Fëmijët dhe të miturit më të rrezikuarit nga trafikimi

Aktuale

Fëmijët dhe të miturit më të rrezikuarit nga trafikimi

Më: 5 korrik 2017 Në ora: 09:37
Ilustrim

Viktimat e trafikimit të identifikuara në Kosovë u takojnë moshave nën 18 vjeç. Nga 36 viktima të trafikimit, sa janë identifikuar gjatë vitit të kaluar nga ana e autoriteteve të rendit, mbi 60 për qind e tyre, thuhet se janë nën moshën madhore.

Këto të dhëna i ka konfirmuar majori Fehmi Gjata, drejtor i Drejtorisë për hetime kundër trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës.

Nën dyshimet për përfshirje në trafikim me qenie njerëzore, janë arrestuar 202 persona, prej të cilëve 31 veta tashmë janë identifikuar si trafikues me qenie njerëzore.

“Janë evidente rezultatet pozitive, pasi Policia ka paraparë strategji në kuadër të planit të vet zhvillimor, luftimin e trafikimit me njerëz. Referuar vlerësimeve, konsiderohet se trafikimi ndodh për shkak të braktisjes së shkollimit, kushteve të vështira ekonomike dhe moskujdesit të duhur prindëror”, thotë Gjata.

Sipas Gjatës, ndër viktimat dominon mosha e re prej 14 deri 18 vjet.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore ka potencuar se Qeveria e Kosovës nuk i ka përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, ndonëse, siç thuhet në raport, ‘po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim’.

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, ka identifikuar më shumë viktima dhe ka ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, Hamijete Dedolli tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vend origjine dhe destinacioni, kur flitet për trafikimin. Sipas saj, ka një përqindje mjaftë të lartë të trafikimit të femrave të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Ajo thekson po ashtu se shërbimet për viktima të trafikimit nuk janë të qëndrueshme, gjë që e bën sfiduese problematikën.

“Shërbimet sociale dhe të rehabilitimit po mungojnë dhe nuk janë të qëndrueshme. Programet e riintegrimit dhe rehabilitimit po rrezikohen të shuhen në mungesë mjetesh. Programet janë të kushtueshme, si me përkushtim, staf, financa, trajnime profesionale , hapjen e ndonjë biznesi të vogël për viktimat e të tjera. Por, mungesa e mjeteve financiare po e sfidon punën tonë si qendër”, shprehet Dedolli.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas Dedollit ndanë mjete financiare, por të cilat janë të pamjaftueshme, marrë parasysh numrin e viktimave.

“Aktualisht kemi përkrahje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nuk mjafton. Numri i viktimave variron, aktualisht kemi katër viktima që qëndrojnë në qendër, derisa gjatë ditës frekuentojnë shumë nga to dhe varësisht nga nevoja që kanë, qoftë të marrin shërbime nga psikologu, rehabilitim apo shërbime tjera”.

“Përkrahja, mendoj që duhet rritur nga Qeveria, pasi projektet e tilla nuk duhet të varen nga donacionet, por të jenë të qëndrueshme dhe të përkrahura nga shteti”, thotë Dudolli.

Edhe për Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve mbetet shumë shqetësues numri i viktimave të trafikimit me fëmijë, ku nga 36 rastet e identifikuara, 18 prej tyre janë fëmijë.

Ata thonë se sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Qeveria e Kosovës nuk përmbushë nivelin minimal të standardeve për eliminimin e trafikimit.

Gjykatësit, thuhet në raport, shqiptuan dënime të buta ndaj trafikantëve të dënuar dhe prokurorët vazhduan t'i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla.

Por, autoritetet e rendit thonë se kanë punuar shumë në parandalimin e trafikimit me njerëz, duke specifikuar arrestimin dhe dënimin e kryesve të veprave penale.

Majori Fehmi Gjata thotë se aktivitetet parandaluese mbeten prioritet i Policisë së Kosovës.

“Efikasiteti dhe efektiviteti i Policisë së Kosovës është rritur, bazuar në statistikat në identifikimin dhe ndjekjen e rasteve penale dhe dërgimin në Prokurori me kallëzim penal”, thotë Gjata.

Sido që të jetë, luftimi i dukurisë së trafikimit besohet se do të intensifikohej sikur Policia e Kosovës të ishte anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, siç janë INTERPOL-i dhe EUROPOL-i.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat