Policia ka një njoftim për ata që udhëtojnë nëpër Merdare

Aktuale

Policia ka një njoftim për ata që udhëtojnë nëpër Merdare

Nga: BOTA SOT Më: 23 qershor 2017 Në ora: 18:35
Merdare

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar të gjithë qytetarët e saj, në veçanti bashkatdhetarët të cilët gjatë sezonit veror kalojnë pushimet e tyre në Republikën e Kosovës, se në pikë-kalimin kufitare Merdare, që e lidhë Republikën e Kosovës me Serbinë, janë duke u kryer punime në ndërtimin e infrastrukturës dhe objektit të pikës kufitare.

Ndërtimi i kësaj pike kufitare është donacion i BE-së dhe i njëjti pritet të rregullohet sipas standardeve të BE-se, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të kalimit dhe kontrollit kufitar.

"Meqë projekti sipas planifikimeve ndërtuese pritet të zgjasë me muaj, me qëllim të shmangies së pritjeve dhe krijimit të kolonave të gjata, Policia e Kosovës informon të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët se të njëjtit mund të shfrytëzojnë pikë kalimet tjera kufitare që e lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë sepse edhe në ato pika aplikohen procedurat e njëjta të kalimit kufitar", thuhet në njoftimin e PK-së.

Departamenti i Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror do të punoj me kapacitete të shtuara të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, me qëllim të evitimit të kolonave dhe pritjeve të gjata.

Vlen të potencohet se nga ana e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, puna  do të kryhet me kapacitete dhe intensitet të shtuar në të gjitha pikë kalimet kufitare./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat