BE deklarohet pas certifikimit të zgjedhjeve, ka një mesazh të fuqishëm për pushtetarët

Aktuale

BE deklarohet pas certifikimit të zgjedhjeve, ka një mesazh të fuqishëm për pushtetarët

Nga: BOTA SOT Më: 8 korrik 2017 Në ora: 14:43
Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së

Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Përmes një deklarate për media, ajo ka përgëzuar KQZ-në për punën profesionale, derisa institucioneve përgjegjëse, iu ka bërë thirrje që t’i marrin seriozisht rekomandimet e Misionit të BE-së për VëzhgimiN e zgjedhjeve dhe t’i zbatojnë ato në mënyrën e duhur.

Apostolova ka thënë se BE do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën, por ka porositur pushtetarët që të respektohen marrëveshjet e arritura përmes dialogut me Serbinë, shkruan Bota sot.

Shefja e BE-së, ka thënë se p a marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, "BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së".

Deklarata e plotë:

Deklaratë nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit" E përgëzoj popullin e Kosovës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që u mbajtën më 11 qershor dhe

Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën profesionale me të cilën i kryen detyrat e tyre. Gjithashtu u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i marrin seriozisht rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimi e zgjedhjeve dhe t’i zbatojnë ato në mënyrën e duhur. Tani është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t'i shërbejë interesave të popullit.

Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët, deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj është e rëndësishme që liderët politikë t'i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një qeveri të fortë dhe të fillojnë reformat që populli i kërkon.

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë/Nënkryetare e Komisionit Evropian, këtë javë mbajti në Bruksel një takim jozyrtar me presidentin e Serbisë dhe atë të Kosovës. Kjo, edhe një herë, rikonfirmon angazhimin e BE-së për perspektivën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së. Ne presim zbatimin pa vonesë të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut.

BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Kosovës. Përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe instrumenteve të lidhura me të, BE-ja ka siguruar një kornizë politike, ekonomike dhe legjislative për reformat që do të nxirren. Përmes mbështetjes së IPA-s, BE-ja siguron ndihmë financiare bujare për të mbështetur këto përpjekje dhe për të rritur përmirësimet në tërë Kosovën.

Pa marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së. Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësve që ta bëjnë këtë"./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat