FSK përfundoi me sukses stërvitjen KFOR 23 në Gjermani

Aktuale

FSK përfundoi me sukses stërvitjen KFOR 23 në Gjermani

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 12:43
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i komanduar nga kapiten Fatmir Lani, nga data 19 qershor deri më 11 korrik po merr pjesë në ushtrimin e përbashkët KFOR 23 në Bazën e Ushtrisë Amerikane për Evropë (USAREUR), në Qendrën e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri (JMRC), në Hohenfild të Gjermanisë.

Kontingjenti i FSK-së është i përbërë prej 16 pjesëtarëve, një skuadër me 9 pjesëtarë e Kompanisë për Mbrojtje Kimike-Biologjike- Atomike (MKBA) dhe një ekipi me 5 pjesëtarë për eliminimin e mjeteve eksplozive të Pashpërthyera (EOD) e Kompanisë së Deminimit, si dhe dy vëzhgues –kontrollues.   

Për të parë nga afër operacionet përfundimtare të ushtrimit KFOR 23 të kontingjentit të FSK-së, i cili i është bashkuar Brigadës 39-të të Këmbësorisë të Ushtrisë Amerikane për Evropë në Ditën e Vizitorëve në Gjermani, përveç personaliteteve të shumta ushtarake amerikane, gjermane dhe vendeve tjera të NATO-s, qëndruan dje edhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Jahir Sejdiu. 

Gjenerali Halimi nga drejtuesit e ushtrimit mori komente dhe vlerësime shumë të larta për angazhimin, disiplinën dhe profesionalizmin që po tregojnë pjesëtarët e FSK-së. 

Gjatë aktiviteteve trajnuese dhe stërvitore të ushtrimit, Ekipi i EOD-së ka për mision që të detektojë dhe shkatërrojë mjetet e pashpërthyera, ndërsa skuadra e MKAB-së të bie në kontakt me autoritetet lokale për të bërë vlerësimin e zonës së kontaminuar. 

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas përfundimit me sukses të ushtrimit, i cili u drejtua nga Qendra e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri, pritet që të kthehet në vend për të vazhduar shërbimin me profesionalizëm dhe përkushtim. 

Image
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat