Zogaj: “Bota sot” nuk iu dorëzua kërcënimeve dhe bandave kriminale

Aktuale

Zogaj: “Bota sot” nuk iu dorëzua kërcënimeve dhe bandave kriminale

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 qershor 2017 Në ora: 08:36
“Bota sot”

Për 22 dy vite me radhë, “Bota sot”, u angazhua me punën e përkushtimin për ta shprehur të vërtetën edhe në kushtet dhe rrethanat e kërcënimeve të trishtueshme nga individë, grupe dhe banda të mirënjohura kriminale, të cilat janë përpjekur që ta shuajnë.

"Bota sot" ishte ndër gazetat e para që përmes shkrimeve të saj, kërkoi zbardhjen e shumë vrasjeve. Por, në këmbim, asaj iu vranë gazetarët më të mirë dhe bashkëpunëtorët si Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati, Shefki Popova, Enver Maloku, Xhemail Mustafa , ndërsa shumë herë i është kërcënuar stafi me hedhje në erë.

Zogaj:  Bota sot” ka qëndruar stoike edhe kur ia kanë vrarë gazetarët e saj më të mirë

Skënder Zogaj, bashkëpunëtor i ngushtë i gazetës, ka thënë se “Bota sot”, ishte dhe mbetet gazetë kombëtare, e cila punën e saj e ka dëshmuar edhe në kushte të kërcënimeve nga individë, grupe dhe banda kriminale.

Image
Skënder Zogaj

“"Bota sot" në kohët më të liga për Kosovën dhe shqiptarët, e ka ndjerë kushtrimin e shenjtë për liri, që kurrë nuk mund të arrihet nëse nuk e ka forcën e së vërtetës, e cila është tepër e vështirë, por që e arsyeton edhe sakrificën më sublime të një populli. Me këtë ideal e ka nisur daljen në dritë "Bota sot" dhe mendoj se, kjo ka qenë edhe mburoja mbrojtëse e saj, që kjo gazetë kombëtare e ka dëshmuar me punën e përkushtimin për ta shprehur të vërtetën edhe në kushtet dhe rrethanat e kërcënimeve të trishtueshme që ia kanë bërë individë, grupe dhe banda koluaresh të mirënjohura kriminale, të cilat janë përpjekur që ta shuajnë”, është shprehur Zogaj "Botës sot".

Ai ka theksuar se “Bota sot” ka qëndruar stoike edhe kur ia kanë vrarë gazetarët e saj më të mirë.

“”Bota sot” ka qëndruar stoike edhe kur e kanë djegur dhe e kanë përgjakur, duke ia vrarë me plumba tradhtie djemtë më të mirë, si Bardhyl Ajetin, Belim Kastratin, e vetëdijshme se, tradhtinë e vret e vërteta dhe vetëm e vërteta! Kjo ka qenë forca e gazetës kombëtare "Bota sot", përmes së cilës është ruajtur shpresa dhe është forcuar qëndresa, që edhe sot e gjithë ditën është e kërcënuar nga injoranca e qarqeve që po i brohorasin atdhetarisë, por po i ngulin thikë mu në zemër idealeve kombëtare dhe po duan që t'ia vrasin ëndrrën e lirisë shqiptarisë. "Bota sot" në kundërshtimin e këtyre rriqrave, po vazhdon të jetë zëri i fuqishëm edhe sot, prandaj shfaqet krenare dhe reflekton besimin e lexuesve të saj duke qëndruar zonjë e madhe nëpër përvjetore”, është shprehur Skëndër Zogaj.

Hertica: Klanet donin mbylljen e gazetës

Edhe analisti Ali Hertica, ka thënë se përkundër  vrasjeve të gazetarëve dhe goditjeve e sulmeve të ndryshme, gazeta “Bota sot” nuk u përul nga askush.

Image
Ali Hertica

“Duke ditur historikun e gazetës më prestigjioze “Bota sot” dhe të kaluarën e saj të dhimbshme historike nga furtunat, të cilat i përjetoi që nga vrasjet e gazetarëve deri te goditjet edhe me sulme të ndryshme, kjo gazetë nuk u përul nga askush, i cili dëshiroi që të mbyll këtë medium elektronik dhe të shkruar që është dritare e informimit real dhe të guximshëm”, është shprehur bashkëpunëtori i gazetës, Hertica.

 Ai ka shtuar se “Bota sot”, me stafin e saj profesional gazetaresk, mbetet ikonë e gazetarisë në Kosovë.

“Të gjitha kërcënimet që i mori, prapë mbeti stoike dhe e paluhatur në qëndrimet e saj informative pa u bërë servile e asnjë subjekti politik apo grupeve klanore. Por, ajo informoi vetëm atë që është thënë dhe lexuar, informim të drejtë dhe të saktë. Kjo gazetë, me cilësinë e saj materiale dhe atë të stafit profesional gazetaresk, mbetet ikonë e gazetarisë në Kosovë”, ka thënë Hertica.

Miftari: SHIK-u pengoi punën e gazetës “Bota sot”

Ndërkaq, ish-eprori i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë se gazeta “Bota sot”, është penguar për të bërë punën e saj nga mafia-politika, sidomos nga SHIK-u.

Image
Naim Miftari

Ai ka thënë se gazeta vazhdimisht ishte kërcënuar nga nëntoka e errët politike, në bashkëpunim me sigurimin e fshehtë serb.

“Gazetën “Bota sot” për të informuar, e ka penguar mafia politika e Kosovës, sidomos ish-SHIK-u. Mos të harrojmë se kjo gazetë është e vetmja që iu kanë vrarë dhe plagosur disa herë gazetarë. Ajo është kërcënuar vazhdimisht nga nëntoka e errët politike, e cila në bashkëveprim me sigurimin serb, kishin cak shtypin e lirë kombëtar, pasi ky lloj shtypi nuk iu konvenonte qarqeve të nëntokës së Kosovës. Prandaj, pas luftës, ajo ishte cak i këtyre qarqeve kriminale antikombëtare”, është shprehur Miftari.

Ai ka zbuluar se si bashkëpunëtor i gazetës, disa herë është kërcënuar edhe me vrasje të fëmijëve, vetëm që të mos shkruajë për “Bota sot”.

“Dhjetëra herë kam marr edhe kritika pse e mbështes edhe pse e besoj gazetën “Bota sot”. Para ca kohësh, kam marrë kërcënim me vrasje të fëmijëve të mi, nëse shkruaj akoma për këtë gazetë të pavarur, por do të jem mik i “Bota sot”, gjersa të jam gjallë”, ka thënë Naim Miftari.

Burjani: “Bota sot”, ndihmoi në ndërtimin e shtetit

E Blerim Burjani, njohës i çështjeve politike, ka thënë se vet gazeta “Bota sot”, ka kontribuar shumë në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Sipas tij, “Bota sot”, ka traditë të gjatë të informimit.

Image
Blerim Burjani

“”Bota sot” ka një traditë të gjatë në informimin e qytetarëve. Kjo gazetë mbetet një gazetë që pasqyron politikën e saj redaktoriale me zhvillimet aktuale në vend dhe jashtë vendit. Redaksisë së “Bota sot”i uroj shumë suksese në orientimin e saj shtetëror dhe qytetar që më punën e saj ka kontribuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës”, ka theksuar Burjani, poashtu bashkëpunëtor i ngushtë i gazetës.

Ndërkaq, bashkëpunëtori nga Shqipëria, Rexhep Shahu, punën e gazetës kombëtare “Bota sot”, e ka përshkruar me një fjali të vetme.

“”Bota sot”, është gardiane e lirisë dhe të vërtetës”, janë fjalët e tij për gazetën, e cila mbush 22 vjet informimi.

Lajme të nërlidhura

“Bota sot” nuk e ka ndërmend t’i amnistojë bandat e Dukagjinit e të Drenicës

Frank Shkreli: “Bota sot” nuk u trembet temave kontraverse

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat