Bardhyli ishte uragan, ai nuk na mori kurrë seriozisht

Aktuale

Bardhyli ishte uragan, ai nuk na mori kurrë seriozisht

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 qershor 2017 Në ora: 12:55
Gazetari Bardhyl Ajeti i vrarë 12 vjet më parë

Spektri i miqve të Bardhylit është i gjerë. I gjallë, i shoqërueshëm, i afërt. Ai kishte ditur të krijonte rreth, kudo ku ishte. Poetja Naime Beqiraj, dikur kolegë me Bardhylin, e kujton sot me mall vrullin e tij, natyrshmërinë, prirjen për humor. 

“Ai kishte nisur punë te gazeta ‘Dardania’ kurse unë vazhdoja punën në rubrikën e kulturës në ‘Bota sot’ ku kisha filluar para lufte. Takoheshim në korridor me të dhe gazetarë të rinj që sa po kishin filluar punën si gazetarë. Nga mënyra si ecte, si komunikonte, si qeshte, mendoja që ishte gazetar i sportit. Plot energji”. Ajo vazhdon rrëfimin e vitit të largët 1999, kur punonte tekste nga kultura, dhe herë pas herë reportazhe nga lufta, kurse Bardhyli përcillte politikën. 

Image
Naime Beqiraj

“Thënë të drejtën, nuk lexoja tekste nga politika, veprimtari të cilën as sot nuk e ndjek fort e fort. ‘Pse nuk m’i lexon shkrimet’, më tha një ditë. I premtova që do ta lexoj. Shkrimi i tij i parë që e lexova ishte një intervistë me ish Ministrin e Mbrojtjes Halil Bicaj. Ia dhashë disa vërejtje të vogla të cilat i mori me qeshje. Më pas u bëmë kolegë, por vërejte nuk i jepja edhe kur i lexoja ndonjëherë ndonjë shkrim. ‘Unë e them të vërtetën dhe me shkrimet e mia dua të zbulojë të vërteta”, më thoshte. Ndërsa koncepti im në mes të vërtetës së shkruar në kohëra të turbullta dhe shpëtimin e jetës së gazetarit – ishte humanizmi, shpëtimi i jetës njerëzore, isha rugoviste komplet në këtë qëndrim. Mund të mos pajtohesha herë herë nga shkrimi i tij, por shok e kisha; aq shok sa më thoshte: Du me të thirr shoqe, jo Naime sepse kështu quhej motra ime e ndjerë. ‘Ti nuk m’i lexon shkrimet’, më thoshte sa po vinte nga Gjilani në zyrë. ‘As ti mua’, ia ktheja. Dhe si pajtim, ma qeraste në bufe një kafe ose çaj dhe më tregonte për ndonjë lidhje dashurie, simpati, ndonjë përlarje në çift – mu ashtu siç i tregon motrës vëllai i vogël”.

Plot dhimbje ajo shpalos karakterin e Bardhylit si shok të cilin e quan djalë plot fuqi, plot energji. “Qeshte me zë kur e këshilloja të kishte kujdes. Ma kthente në dialektin gjilanas se nuk ka plumb që e kap. Nuk priste ta pinte kafen deri në fund. E thërriste dikush. Sa e shihje, sa nuk e shihje. Humbte si stuhia, kthehej si stuhi, derisa një ditë...”, ndalon rrëfimin poetesha dhe merr frymë thellë nga dhimbja. Ndalon pak dhe vazhdon duke shikuar larg në sfond. “Ishte nga ato ditët e ngrohta zvicerane në Zug kur pas një shëtitje të bukur afër liqenit me miken time Lule Bajra habitshëm ndjehesha e këputur edhe pse kaloja bukur në atë shoqëri dhe ambient. “Hair qoftë vashë, i them Lules, por kam një parandjenjë të keqe sot. Mos ka ndodhur diçka në Kosovë’. Punoja redaktore në revistën ‘VIP Ekskluzive’ dhe kisha kohë mjaft për të shijuar Zvicrën e hirshme, ndaj kisha vendosur të mos e hapja as internetin. Por nuk mundja. Lajmi i parë ishte – ai i rëndi. Bardhylin e kishin plagosur dhe luftonte me vdekjen. E prisha agjendën e pushimit. Lutesha tërë kohën që Zoti ta kthente të shëruar në jetë. Po nuk ishte e shkruar. Zemra e Bardhylit pushoi, por nuk pushoi fuqia e hijes që la pas vetës”, ndërpret për pak nostalgjinë poetja dhe vazhdon. “Ai djalë ishte si stuhia, aq i gjallë e aq melankolik, aq i fuqishëm në qëndrimet e tij e aq subtil si krijesë njerëzore”. 

Ajo e kujton mikun e saj që nuk është më, e kujton në mënyrë aq autentike. “Më fal Bardhyl sa herë ta kam prishur qefin tek të thosha: ‘Ti ke lindur për gazetar sporti, lërë politikën, ti je uragan, je sportist’. Ti asnjëherë nuk më more seriozisht; qeshje me mua siç mund të qesh njeriu me fjalët e një fëmije. Ti jetove shkurt, por intensivisht. Jetove ashtu siç deshe vet, brenda të vërtetave të tua prej të cilave nuk je trembur asnjëherë. Deri kur të pushoi zemra. Zemra jote e re”, përfundon poetesha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat