Editoriali i shkruar më 25 qershor 2005: Kosova qan me lotë për Bardhyl Ajetin

Aktuale

Editoriali i shkruar më 25 qershor 2005: Kosova qan me lotë për Bardhyl Ajetin

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 12:27
Bardhyl Ajeti

Kosova e ka pritur me lotë dhimbjesh dhe pikëllimi tragjedinë e humbjes së birit të saj të dashur, gazetarit të saj më të talentuar, redaktorit kolumnist të gazetës kombëtare «Bota Sot» Bardhyl Ajeti.

Nuk ka mbetur zemër shqiptare në Kosovë dhe në mbarë Shqipërinë pa derdhur lotë për birin e shquar që i doli zot Kosovës, që i doli zot të vërtetës së Kosovës me trimëri dhe guxim të pashoq, duke u bërë hero i ri i fjalës së lirë dhe mendimit të lirë kombëtar shqiptar.

Prej shpirtit të Kosovës, prej çdo shpirti shqiptar del mallkimi i fuqishëm i Zotit për ata që e shndërruan Kosovën e këtyre viteve në një shesh pikëllimi për vrasjen e burrave të saj më të mirë, njerëzve të saj më të shquar dhe më trima, lisave më viganë, maleve më të paepur.

Radhës së tyre tani iu shtohet edhe Bardhyl Ajeti, gazetari që lëvroi me guxim, pasion e mjeshtëri fjalën e lirë, gazetarinë e lirë duke e mbrojtur Kosovën nga dukuritë negative të importuara nga vendi fqinj verior dhe nga mafiat e vendeve të tjera fqinje të Kosovës.

Emri i Bardhyl Ajetit do të jetë i shkruar me gërma të arta përjetë në zemrën e Kosovës, në zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Emri i tij do të jetë i shkruar me përmendore zemrash shqiptare përjetësisht mbi tokën e Kosovës në të njëjtën lartësi dhe me të njëjtën krenari si Alpet Shqiptare.

Kosova dhe mbarë Shqipëria për jetë të jetëve do ta mbajnë në mendje për të mos e harruar kurrë birin e kombit që e dha jetën për ta mbrojtur Kosovën dhe kombin nga armiqtë e ligj që e morën stafetën në dorë prej pushtuesit gjakatar për të mos e lënë Kosovën që ta gëzojë lirinë, për të mos e lënë Kosovën që ta arrijë pavarësinë, për të mos e lënë Shqiptarinë që të shohë ditë të mira.

Kosova qan me lotë, Kosova rënkon, Kosova gjëmon për tragjedinë dhe gjëmën që ia dërguan përsëri në derë vrastarët, ata që nuk i kursejnë bijtë më të mirë të Kosovës, ata që duan të kositin burrat më të shquar të Kosovës në një genocid të pashembullt politik për ta bërë të pamundur çdo konkurencë politike, për ta shndërruar në ligj terrorin politike, vrasjet politike, krimin politik.

Bardhyl Ajeti do të jetë shembull trimërie dhe guximi për fjalën e lirë dhe mendimin e lirë në Kosovë dhe në mbarë Shqipërinë.

Bardhyl Ajeti nuk do të pushojë kurrë së jetuari në zemrat e mbarë lexuesve të gazetës kombëtare «Bota Sot», në zemrat e adhuruesve të së drejtës dhe të së vërtetës së Kosovës, në zemrat e adhuruesve të së drejtës dhe vërtetës shqiptare, në zemrat e mbarë shqiptarëve në Kosovë, në mbarë Shqipërinë dhe kudo që ndodhen nëpër botë.

Në shekuj të shekujve Kosova dhe mbarë Shqipëria do të jenë krenare për bij të tillë që i kanë lindur që iu kanë dhënë qumështin e nënës, që i kanë rritur për t’iu dalë zot në ditët më të vështira.

I paharrueshëm në jetë të jetëve do të mbetet Bardhyl Ajeti, e paharrueshme do të mbetet jeta dhe vepra madhështore, e pashoqe dhe e pashembullt e Bardhyl Ajetit. Lotët, dhimbja, pikëllimi nuk do të shterrojnë kurrë për birin e shquar të Kosovës dhe të kombit shqiptar, redaktorin kolumnist të gazetës kombëtare «Bota Sot», Bardhyl Ajetin e pavdekshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat