Thaçi e Vuçiq flasin për fazën e re të dialogut dhe pajtimin

Aktuale

Thaçi e Vuçiq flasin për fazën e re të dialogut dhe pajtimin

Nga: Bota Sot Më: 3 korrik 2017 Në ora: 10:33
Mogherini në takim me Thaçin e Vuçiqin

(E plotësuar) - 

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq kanë rënë dakord gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Bruksel, se do të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Thaçi e Vuçiq janë pajtuar po ashtu që ekipet punuese të nisin përgatitjet për këtë çështje.

Thaçi e Vuçiq kanë theksuar edhe rëndësinë që ka zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Në takimin tre palësh jemi pajtuar që të ketë një fillim përgatitor për fazën e re të negociatave në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes vendeve dhe popujve tanë”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

“Kjo fazë e re e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin mes dy popujve tanë do të jetë në të mirën e dy vendeve. Do të mbyllet kapitulli i errët i së kaluarës dhe do të hapet një perspektivë e sigurt për të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të rajonit”, ka thënë tutje presidenti Thaçi.

Grupet punuese apo profesionale, sipas Thaçit do të punojnë për shfaqjen e ideve për përgatitjen e fazës së re të dialogut.

“Shpresoj dhe besoj që normalizimi dhe pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të arrihet”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se mbeten edhe një muaj e gjysmë që të përgatitet faza e re e dialogut.

“Nuk ka dyshim që dialogu do të vazhdojë në Bruksel, por jo vetëm dialogu që merret me temat e caktuara, por do të kemi edhe dialog substancial rreth asaj se si i shohim ne marrëdhëniet pas 1, 2 apo 5 viteve”, ka deklaruar Vuçiq. Një fazë e tillë e dialogut dhe temat që do të hapen, sipas Vuçiqit e shtron nevojën që për këto çështje të flitet edhe brenda Serbisë, edhe brenda Kosovës.

Mogherini, në anën tjetër, ka ritheksuar rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Fillimisht, ajo ka biseduar ndaras me Thaçin dhe Vuçiqin, në takimet që kanë zgjatur nga 30 minuta dhe më pastaj ka organizuar edhe takimin e përbashkët me të dy presidentët.

Mogherini, pas takimit ka shkruar në Twitter se është pajtuar me dy presidentët që të nisë një fazë e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takimin e fundit në nivel të lartë më 1 shkurt.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.

Mogherini tregon për çka u morën vesh Thaçi e Vuçiq

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit me presidentin serb Aleksandër  Vuçiq në Bruksel  tha se ishte konkludim i përbashkët se normalizimi  dhe pajtimi mes  dy vendeve paraqet paqe dhe  stabilitet për të dy vendet,  rajonit dhe të ardhmen evropiane.  

Ai në një intervistë  tha se ky do të jetë një proces intensiv dinamik me vizion të qartë dhe afatizime kohore.

“Jemi dakorduar që ky proces të jetë sa më shpejtë, i  finalizuar dhe i implemetueshëm. Jemi dakorduar të ketë fillim të grupeve punuese profesionale,  hedhje të ideve që do të qonte në një fillim të suksesshëm të këtij procesi. Dua të besoj  që ky proces nuk do të jetë garë,  se kush kënd do ta mund. Por proces i standardeve që do të ngadhënjeje për të mirën e dy vendeve tona, i bazuar mbi standardet dhe vlerave evropiane”, tha ai.

Thaçi më tej theksoi se  në takim është theksuar domosdoshmëria e  hapave konkret për Kosovën mbylljen e procesit të izolimit dhe fillimin e procesit të liberalizimit të vizave.

 Ndërsa pohoi se për marrëveshjet e reja, duhet të shikohet mundësia e implementimit më të shpejtë dhe se secila palë do të jetë e përgjegjshme,   në mënyrë që mos të ketë ankesa për njëra tjetrën,  por secila t’i kryej obligimet e veta. Ndërsa tha se pala kosovare do të jetë fleksibile dhe e përgjegjshme në respektimin e marrëveshjeve.

“Ky ka qenë takimi i parë për këtë fazë të re për pajtim mes popujve tanë. Është faza fillestare  dhe se  unë kam besim të plotë se institucionet e Kosovës, spektri politik dhe shoqëria civile, do të japin kontributin e çmuar për këtë proces shumë të rëndësishëm.  Vetëm fqinjësia  e mirë dhe pajtimi, janë argumente që pavarësia e Kosovës ka paraqitur paqe dhe stabilitet për rajonin. Të gjithë do të jemi të përgjegjshëm. I ftoj gjithë spektrin politik kosovar,  të reflektojnë për interesat shtetërore mbi çdo interes partiak”, tha ai.

Ndërsa tha se beson që procesi i dialogut do të përmbyllet duke i kuptuar realitetet e krijuara në Kosovë dhe rajon.

“Sot kemi diskutuar vetëm për mundësinë e dakordimit të fillimin e kësaj faze të re. Për përmbajtjen procedurat,  aspektet teknike dhe afatin kohor do të flasim javën e ardhshme. Edhe Kosova, Serbia dhe BE jemi të interesuar që këto gjëra të lëvizin sa më shpejtë,. Sa më tepër fqinjësi të mirë Kosovë-Serbi,  hapet rruga evropiane. Jemi të përkushtuar që të mos humbim energji në Bruksel,  por t’i kthehemi punës në vendet tona për implementimin e këtyre marrëveshjeve”, tha ai.

Ndërsa theksoi se është i vetëdijshëm, se ky nuk është një porces i lehtë dhe populist, por dop të] respektohet kushtetuta dhe ligjet e vendit.

“ Jemi të vetëdijshëm që s’do të jetë proces i  lehtë. Do të jetë me plot ballafaqime, debate. Jo proces  puopulist,  që sjellë duartrokitje. Jam i  vetëdijshëm,  që në këtë proces do të respektohet ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës dhe do të jetë në të mirën e  vendin. Ftohen të gjithë të jemi unik të jemi të bashkuar në këtë proces. Sepse gjithmonë kur kemi qenë të bashkuar si në Rambuje,  kemi shënuar rezultat. Jam i bindur se do të përmbyllet me një finalizim të pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe i mbështetur fuqishëm nga BE dhe SHBA. S’kemi rrugë tjetër, duhet ti përshpejtojmë proceset për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha ai.

Ndërsa sa i përket formimit të institucioneve të vendit tani pas zgjedhjeve, Thaçi tha se si president do t’i kryej  të gjitha obligimet që ka në përputhje me  ligjet Kushtetutën e vendit si dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës kushtetuese. Si dhe duke respektuar dhe legjitimitetin qytetar.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë detaje të dakoridimit në  takimin joformal me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në deklaratën e saj për shtyp, thuhet se palët janë dakoruar për një fazë të re të dialogut ndërmjet dy vendeve për normalizim dhe pajtim.

Më poshtë ju sjellim deklaratën e plotë të Mogherinit:

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë / Nënkryetare e  Komisionit Evropian, priti në mëngjes në Bruksel një takim joformal presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ata ranë dakord të punojnë për fillimin e një faze të re të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimit, dhe vendosën që ekipet përkatëse të fillojnë të punojnë për përgatitje. Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog pa vonesë.

Përfaqësuesja e Lartë konfirmoi angazhimin e BE-së për perspektivën evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Në Bruksel ka nisur takimi i përbashkët mes shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe presidentëve të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Mogherini paraprakisht ka pasur takime të ndara joformale me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homolugun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim të shefes së diplomacisë evropiane dhe të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe Serbisë, do të diskutohet për vazhdimin e dialogut në mes të dy vendeve.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka nisur takimin me përfaqësuesen e lartë e BE-së, Federica Mogherini në ndërtesën e Shërbimit Evropain për Politikë të jashtme.

Zëdhënsja e Mogherinit, Maja Kocijançiq, ka publikuar një fotografi në Tëitter nga takimi, të cilin e ka quajtur joformal, shkruan Bota sot.

Mogherini ka ftuar edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për një takim joformal, ku do të diskutohet për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat