Kush mund ta formojë qeverinë në Kosovë?

Aktuale

Kush mund ta formojë qeverinë në Kosovë?

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 09:23
Selia e Qeverisë së Kosovës

Kosovë: KQZ, pritet t'i zyrtarizojë rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit.Asnjëra parti politike nuk mund ta formojë e vetme qeverinë. Subjektet politike flasin për koalicione të mundshme dhe paraqesin vijat e kuqe.

Koalicioni i partive politike (PAN) në përbërjen e të cilit janë PDK-AAK dhe Nisma, që fituan zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 11 qershorit, janë të hapur për të bërë koalicion me të gjitha partitë politike të bllokut kundërshtar, LDK dhe Vetëvendosje, për formimin e qeverisë. Mirëpo, këto të fundit janë shprehur kundër koalicionit me bllokun PAN, më saktësisht kundër koalicionit me PDK-në.

Image
Ramush Haradinaj

Haradinaj (nuk) i ka numrat

Në zgjedhjet e 11 qershorit asnjëra nga partitë nuk e fitoi numrin e mjaftueshëm të mandateve në kuvend për ta formuar e vetme qeverinë. I nominuari për kryeministër i koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN, Ramush Haradinaj, që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vazhdimisht e përsërit që ai i ka numrat për ta formuar qeverinë, ndonëse parapëlqen një qeveri të koalicionit të gjerë. Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se koalicioni PAN, mund ta bëjë qeverinë brenda muajit.

"Ramush Haradinaj i ka numrat për formimin e qeverisë së re, por megjithatë ne i bëjmë ftesë për koalicion edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nëse LDK por dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk i bashkohen PAN-it, atëherë Ramush Haradinaj do ta bëjë qeverinë me numrat që ka", thotë Pal Lekaj.

Koalicioni PDK ka fituar 39 vende në parlament. Mirëpo, për ta bërë qeverinë i duhen 61 vota, nga 120 deputet sa i ka parlamenti i Kosovës. Ramush Haradinaj, llogarit edhe me 20 votat e pakicave, përfshirë edhe serbët e Kosovës dhe disa vota nga deputetët e bllokut kundërshtar LDK dhe Vetëvendosje për ta kaluar numrin e nevojshëm prej 61 votash për ta formuar qeverinë, ndonëse deri tash nuk ka asgjë të konfirmuar.

LDK dhe Vetëvendosja kundër PDK-së

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tash për tash janë kategorik kundër koalicionit me PAN, ku është pjesë PDK, me të cilën ishin bashkë në qeverinë e kaluar. PDK-ja së bashku me partitë opozitare votuan për shkarkimin e qeverisë Mustafa.  "PDK-ja e ka helmuar pusin, ku ka pirë ujë vet. Nuk ka mundësi me na bind në pikë të ditës për me të na ndryshuar mendimin. Uji është helmuar nga ata që janë tregu mosmirënjohës. Nuk hyjmë në koalicion ku është PDK", thotë Lutfi Haziri.

Kategorik dhe kundër çdo lloj koalicioni me PDK-në është Lëvizja Vetëvendosje me të nominuarin e saj për kryeministër Albin Kurti. Tinka Kurti, zëdhënëse e lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky që fitoi 32 ulëse në kuvend, tha për mediet lokale se Vetëvendosje do ta formojë qeverinë, pasi PAN të dështojë në formimin e saj. Ajo thotë se partia e saj, është e hapur për koalicione, përveç me PDK-në.

"Ne besojmë që populli ka votuar për ndryshime. Lëvizja Vetëvendosje është bërë partia më e madhe, kurse PDK është dërguar në opozitë. Ne duhet të bëhemi bashkë që pas konstituimit të kuvendit të ri të kemi edhe qeveri të re", thotë Tinka Kurti.

Image
Vjosa Osmani

Osmani për koalicion me Vetëvendosjen

Pavarësisht dallimeve në programe, njëra nga deputetet më të votuara nga LDK, Vjosa Osmani, thotë se LDK duhet të bëjë koalicion me Vetëvendosjen, për ta lënë PDK-në në opozitë. "Duke qenë se koalicioni PDK-AAK-Nisma ka 39 deputetë, ky koalicion nuk mund ta krijojë qeverinë, prandaj duhet bërë bashkë me lëvizjen Vetëvendosje për ta lënë në opozitë PDK-në", thotë Vjosa Osmani. Ajo thotë se nëse dështon koalicioni PAN që ta formojë qeverisë, presidenti Hashim Thaçi, duhet t'ia japë mandatarin për formimin e qeverisë koalicionit që i sjell minimumin 61 vota në parlament.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, hapur i ka bërë ftesë LDK-së që të bëjnë koalicion me Albin Kurtin kryeministër dhe siç thonë ata, "ta dërgojnë përfundimisht PDK në opozitë". Edhe zyrtarë të LDK-së, hapur preferojnë koalicion me Vetëvendosjen, por thonë jo me Albin Kurtin kryeministër, por, që kryeministri të jetë nga LDK-së. Kjo është hedhur poshtë nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila siç thonë zyrtarë të saj, Albin Kurti në bazë të rezultateve përfundimtare të KQZ-së, është personi më i votuar në Kosovë dhe atij i takon të jetë kryeministër vendit.

Por, zyrtarët e LDK-së thonë, se ata janë të gatshëm edhe të qëndrojnë në opozitë për katër vjetët e ardhshme dhe nuk do të hyjnë në variante që nuk shkojnë në favor të partisë së tyre LDK.

Lista "Srpska"

Në anën tjetër është lista "Srpska", e cila i ka 10 vende në Parlamentin e Kosovës dhe në bazë të kushtetutës ajo duhet të jetë pjesë e qeverisë me të paktën dy deri në tre ministri. Zyrtarë të saj, akoma nuk janë deklaruar për koalicion me ndonjërën nga subjektet politike shqiptare, mirëpo, Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tash e disa herë e thotë "që lista serbe duhet ta kërkojë postin e kryeparlamentarit". Ai thotë se "nëse në Maqedoni është një shqiptar në krye të kuvendit, pse nuk mundet që një serb të jetë në krye të kuvendit të Kosovës".

Të gjitha këto deklarime pro dhe kundër koalicioneve të mundshme për formimin e qeverisë analisti politik Imer Mushkolaj i sheh normale në këtë fazë dhe aspak të qëndrueshme si deklarime të prera. Ai thotë se "nuk duhet zënë besë subjekteve politike, të cilat vazhdimisht betohen se nuk do të bëjnë koalicion me këtë ose më atë."

Image
Hashim Thaçi

"I nominuari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, ndoshta edhe mund ta sigurojë ndonjë votë më shumë. Në Kosovë njihet fenomeni i kontrabandimit, apo "peshkimit" të deputetëve për përfitime materiale. Unë deklaratave të subjekteve politike, se nuk do t'ia bëjnë assesi votat Ramush Haradinajt që ta formojë qeverinë, nuk u besojë sepse, vetëm nëse shohim pak në të kaluarën ato kanë dëshmuar se nuk e mbajnë fjalën", thotë Imer Mushkolaj.

Sidoqoftë, KQZ-ja paralajmëroi se deri në fund të kësaj jave do të zyrtarizojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe më pas është në duar të subjekteve politike të vendosin për koalicione për ta formuar qeverinë.

Roli i Presidentit

Në bazë të kushtetutës së Kosovës, neni 95 i saj e specifikon qartë, se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës në konsultim me partinë politike, apo me subjektin, apo me koalicionin që është fitues i zgjedhjeve e dekreton mandatarin që i ka fituar zgjedhjet për krijimin e qeverisë. Mandatari në afat prej 15 ditësh është i obliguar që të shkojë në Kuvend me listën e qeverisë dhe të votohet. Nëse nuk votohet dhe nuk i fiton votat e nevojshme prej 61 deputetësh, atëherë, konsiderohet që qeveria nuk është zgjedhur te mandatari i parë. Më pas brenda afatit prej dhjetë ditësh, është në "diskrecionin" apo vullnetin e e Presidentit nëse do t'ia japë mandatin partive të dyta dhe të treta (në bazë të përqindjeve në zgjedhje) që i sigurojnë 61 vota për ta bërë qeverinë, apo të shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme. Kështu thuhet në një interpretim të kushtetutës të bërë në vitin 2014, ku Kosova për më shumë se gjashtë muaj nuk mundi të krijonte qeverinë. Në bazë të këtij interpretimi një gjë është e qartë: "posti i kryetarit të kuvendit i takon partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve, në këtë rast koalicionit fitues PAN"./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat