Ende mbesin shumë raste të pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve

Aktuale

Ende mbesin shumë raste të pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 16:54
Pamje nga tryeza e organizuar nga Prokuroria e Shtetit, për të prezantuar rastet e veprave penale ndaj gazetarëve

Qe nga përfundimi i luftës në Kosovë janë shënuar 120 raste të kërcënimit, sulmit, tentim-vrasjes dhe vrasje ndaj gazetarëve, ku vetëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë 90 raste të paraqitura nga gazetarët.

Këto janë bërë të ditura në tryezën e organizuar nga Prokuroria e Shtetit, për të prezantuar rastet e veprave penale ndaj gazetarëve.

Në këtë tryezë u tha se prokuroria po bën një punë të mirë për rastet e gazetarëve, por që problem janë gjykatat, ku ende nuk është gjetur një formulë përmes së cilës arrijnë të shtyjnë gjykatat të kenë më shumë efikasitet në trajtimin e rasteve të gazetarëve.

Prokurori dhe Koordinatori në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për rastet e gazetarëve, Besim Kelmendi, tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të takohen dhe të diskutojnë për çështjet që janë sfiduese për të gjithë, edhe për ata si prokuror edhe për gazetarët.

Kelmendi bëri të ditur se që nga viti 1999 e deri më sot, në Kosovë janë paraqitur raste nga individë ose gazetarë për rastet duke përfshirë kanosjen si veprën më e lehtë deri tek vrasjet e personave të caktuar. Po ashtu, ai bëri të ditur se vetëm në territorin e Gjykatës Themelore të Prishtinës janë 90 raste të paraqitura që nga viti 1999 e deri më sot.

Kelmendi: Në regjionin e Gjilanit kemi pasur 9 raste

“Në regjionin e Gjilanit kemi pasur 9 raste, po flasim gjithmonë për rastet që nga viti 1999 deri më sot, periudha është bukur e gjatë nuk është një periudhë një vjeçare por është një periudhë që nga pas lufta e deri më sot. Në Ferizaj ka pasur një rast, në Prizren nuk kemi pasur asnjë rast të paraqitur në Polici për këto raste, në Pejë kemi pasur katër raste, në Mitrovicë kemi pasur gjithsej 16 raste të paraqitura në Policinë e Kosovës”, tha ai.

Kelmendi ka theksuar se një numër i rasteve janë zgjedhur, por që edhe një numër i konsiderueshëm mbeten pa u zbardhur.

Prokurori i caktuar për rastet e gazetarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Bashkim Zeqaj, tha se në Prishtinë janë 90 raste të kanosjes së gazetarëve. Po ashtu, ai tha se kanë evidentuar të gjitha rastet të cilat kanë të bëjnë me kanosjen e gazetarëve dhe se ka rezultate në ngritjen e aktakuzave ku janë të kanosur gazetarët.

Zeqaj: Kam evidentuar të gjitha rastet të cilat kanë të bëjnë me kanosjen e gazetarëve

“Kam evidentuar të gjitha rastet të cilat kanë të bëjnë me kanosjen e gazetarëve, si dhe raste të tjera. Po ashtu, ju njoftojmë se kemi pasur rezultate në ngritjen e aktakuzave ku janë të kanosur gazetarët. Siç e tha edhe prokurori Kelmendi, vepra penale e kanosjes hyn në kapitullin e veprave penale kundër jetës dhe për këtë lëndë i kemi shqyrtuar dhe jemi duke i shqyrtuar me prioritet të caktuar. Natyrisht që kemi bashkëpunuar në këto raste dhe presim bashkëpunimin edhe më të mirë në të ardhmen me juve në mënyrë që këto raste të zgjidhen sa më shpejt, sa më mirë”, tha ai.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, tha se tek rastet e gazetarëve një prej elementeve është që të gjitha gazetarët që janë kërcënuar gjëja e parë që duhet të bëjnë është të lajmërojnë Policinë.

Hysenaj: Të gjithë gazetarët që pranojnë kërcënime rastin ta lajmërojnë në Polici

“Një prej elementeve me të rëndësishme në këtë proces të cilin e kemi kërkuar edhe më herët është që të gjithë gazetarët që pranojnë kërcënime, që janë të kërcënuar, që janë viktima të çfarëdo lloj dhune apo kërcënime gjëja e parë që duhet ta bëjnë është që rastin ta lajmërojnë në Polici. Kjo është elementarja, edhe unë kam pasur në të kaluarën përvoja jo të mira me Policinë, kam pasur përvoja jo të mira edhe me institucione tjera, megjithatë denoncimi i rastit është gjëja e parë që duhet të ndodh. E dyta, normalisht bashkëpunimi me AGK-në, pasi ka shumë kolegë gazetar që pasi kemi bërë thirrje që t’i dërgojnë rastet në AGK e kanë bërë një gjë të tillë, e këto rast jo në numër aq të madh i kemi dërguar në prokurori dhe besoj shumica prej tyre kanë marr përgjigje se çfarë ka ndodhur me rastin e tyre dhe ku është rasti i tyre”, tha Hysenaj.

Hysenaj shtoi se pas tejkalimit të nivelit të prokurorisë, tani si AGK janë në një nivel tjetër që po paraqitet si problem, e që janë Gjykatat dhe mos efikasiteti i tyre në trajtimin e rasteve të gazetarëve.

Hysenaj: Gjykatat janë problem

“Gjykata janë problem që nuk jemi duke e gjetur një formulë përmes së cilës ne do të arrinim ti shtynim gjykatat të kenë me shumë efikasitet në trajtimin e rasteve të gazetarëve. Këtu po flasim edhe në rastet kur gazetarët janë viktima të dhunës apo kërcënimit, kur janë në cilësinë e viktimës, mirëpo edhe në rastet tjera kur janë padi civile për shpifje apo vepra të tjera që mund të kenë bërë qoftë gazetarët qoftë shtëpitë mediale”, u shpreh ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në këtë tryezë tha se Policia e Kosovës e mban primatin e transparencës dhe bashkëpunimit me gazetarët.

Kjo tryezë është organizuar nga Prokurori i Shtetit për të për të bërë prezantimin e rasteve të veprave penale ndaj gazetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat