Menaxhimi i mbeturinave është i ulët dhe larg direktivave të BE-së

Aktuale

Menaxhimi i mbeturinave është i ulët dhe larg direktivave të BE-së

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 13:57
“Avancimi i zbatimit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë me Ekonominë Cirkulare"

Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se menaxhimi i mbeturinave në Kosovë është i ulët dhe mbetet larg direktivave të BE-së. Ndër problemet e theksuara mbeten ndarja e mbeturinave dhe 50 për qind e popullatës që nuk mbulohet me shërbime të menaxhimit të mbeturinave.

Kështu ka thënë sot Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ) në tryezën diskutuese me temë “Avancimi i zbatimit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë me Ekonominë Cirkulare", organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm KOSID në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë, në kuadër të Javës së “Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë".

Në këtë tryezë u diskutua gjendja aktuale dhe potenciali i Kosovës për zbatimin e politikave dhe planeve të veprimit për avancimin e strategjive dhe implementimit të menaxhimit të mbeturinave të vendit me ekonomi cirkulare përmes një zhvillimi të duhur të mekanizmave ligjor, ekonomik dhe infrastrukturor.

Berisha ka thënë se komunat nuk janë të afta për menaxhimin e mbeturinave, nuk kanë inspektorë dhe sipas saj, qytetarët ankohen për mos përfshirje në sistemin e mbeturinave, ngase janë të detyruar të krijojnë deponi ilegale që janë mbi 1000, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Berisha: Problem mos ndarja e mbeturinave

“Problemet dhe sfidat më madhore në Kosovë të ndryshme. Ato janë ndarja e mbeturinave, vendet e grumbullimit dhe mbetjeve, infrastruktura e menaxhimit të mbeturinave, buxheti i komunave, mungesa e vetëdijesimit qytetarëve bizneseve dhe zyrtarëve lokal për rëndësinë çështjes. Sipas statika ve vetëm 50 për qind e popullatës mbulohet me shërbime të menaxhimit të mbeturinave. Së fundmi, FIQ e ka bërë një raport për gjetjet në dhjetë komuna që konsiderohen pak më të vogla dhe përveç të problemeve të infrastrukturës, problemi i dytë më madhor ka dalë menaxhimi i mbeturinave. Kontejnerët janë të tejmbushur me mbeturina pa qase najloni dhe bëhen burim i përhapjes së sëmundjeve të ndryshme. Nuk ka ndarje të mbeturinave në bazë të lënë ku ka raste që gjenden në këto kontejnerë gjenden lëndë kimikate, ushqim organik, plastikë, të cilat në ditët e sotme me ngritje të temperaturave lirojnë toksina që shkaktojnë sëmun dje”, tha Berisha. 

Udhëheqësi për gjendjen e mjedisit nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës Afrim Berisha tha se me ndihmën e Komisionit Evropian është realizuar një projekt që ka të bëjë me ndërtimin e një sistemit të informimit të menaxhimin e mbeturinave dhe përmes saj të mblidhen informacione prej të gjitha institucioneve relevante.

Sipas tij, rreth 32 për qind janë mbeturina të ricikluara, ndërsa, vetëm 5 për qind prej tyre riciklohen në Kosovë, që konsiderohet se është në nivel mjaft të ulët.

Berisha: Vetëm 5 për qind riciklohen mbeturinat në Kosovë

“Në këndin e ekonomisë qarkore do të vërejmë se struktura e mbeturinave tona që prodhojmë ne diku rreth 32 për qind janë mbeturinat të ricikluara që mund të jenë pjesë e ekonomisë qarkore, ndërsa 40 për qind janë mbeturina bio-degraduese, ndërsa, pjesa tjetër e mbeturinave janë të tjera. Kur flitet për riciklimin që është baza për një ekonomi qarkore në bazë të të dhënave që ofron Agjencia e statistikave vetëm 5 për qind e 32 përqindëshit të mbeturinave janë të ricikluara”, tha Berisha.

Dritan Vatovci, ekspert ligjor në GIZ, tha se ekziston një fond prej 3.4 milionë eurove për krijimin e kushteve më të volitshme për kompanitë e pastrimit. 

Vatovci: Kemi një fond prej 3.4 milionë euro për kompanitë e pastrimit

“Pikërisht një nga qëllimet e kësaj gare është ku përfshihen 17 komuna ose 71 për qind e popullatës së Kosovës është që të fuqizohen edhe ndërmjet publike që ofrojnë shërbimet por edhe komunat. Sepse pa një bashkëpunim mes komunave dhe operatorët që ofrojnë shënime nuk mund të ketë edhe shërbim të mirëfilltë. Këtu është paraparë një fond prej 3.4 milionë euro për ndërmarrjet publike ngase ka amortizim, pajisje të vjetruara, mungesë të kamionëve dhe numër jo të mjaftueshëm të shportave e kontejnerëve. Andaj, qëllimi është të përmirësohen shërbimet themelore”, tha Vatovci.

Ndërsa, Gazmend Selimi nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se Bashkimi Evropian  mbetet donatori kryesor në mbështetjen e sektorit të mjedisit në Kosovë, por sipas tij Ministria e Mjedisit nuk po punon në bazë të nevojave për bërjen e politikave, si dhe konceptet e reja të ekonomisë cirkulare.

Selimi: Ministria e Mjedisit nuk ka bërë sa duhet për mjedisin

“Ajo çka më brengos është varshmëria kronike e institucioneve të Kosovës nga ndihma  jashtme për sektorin e mjedisit. Është evidente se ministria e mjedisit nuk e ka peshën e nevojshme në bërjen e politikave të përgjithshme të zhvillimit ekonomik në Kosovë, si dhe konceptet e reja të ekonomisë cirkulare ende as nuk janë të kuptuara sa duhet dhe nuk e kanë respektin e mjaftueshëm në politikat e zhvillimit të mëtutjeshëm”, tha Selimi. 

Edhe penalistë të tjerë ngritën shqetësimin e tyre se në Kosovë nuk është menaxhimi i duhur i mbeturinave, pavarësisht ndarjes së mjeteve financiare për ndërtimin e deponive legale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat