Daka tregon se kur do të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit

Aktuale

Daka tregon se kur do të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 10:53
Valdete Daka

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të certifikoj rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit në fund të këtij muaji.

Kështu ka paralajmëruar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Kjo e fundit ka thënë se kandidatët për deputetët janë ata të cilët e kanë prolonguar këtë proces.

“Sipas parashikimeve tona, besoj qe ashtu siç kemi thënë në fund të qershorit do të ndodhë certifikimi i rezultatit zgjedhor. Nuk po mund të themi data, sepse nuk varet krejtësisht nga ne. Kandidatët sërish e kanë prolonguar procesin”, ka thënë Daka.

E para e KQZ-së, ka bërë me dije se më së largu të shtunën do të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës.

Daka i ka vlerësuar të pakuptimta ankesat e partive në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare.

“Partitë të disiplinojnë komisionerët dhe kandidatët të mos bëjnë presion mbi komisionerë. Po na përsëritet storia e vjetër. Kandidatët për interesa personale i kanë shty komisionerët më i rregullu votat”, ka shtuar Daka.

E pyetur, nëse dështon formimi i institucioneve a do të ishte KQZ e gatshme të organizonte një tjetër proces zgjedhor para zgjedhjeve lokale, Daka ka thënë se nuk e kanë menduar këtë çështje.

“Varët krejt nga konstituimi i Kuvendit. Janë afatet kushtetuese, nëse ajo ndodhë ishalla nuk ndodhë, sepse kemi pasur boll zgjedhje”, ka theksuar ajo.

Aktualisht KQZ është në proces të rinumërimit të 280 kutive të votimit pas ankesave nga ana e kandidatëve për deputetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat