Dënohet ish polici Shefqet Kameraj për vrasjen e Ilmi Lufajt

Aktuale

Dënohet ish polici Shefqet Kameraj për vrasjen e Ilmi Lufajt

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 11:33
Gjykimi i Shefqet Kamerajt për vrasjen e Ilmi Lufajt

Një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Pejë e dënoi me 13 vjet burg ish rreshterin policor Shefqet Kameraj për vrasjen e Ilmi Lufajt para stacionit policor në Deçan në prill të vitit të kaluar.

Në seancën në të cilën u shpall aktgjykimi, trupi gjykues e gjeti Kamerajn fajtor për vrasje të rëndë, por nuk e aprovoi cilësimin juridik të prokurorisë se vrasja ishte kryer “për motive të hakmarrjes”.

Trupi gjykues gjithashtu nuk e ka marrë për bazë një ekspertizë psikiatrike ndaj Shefqet Kamerajt.

Avokati i familjes Lufaj, Haxhi Çekaj, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit tha për kallxo se është i pakënaqur me këtë aktgjykim dhe paralajmëroi ankesë brenda afatit ligjor.

Siç shkruhet në aktakuzën e prokurorisë, Lufaj në momentet e tij të fundit i ishte lutur Kamerajt të mos e qëllonte, por rreshteri i policisë nuk ishte ndalur.

Në aktakuzë sqarohet në tërësi incidenti i 19 prillit 2016 i cili për një kohë të gjatë u debatua në publik.

Aktakuza e përshkruan se atë natë miku i Ilmi Lufajt, Besfort Elshani, ishte arrestuar nga policia pas disa të shtënave në qendër të Deçanit.

Lufaj kishte shkuar në stacion për të biseduar për shokun e arrestuar, por diskutimi kishte eskaluar në një fjalosje në mes Lufajt e rreshterit Kamberaj.

“Kam me ta q*** nënën, familjen, krejt çka i ke të gjallë e të vdekur dhe nuk ke me qit kon ma jasht veç në hysh ka je dalë”, ishin fjalët e drejtuara nga Lufaj kundër Kamerajt.

Pas ofendimit, i ndjeri Ilmi Lufaj u largua nga oborri i stacionit policor pas ndërhyrjes së tre policëve, duke u dërguar përballë pompës së benzinës “Al- Petrol”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kameraj, pesë minuta pas ofendimeve dhe fyerjeve të Lufajt, shkoi te viktima, nxori pistoletën e tij dhe e goditi Kamerajn me një plumb në veshin e majtë.

Siç përshkruhet në aktakuzë, Lufaj kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes duke e lutur Kamerajn që të mos e godasë përsëri, por Kameraj e kishte goditur viktimën për herë të dytë në kokë duke e lënë të shtrirë dhe pa shenja jete.

Siç përshkruhet në aktakuzën e prokurorit Haxhi Sinanaj, natën kritike të 19 prillit i akuzuari Shefet Kameraj ka qenë kujdestar në thirrje si rreshter në hetimet e stacionit të policisë. Atë natë në qendër të Deçanit në dy lokacione kishte të shtëna armësh nga dy vetura të cilat më pas kishin shkuar në drejtim të Pejës.

Nga kjo ngjarje, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes i ndjeri Ilmi Lufaj ishte afruar pranë rreshterit Kameraj për të pyetur për shokun e tij Besfort Elshani se pse është arrestuar, por nga rreshteri Kameraj ishte urdhëruar më pas që të largohej nga vendi i ngjarjes, për të mos penguar kryerjen e detyrës zyrtare.

Besfort Elshani ishte arrestuar nën dyshimin se kishte shtënë me armë zjarri në lokacionin për të cilin ishte lajmëruar më pas rreshteri Kameraj.

Për ta vërtetuar se a është i përfshirë Besfort Elshani në këtë ngjarje, Kameraj kishte urdhëruar kontrollimin e veturës së të arrestuarit për të kërkuar prova lidhur me ngjarjen. Në atë kohë kur kanë dalë jashtë stacionit në oborr është parë Ilmi Lufaj duke iu drejtuar rreshterit Kameraj: “Pse ishte arrestuar shoku im Besfort Elshani?”.

Më pas Kameraj ka urdhëruar largimin e Lufajt nga stacioni, e tre zyrtarët policor të urdhëruar nga rreshteri Kameraj e kishin dërguar të ndjerin Lufaj përballë pompës së benzinës “ku më pas Lufaj mbetet duke biseduar me njërin nga zyrtarët policorë”.

“Rreshteri Kameraj në shenjë mllefi për sharjet dhe kanosjet që i janë bërë nga ana e të ndjerit disa minuta më pas doli nga stacioni në drejtim të Lufajt pa pasur asnjë ofendim apo kërcënim në ato momente shtiu në drejtim të viktimës për dy herë dhe duke e lënë të shtrirë në tokë pa shenja jete”, thuhet në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat