"Kosova do të çlirohet nga prangat e komandantëve e haraçistëve nëse Specialja arreston këta persona"

Aktuale

"Kosova do të çlirohet nga prangat e komandantëve e haraçistëve nëse Specialja arreston këta persona"

Nga: Bota Sot Më: 13 korrik 2017 Në ora: 14:15
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale edhe zyrtarisht ka nisur punën e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Rregullorja e Punës dhe e Provave, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Shumë zyrtarë politikë e njohës të rrethanave politike, konsiderojnë se Specialja do të shkaktojë tërmet në Kosovë, nëse objekt hetimi i saj do të jenë politikanë të profilit të lartë.

Por, kundër këtij mendimi është analisti politik Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ky i fundit, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk do të ndodhë asnjë tërmet, pasi sipas tij, Gjykata Speciale do të arrijë të çlirojë Kosovën nga prangat e oligarkisë e haraçistëve.

“Gjykata Speciale do të arrijë të çlirojë Kosovën nga prangat e oligarkisë, nga prangat e haraçistave, nga prangat e komandanteve që në emër të lirisë e duke u thirre në liri, po ia marrin frymën Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, do të ishte fantastike nëse Gjykata Speciale ndërhyn dhe nuk lejon që të marrin poste e funksione në qeverinë e re ata që duan të fshihen përmes posteve e të fitojnë imunitet politik.

“Gjykata Speciale ndoshta do të jetë çlirimi real i Kosovës nga disa çlirimtare që e kanë pushtuar Kosovën në emër të sjelljes së lirisë dhe i kanë sjellë robëri në emër të lirisë. Kosova është marrë peng nga ata që vet shpallën çlirimtare, që vet shpallen si pronarë të luftës e të lirisë së Kosovës, nga ata që fshihen në petkat e luftës e të UÇK e që në fakt e kanë përdhosë edhe luftën edhe UÇK-në”, është shprehur analisti politik Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat