Lopo: BE shpreson në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi

Aktuale

Lopo: BE shpreson në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 14:28
Ceremonia përmbyllëse e shkollës verore të Bashkimit Evropian

Përfaqësuesja nga Zyra e BE-së në Kosovë, Katerina Lopo, ka thënë se BE është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi që kjo është shumë e rëndësishme për njerëzit që të kenë mundësinë të udhëtojnë dhe fatkeqësisht kjo mbetet njëra ndër çështjet që ka ngecur për shkak të situatës në vend.

Ajo këto komente i bëri sot në Prishtinë në ceremoninë përmbyllëse të shkollës verore të Bashkimit Evropian (BE), e cila është organizuar në bashkëpunim me projektin “Young Cell Scheme” dhe “European Young Cell Alumni”, me përkrahjen akademike dhe logjistike të Universitetit të Prishtinës. 

Lopo ka thënë se është shumë e rëndësishme që njerëzit të udhëtojnë pa viza dhe se kushtet për liberalizimin e vizave duhet të përmbushen dhe BE shpreson se qeveria e ardhshme do ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Lopo: Është me rëndësi që njerëzit të udhëtojnë pa viza

“Ne si BE, marrëdhënien kryesore kontraktuare që kemi me Kosovën është MSA-ja, e cila është një instrument shumë i rëndësishëm për Kosovën. Kjo natyrisht që duhet të implementimet dhe ne kemi këtë marrëveshje që nga muaji prill i vitit 2016. Kjo marrëveshje në rast së është e implementuar mirë do të ndihmojë Kosovën të evropianizohet. Ky proces reformash nuk do të jetë i lehtë, por është i rëndësishëm. Normalisht që ka disa sfida për ne dhe do të thosha se sfida më e madhe ka qenë më shumë politike në këtë vend, duke marrë parasysh faktin se kemi pasur zgjedhje në qershor dhe në një mënyrë këto përgatitje për zgjedhje nuk e kanë ndihmuar proceset e implementimit. Do të thosha se BE është shumë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Është shumë e rëndësishme për njerëzit që të kenë mundësinë të udhëtojnë dhe fatkeqësisht kjo mbetet njëra ndër çështjet që ka ngecur për shkak të situatës në vend”, tha Lopo.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Integrimit Evropian, Valon Gashi, ka thënë se sundimi i ligjit është sfida kryesore që shoqëria e Kosovës ballafaqohet si tërësi.

Gashi: MSA-ja, hap i rëndësishëm për Kosovën

“Kemi pasur një përparim të madh në nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së me Komisionin e BE-së, kështu që ky është një hap i madh për Kosovën”, tha Gashi.

Ai shtoi se Kosova ka shumë sfida por ajo duhet të mendojë për përgatitjen e administrimit dhe shoqërisë pasi që statusi i kandidaturës është para nesh.

Ndërsa, përfaqësuesja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike Albana Merja, ka thënë se sapo kanë publikuar një letër e cila i jap mundësi Kosovës që të aplikojë për statusin e kandidatit.

Merja: Kosova ka shumë sfida derisa të fitojë kandidaturën

“Ne sapo kemi publikuar një letër diskutimi, e cila ka të bëjë më mundësinë e Kosovës që të aplikojë për statusin e kandidatit, i cili është hapi i ardhshëm që çdo shtet në Ballkan kanë bërë pas nënshkrimit të MSA-së. Ne mendojmë se nënshkrimi i MSA-së është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën, por ka shumë sfida me të cilat Kosova ballafaqohet sa i përket këtij procesi që nga tani e deri në momentin kur e fiton apo jo kandidaturën”, tha Merja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat