Ngritet flamuri amerikan në Prishtinë, SHBA-të aleati më i fortë i Kosovës

Aktuale

Ngritet flamuri amerikan në Prishtinë, SHBA-të aleati më i fortë i Kosovës

Më: 4 korrik 2017 Në ora: 07:12
Ngritja e flamurit amerikan ne Bulevardi "Bill Clinton" ne Prishtine

(E plotësuar) - Për nder të 241-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shoqata “Miqtë e Amerikës” së bashku me Gradën Ceremoniale të FSK-së sot kanë bërë ngritjen e flamurit amerikan pranë shtatores së Bill Clinton.

Për të përcjellë këtë aktivitet nga Opoja e Dragashit kishte ardhur Musli Pirkuqi, për të cilin festa e pavarësisë së SHBA-ve është njësoj sikurse pavarësia e Kosovës.

Ai thotë se Amerika është aleatja më e fortë, më e mirë dhe aleatja e përjetshme e Kosovës.

Pirkuqi: SHBA-të i kemi aleatë më të fortë

“Festën e pavarësisë së Amerikës kryesisht sipas mendimit tim e festojmë sikurse pavarësinë e Kosovës, ngase SHBA-të i kemi aleatë më të fortë, aleat më të mirë, aleat tradicional edhe të përjetshëm”, tha ai.

Pas ngritjes së flamurit, kreu i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se me këtë veprim dëshirojnë të dërgojnë një mesazh popullit dhe institucioneve amerikane se populli i Kosovës është mirënjohës SHBA-ve për të mirat që i kanë bërë popullit kosovar.

Rexhepi: Jemi mirënjohës për SHBA-të

“Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka për qëllim ruajtjen dhe avancimin e miqësisë Kosovë-SHBA, apo një miqësi shqiptaro-amerikane. Një miqësi e krijuar me shumë gjak, me shumë mund, me shumë sakrifica dhe miqësi që ka nevojë të përpunohet dhe të avancohet në të ardhmen, sepse jemi dëshmitarë që armiqtë tanë lobojnë kundër interesave të Kosovës. Me një veprim të tillë ne dhe institucionet e Kosovës, në këtë rast garda ceremoniale e FSK-së me ngritjen e këtij flamuri e bëri një veprim të fuqishëm, i dërgoi mesazhe popullit dhe institucioneve amerikane se ne populli i Kosovës jemi dëshmitarë, jemi mirënjohës për veprimet që keni bërë ndaj neve dhe se do të jemi për jetë e mot falënderues”, tha Rexhepi.

Gjithashtu, ai tha se me këtë veprim dëshirojnë të dërgojnë një mesazh që populli kosovarë meriton të përkrahet në aspektin ekonomik dhe ushtarak.

Rexhepi: Meritojmë të përkrahemi sikurse deri më sot

“Po ashtu me një veprim të tillë dëshirojmë të dërgojmë mesazh që e kemi merituar të veprojmë për interesa dhe se e meritojmë edhe në të ardhmen edhe me fuqishëm të punojmë dhe  të përkrahemi sikurse deri me sot. Jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik, ushtarak, arsimor si dhe gjitha format që deri me tani kanë vepruar”, tha ai.

Ky organizim nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” është organizuar për nder të përvjetorit e 241-të të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image

Ngritja e flamurit amerikan (Drejtpërdrejt)

Shoqata “Miqtë e Amerikës” së bashku me Gardën Ceremoniale të FSK-së kanë ngritur sot simbolikisht flamurin amerikan në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Ngritja e flamurit u bë për nder të 241-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i revolucionit Amerikan.

Flamuri ngritet para shtatores së ish-presidentit amerikan Bill Clinton. 

Shënohet 241-vjetori i Pavarësisë së SHBA-ve

Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) festojnë 241-vjetorin e Ditës së Pavarësisë.

4 Korriku shënon ditën e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Britania e Madhe, në vitin 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve është njëri ndër dokumentet-ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 241 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre, ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.

Por prej nënshkrimit të këtij akti dramatik para më shumë se dy shekujsh, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapë se prapë ekziston vetëdija se mbetet shumë për t’u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Perëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë li ritë dhe të drejtat e popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat