojnë për çdo zhvillim ishin boshe.

Trifunoviç: Kemi dhënë mbi 30 deklarata rreth ngjarjeve të personave të pagjetur

“Disa prej nesh kanë dhënë më shumë se 30 deklarata nga 30 shtatori i vitit 1999 deri në vitin 2016 rreth ngjarjeve të zhdukjes së personave dhe  çdo herë u është thënë se do të informohen rreth çdo zhvillimi, mirëpo ato ishin vetëm fjalë boshe” , tha ai.

Bajram Qerkini tha se në Konferencën e Gjenevës do të kërkojnë të gjitha dokumentacionet që kanë të bëjnë me personat e zhdukur.

Grupi punues për të zhdukurit kishte paraqitur disa rekomandime për Serbinë, Kosovën, dhe palën ndërkombëtare në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në vjeshtën e vitit 2015.

Kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi që të angazhohen për gjetjen e të pagjeturve

Qendra burimore për personat e zhdukur ka apeluar Beogradit dhe Prishtinës si dhe komunitetit ndërkombëtar që të përcaktojnë përfaqësues të lartë për t’i dhënë fund vuajtjes së tyre me qëllim të gjetjes së familjarëve të tyre.

Përfaqësuesi i kësaj qendre, Bajram Çerkini tha se nxisin Prishtinë dhe Beogradin që t’i shfrytëzojnë informacionet që kanë dhënë me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

 Ky takim i paraprin konferencës së Gjenevës, i cili do të mbahet më 29-30 qershor dhe në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues të familjarëve të  pagjetur dhe ata do të kërkojnë që të gjendet një komisionar i përbashkët,  i cili do të krijojë kushte të favorshme për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998- 1999.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat