“Bota sot” nuk e ka ndërmend t’i amnistojë bandat e Dukagjinit e të Drenicës

Aktuale

“Bota sot” nuk e ka ndërmend t’i amnistojë bandat e Dukagjinit e të Drenicës

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 26 qershor 2017 Në ora: 11:27
Idriz Zeqiraj

"Një gazetë mund ta ngrejë në këmbë edhe një popull të fjetur, gjysmë të vdekur", - ka thënë një mendje e ndritur. Dhe, këtë sentencë e mori seriozisht ish-burgaxhiu shumëvjeçarë politik, shoku im i ilegalës, Kadri (Os)Mani, kur në vitin e largët 1970, së bashku me shokët, në një bodrum të Prishtinës, me një makinë të vjetër, shtypi numrin e parë të fletushkës "Zëri i Kosovës". Në vitin 1981, heroi Jusuf Gërvalla, do ta nxirrte numrin e dytë të fletushkës "Zëri i Kosovës", por, me mjete tjera dhe në hapësirë mbitokësore.

Pas vrasjes të Jusufit, gjithëçka do të rrokullisej së prapthi. Citati politik dhe artistik - njëherësh, në ballorën e fletushkës, do t`i linte vendin slloganit të zgjyrosur ideologjik: "Proletarë të të gjitha vendve bashkohuni!", duke kopjuar, fund e krye, gazetën partiake të stalinistëve shqiptarë "Zëri i popullit".

Kjo gazetë, panegjerike e PPSH-së dhe e Enver Hoxhës, për një dakadë i shërbeu UDB-së, si shkas të leximit dhe shpërndarjes të saj, për t`ua marrë pasaportat punëtorëve ekonomikë të Mërgatë, duke i detyruar të paguajnë para të majme, për t`i rimarrë.

Pluralizmi poliitk në vitet `90-a, themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga Dr. Ibrahim Rugova me shokë, në Kosovë dhe deklarimi i tij i hapur, për orientim evropiano-perëndimor, në miqësi të përhershme me aleatën Amerikë, i tërboi krerët e LPK-së në Mërgatë dhe padronët e tyre komunistë e pro rusë në Tiranë. Sikur të mos mjaftonte kjo, "Zëri i Amerikës", i bëri një pyetje publike Dr. Rugovës: "Çfarë mendoni për "Ballin Kombëtar Shqiptar", të cilësuar nga Enver Hoxha dhe partia e tij, për gjysmë-shekulli me radhë, si tradhtar dhe koloboracionist me pushtuesin"?

Dr. Ibrahim Rugova do të përgjigjej pa ekuivoke, pa hamendje, prerazi, se "Balli Kombëtar nuk ishte as koloboracionist dhe as tradhtar, por, ishte Lëvizje atdhetare gjithë-kombëtare, pasuese e denjë e "Lidhjes të Prizrenit", me - Dekalogun - e saj, i udhëhequr mençurisht nga djali i Abdyl Frashërit, ideolog i Lidhjes të Prizrenit, Mit`hat Frashëri".

Dhe, kjo apriori nënkuptonte se tradhtarë ishin Enver Hoxha me komunistët e tij, të cilët u vunë në shërbim të emisarëve jugosllavë, nxitën luftën civile, vëllavrasëse në Shqipëri dhe përgjakën shqiptarët "për mustaqët e Stalinit".

Që këtu fillon sulmi frontal, ballor, i mbeturinave të LPK-së, të shpërndarë "si zogjtë e qyqës" në Evropë e gjetkë, të ndihmuar nga UDB-a dhe Sigurimi Sekret shqiptar,  kundër Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Dmokratike të Kosovës. Ata ishin në një linjë me Serbinë: Nuk njihnin institucionet paralele të Kosovës; sabotonin të gjitha ndihmat për mbijetesën e Kosovës; mashtronin e vilnin paratë nga mërgimtarët, për pasurime vetanake e grupore. Partiakët social-komunistë të Tiranës, dërguan sekretarë partie, kuadro të agjit-tropit dhe gazetarë të "Zërit të popullit", si përforcim LPK-së dhe fletushkës së tyre "Zëri i Kosovës".

Botuesi i numrit të parë të fletushkës në fjalë, Kadri (Os)Mani, zemërplasur, duke parë katandinë dhe veprimtarinë përçarëse të saj, do ta quante: "Fletushka paçavure dhe antikombëtare "Zëri i Kosovës".

Në këto rrethana, tejet të ndërlikuara dhe të rënda, për popullin dhe Kosovën, nën darën e hekurtë të pushtuesit, më 26 qershor 1995, lindi dhe u madhua gazeta kombëtare "Bota sot", me botuesin Xhevdet Mazrekaj me vëllezër dhe stafin e saj profesional, të përzgjedhur, të siguruar në kohë rekorde. Realisht, detyra parësore e këtij mediumi shkrimor, ishte pasqyrimi i së vërtetës për Kosovën dhe popullin e përvuajtur nën pushtimin serbo-sllav. Propaganda dhe lobimet e fuqishme të Serbisë, me aleatë, kishin nxirë, në sytë e botës, imazhin e Kosovës, madje, deri në përbuzje. Demantimi, kundër-përgjigja e faktuar, me raportime direkte nga Kosova, të ilustruara me fotografi përndjekëse, arrestime dhe tortura çnjerëzore, ngadalë, por, sigurtë, po jipnin pasqyrën reale, fytyrën e vrazhdët të agresorëve serbë me aleatë.

"Bota sot", duke pasur orientim thellësisht kombëtar, e pavarur dhe e pandikuar nga ndonjë ideologji e caktuar apo në shërbim të ndokujt, për interesa materiale apo përfitime tjera, ruajti dinjitetshëm drejtëpeshimin atdhetar. Ishte, pikërisht, ky rrjeshtim i duhur, që tërhoqi studjues të shquar, intelektualë të botës akademike, profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët kontribuan, me mendjen dhe pendën e tyre, për ndërgjegjësimin dhe emancipimin e popullit të Kosovës, në veçanti, dhe të shqiptarëve të kudondodhur, në pëtgjithësi.

"Bora sot" është rast unik në politikën redaktuese të saj. Zoti Mazrekaj, si profesionist, në politikën redaktuese të gazetës, është konseguent dhe përherë shumë i vëmendshëm. Përzgjedhja, emërtimi i drejtorëve, kryeredaktorëve, redaktorëve, gazetarëve, përfshirë këtu edhe mirëpritjen e bashkëpunëtorëve masivë, ka qenë e studjuar, e qëlluar dhe e mençur. Disa syrësh janë pavarësuar, drejtojnë gazeta dhe portale, faqet e tyre janë admiruese e profesionale. Botuesi i kombëtarës "Bota sot", Xhevdet Mazrekaj, nuk u josh pas posteve ministrore apo presedenciale, për ta sharë dikënd me porosi, dhe për të lavdëruar të tjerët pa mbulesë e pameritueshëm, siç veproi ndonj botues tjetër, tashmë "i bërë përrallë me tupan", në mashtrimin e tij. Përkundrazi, ruajti pavarësinë e plotë dhe integritetin si botues, përgjatë tej dy dekadave. 

Orientimi kombëtar i "Bota sot", mbështetja e institucioneve paralele; agjitimi për ta ndihmuar mbijetesën e Kosovës, me anë të Fondeve zyrtare si dhe donacione nga klube, shoqata, parti politike, duke u bërë aleate e denjë kontribuese për Kosovën, për ta rezistuar pushtimin e egër serbo-sllav, natyrshëm, hasi në pika konvergimi, përputhjeje me liderin shtetëror të shqiptarëve, tashmë, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugovën. Rugova dhe "Bota sot", ishin kasnecët, lajmëtarët më të zëshëm të lirisë dhe të pavarësisë të Kosovës.

Bota sot", duke qenë gazetë kombëtare, nuk e fshehu rrjeshtimin e saj në të djathtën, pro evropiane. Dhe, ky pozicion e konfliktoi me të majtën ekstreme të Kosovës dhe të Shqipërisë. Fletushka, tashmë, gazetë e çoroditur e ideologjisë sllaviste, bëri edhe simotra tjera, në kundërshinë ndaj "Bota sot". Analogji më të majtën shqiptare: Nga 24 gazeta ditore në Shqipëri, 22 i zotërojnë social-komunistët dhe vetëm 2 sosh demokratët e Dr. Berishës! Raport i ngjashëm është edhe për mediat vizive dhe portalet e shumëta.

Edhe Berat Luzha, me "Rilindjen" e tij, u tufëzua me socialistët. Ai shënoi edhe skandalin rekord: Miku im i vuajtjes, në burgun namkeq të Burrelit, Dr. Osman Kazazi, pas 30 vjetësh burg, i bëri një telegram falenderimi Enver Hoxhës me shokë: "Ju falemnderit që për tri dekada, në burgjet tuaja çnjerëzore, nuk më keni dhënë asnjë rast për t´u penduar. Përndryshe, pendimi do të ishte i tmerrshëm, pas kaq vitësh burgimi e vuajtjesh"! Dhe, në përgjigje, Dr. Osmanit ia shtuan edhe 15 vjet tjera burg. Mëkati i tij ishte: Duke qenë në krye të rinisë balliste të Tiranës, kishte kryesuar një çetë të rinjësh ballistë, në mbështetje, simbolike, të nacionalistëve në Rrafshin e Dukagjinit. Vdekjen e tij, pas 42 viteve burg, e kujtoi Presdienti Mejdani dhe gazeta e komunistëve "Zëri i popullit", por, jo edhe "Rilindja" e Berat Luzhës, e cila botohej vetëm 150 metra nga shtëpia e Kazazëve të Tiranës, ku u shuan tri motrat beqare, në pritje të martesës, e cila nuk u bë kurrë, e vëllait të vetëm, Osmanit! Krim çnjerëzor!!!

Ndërkohë, "Bota sot", stafi i saj i përkushtuar, e ka kujtuar, me nderim e respekt të veçantë, Dr. Osman Kazazin me shokët e martirizuar për liri dhe demokraci; fejtone të tëra janë shkruar për klerikët heroikë katolikë; për mikun tim të burgut, poetin Avzi Nela, të varur më 1988; për burgjet e vdekjes: Burrelin, Spaçin, Qafë Barin dhe dhjetra burgje e kampe të tjera politike, anekënd Shqipërisë; për admiralin e FLotës Shqiptare, Teme Sejko, të mbytur me dru; për çamërit e tradhtuar, duke ua dhënë shtetësinë shqiptare dhunshëm, për t`ia mundësuar Greqisë heqjen e shtetësisë greke dhe ndalimin e kthimit, përgjithmonë, në vatrat e tyre, në Çamëri; për burgosjet dhe internimet të mësusëve, të cilët, ministri atdhetar, Prof. Dr. Ernest Koliqi, i dërgoi në trojet e çliruara shqiptare, për t`i hapur shkollat shqipe, për herë të parë, nga Tetova e Gostivari e deri në Rozhajë e Pazar të Ri. 

"Bota sot" do të mbahet mend, për autorësinë e historisë të kohës së re dhe të sotme, duke e pastruar nga falsifikimet 50 vjeçare të Enver Hoxhës, me rrugaçërinë e tij komuniste, duke falsifikuar edhe datën e çirimit të Shqipërisë, kinse më 29 nëntor 1944, për ta festuar në një ditë me atë të Jugosllavisë të AVNOJ-it, por në fakt, dita e çlirimit daton më 28 nëntor. Të njëtën gjë po e bëjnë sot "komandantët" e Rognerit, në Kosovë, të cilët, në vend të festimit të 12 qershorit, dita e çlirimit, kur kanë hyrë Forcat Tokësore të NATO-s, me qëllim promovimi personal, festojnë datimet nga 13 e deri 20 qershor! Turp i tyre dhe turp për shtetarët dhe mediat, që nuk u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës, t`i bojkotojnë horrat, falsifikuesit e historisë.

Komunistët i kushtojnë shumë rëndësi propagandës. Për shëmbull, Shqipëria komuniste është konsideruar nga bota "supërfuqi propagandistike ose lehaqene", në favor të Jugosllavisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore; të Rusisë, deri në vitin 1962; të Kinës deri në prishje me atë dhe, të komunizmit botëror deri në vitet `90-a.

Krerët e LPK-së, hafije të Serbisë, të ndihmuar nga argatët e Serbisë në Tiranë, uzurpuan dhunshëm Redaksinë e Kosovës, pranë RTV Shqiptar. Në stilin millosheviçian, do ta pushtonin edhe RTV e Prishtinës, pas çlirimit të Kosovës nga pakti NATO. Për të dyja këto raste, sa të rënda, aq edhe të panevojshme, ka reaguar fuqishëm "Bota sot".

Gazeta "Bota sot" është e veçantë në sfidat e saj, në vijimësi. Sepse, e përcaktuar, si medium, për ta thënë dhe përsëritur vetëm të vërtetën, është përballur me shantazhe, kërcënime dhe deri me ekzekutime të gazetarëve dhe të bashkëpunëtorëve të saj. Si medium, "Bota sot" ishte e vetme në këtë pëballje të vështirë dhe mbështetës e ngushëllues kishte vetëm lexuesit numerikë, të shumtë. 

"Bota sot" ishte mbështetëse, agjituese dhe pasqyruese besnike, e paanshme, e zhvillimeve luftarake në Kosovë. Ajo ishte e para që denoncoi prishjen e marrëveshjes të Osllos nga këlyshëria e Serbisë, rrjedhimisht u bë përçarja e faktorit ushtarak dhe, me ekzekutimin zyrtar të ministrit të luftës , në zemër të Tiranës, kolonel Ahmet Krasniqit, u bë sabotimi i qëllimshëm i luftës, nga "komandantët" e Rognerit dhe Sigurimi shqiptar. 

"Bota sot" ishte e para që denoncoi vrasjet politike, duke kërkuar, madje, ngulmërisht, zbardhjen e tyre. Ajo kishte arsye shtesë, veç detyrës, si medium, për të luftuar krimin dhe kriminelët, madje, kushdo qofshin ata, "Botës sot" i ishin vrarë gazetarët dhe bashkëpunëtorët e devotshëm, si: Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Enver Maloku, Xhemail Mustafa si dhe janë provokuar e kërcënuar kryeredaktorët, redaktorët, gazetarët, korrenspodentët lokalë dhe bashkëpunëtorët vullnetarë.

Një fat në fatkeqësi duhet konsideruar mosshpërthimi i bombës në Redaksinë e "Bota sot" në Cyrih të Zvicrës, në vitin 2002, ku ishte një staf i tërë i gazetës.

"Bota sot" nuk i ka kursyer as disa nga zyrtarët batakçinj të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, të cilët, herë të shtyrë nga urrejtja për shqiptarët dhe, herë-herë, të paguar nga rivalët e ekstremit të majtë shqiptar, flirtues me agjenturat e huaja, kanë akuzuar botuesin Mazrekaj për shkrime raciste apo mos pasqyrim të duhur të fushatës për partinë bandë të krimit, PDK-në, duke e dënuar me shuma parash marramendëse. Megjithatë, "Bota sot" i ka qendruar besnik parimit: "E vërteta nuk ka çmim. Për mbrojtjen e saj, ja vlen edhe sakrifica sublime".

"Bota sot" nuk ka heshtur dje, nuk heshtë as sot dhe as mot. Ajo nuk ka ndërmend t`i amnistojë dhe as t´i rehabilitojë bandat e Dukagjinit, të Drenicës dhe të Llapit. E gjithë Shqiptaria e di se Drenica dhe Dukagjini më së shumti e kanë pësuar nga bandat e tyre. Dhe, cinikisht, marrëzisht e idiotisht përsëri i votojnë bndat e tyre terrorizuese. Deçani dhe Skënderaj janë dy komunat më të kriminalizuara, msdj, jo vetëm në Kosov, por, në Ballkan e Evropë, ku banditët e bëjnë ligjin.

"Lidhi zagarët, Ramush", - e porositi, javë më parë, botuesi Xhevdet Mazrekaj, kreun e bandave të Dukagjinit dhe të Zvicrës, Ramush Haradinaj. Sepse bandat e tij shantazhuan e kërcënuan, këto ditë, redaksinë në Cyrih të Zvicrës. Dhe, kjo erdhi si përgjigje të shkrimeve, madje, në disa gazeta e portale, të familjeve të viktimave, të cilat, me dyshimin e bazuar se janë vrarë, me porosi të Ramushit, nga bandat e tij, kërkojnë llogari. E, megjithatë, ai kërkon postin e kryeministrit! Luaje macë kryet e buallit!!!

Portali i "Bota sot" është i kompletuar me tematikën e shumëllojshme, madje, për të gjitha grup-moshat. Është lehtësisht i përdorshëm, fillimisht, në faqosjen ballore të portalit dhe, më pastaj, i shpërndarë në temat emërtuese respektive. Lexuesëve të vëmedshëm, u merr kohë nga gjumi.

Fundazi, në përvjetorin e 22-të të botimit të kombëtarës "Bota sot", përcjellim mijëra urime për botuesin e suksesshëm Xhevdet Mazrekaj dhe stafin e mrekullueshëm dhe shumë të përkushtuar të gazetës tuaj dhe tonës - njëherësh!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat