Llapi përfaqësohet vetëm me dy deputetë në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

Llapi përfaqësohet vetëm me dy deputetë në Kuvendin e Kosovës

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 06:56
Kuvendi i Kosovës

Podujeva, që gjithmonë është njohur si bastion i palëkundur i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht kishte përfaqësues të shumtë nga kjo parti në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së tani në këtë legjislaturë do të ketë përfaqësim nga vetëm dy deputetët.

Sabri Hamiti, Skender Hyseni, Agim Veliu, Nuredin Ibishi, Doruntinë Maloku, Agim Kikaj, Shpejtim Bulliqi, Ilaz Pireva, janë vetëm disa nga emrat e këtij qyteti që në legjislaturat e kaluara ishin pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, duket se tashmë gjërat kanë ndryshuar, pasi që deri më tani vetëm i riu Fidan Rekaliu, duket se ka arritur ti sigurojë votat për këtë post, duke mbetur jashtë Sabri Hamiti, Skender Hyseni, Nuredin Ibishi, Liman Zeqiri, e Doruntinë Maloku,

Më mirë nuk qëndron as Partia Demokratike e Kosovës në këtë komunë.

Kjo parti në legjislaturën e kaluar kishte tre deputetë nga kjo anë, por tani kanë mbetur pa as edhe një përfaqësues të vetëm. Pasi që në zgjedhjet e 11 qershorit, humbën garën Kadri Kastrati, Naim Fetahu dhe Muhamet Latifi.

Ndryshe nga këto dy parti, Lëvizja Vetëvendosje, në këtë komunë arriti të ngjitej nga vendi i tretë në atë të dytë. Në dy legjislaturat e kaluara, kjo Lëvizje nuk kishte asnjë deputetët nga kjo komunë brenda Kuvendit të Kosovës, por tashmë sipas rezultateve preliminare që janë publikuar, Saranda Bogujevci ka arritur që ti sigurojë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, asnjëherë nuk ka pasur deputetë nga kjo anë, e as në zgjedhjet e fundit, Besnik Tahiri nuk arriti të jetë pjesë e Kuvendit.

Sikur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, edhe partitë tjera nuk kanë pasur përfaqësues në Kuvend nga kjo anë.

E drejtori ekzekutiv i organizatës “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, tha për televizionin që fajtorë të vetëm janë kandidatët për deputet nga kjo anë, për shkak se sipas tij nuk kanë arritur që t’i përmbushin pritjet e qytetarëve ndaj tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat