Historia e planit terrorist për t’i sulmuar liderët e shtetit

Aktuale

Historia e planit terrorist për t’i sulmuar liderët e shtetit

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 11:07
Rakip Abdyli

“Në Tokën e Shqiponjave do të Vijë Hilafeti” kështu kishte kënduar Rakip Abdyli në një postim në youtube në prag të pashkëve.

Thirrja e tij kishte mjaftuar që aparati shtetëror të çohej në këmbë nga frika e sulmeve të mundshme terroriste.

Një ditë para arrestimit, Kryeministri Mustafa kishte mbledhur Këshillin Kombëtar për Siguri, ndërsa ambasadat në vend u kishin bërë thirrje qytetarëve të kishin kujdes. Në qytete ishte rritur prania e policisë, ndërsa mbarë opinioni ishte goditur me lajme për plane të mundshme për sulme terroriste.

Thirrja e Abdylit kishte ngritur në këmbë policinë- mëngjesin e 14 prillit një ekip antiterrorist e kishte arrestuar njeriun që besohej se po planifikonte sulme terroriste. Për kohën ky ishte arrestimi i vetëm i cili u krye pas tërë debateve dhe lajmeve për plane të mundshme për sulme terroriste.

Tre muaj më vonë i ulur në gjykatoren e Pejës burri nga Dragashi kërkoi falje për thirrjet e tij duke shprehur pendimin e thellë duke ngritur edhe një herë dilemën nëse me të vërtetë ai ishte rrezik për vendin ashtu siç ishte proklamuar. Tre muaj pas arrestimit Abdyli është lënë i lirë nga Gjykata e Pejës duke pushuar çdo dilemë nëse ai ishte një rrezik për sulme terroriste në vend.

Tregimi për Lajmin Bombë

Titujt për arrestimin e një personi që planifikonte t’i sulmonte liderët e vendit kishin vërshuar mëngjesin e 14 prillit. Dilemat nisën të zvogëloheshin më vonë

Me pantallona të shkurtër, një bluzë të gjelbër në të zezë, i riu nga rrethina e Opojës, Abdyli, ishte paraqitur  para gjykatësit të procedurës paraprake për t’u njohur me dyshimet për të cilat ai ishte arrestuar.

Në këtë seancë prokurorja e rastit Merita Bina- Rugova, tha së Rakip Abdyli përmes rrjetit social “Facebook” dhe “Youtube” ka bërë thirrje të vazhdueshme për sulme terroriste ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave ndërkombëtare në Kosovë.

Madje, prokurorja në seancën e procedurës paraprake tha se Rakip Abdyli gjatë marrjes në pyetje kishte deklaruar së përkrahë organizatën terroriste ” ISIS”.

“ …i pandehuri në deklaratën e tij e ka vërtetuar orientimin e tij militarist radikal islamit dhe përkrahjen e tij për shtetin islamik dhe organizatën terroriste ISIS. Nga të gjitha këto arsye, konsiderojmë se pa mëdyshje është vërtetuar ekzistimi i bazuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën kanë filluar hetimet”, ishin fjalët e prokurores Bina- Rugova për Rakip Abdylin në seancën e procedurës paraprake.

Abdyli në seancë kishte shprehur pendimin për ato çfarë kishte bërë duke pretenduar se nuk kishte qëllime të tilla.

Çfarë kishte bërë Rakip Abdyli

Tre muaj pas arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim të Rakip Abdylit, Prokuroria Speciale e Kosovës, me tre korrik ngriti aktakuzë ndaj tij për veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi, Rakip Abdylin  se si përkrahës i organizatës terroriste ISIS e cila ka për qëllim që seriozisht të frikësojë popullsinë, të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme, e pastaj në territorin e tyre të krijojë Shtetin Islamik, shkruan kallxo.

Sipas aktakuzës, gjatë disa muajve deri me datën 14 prill 2017, ditën kur ishte arrestuar, përmes internetit, në ueb-faqen e rrjetit social Facebook, në profilin e tij, si dhe në ueb-faqen Youtube, përmes llogarisë së tij personale “Nashheed” ka postuar video- incizime me tekste të cilat vetë i ka shkruar dhe incizuar e në të cilat të gjithë myslimanëve u ka bërë thirrje që në emër të xhihadit të kryejnë sulme terroriste kundër Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhej se Rakip Avdyli ka paralajmëruar ardhjen e “Hilafetit”, ashtu që në incizimin me titull “Në Tokën e Shqiponjave do të Vijë Hilafeti” thotë: “Do vijë Hilafeti, me përzënien e hienave, do vijë bereqeti, ngrituni vllazni, ngrituni o musliman, bëni xhihad, shpëtojeni këtë vatan, bëni sulme vetjake, apo në grupe, e dhelprave dinake, frikën me ja u futë, sulme istish`hadije apo kallashnikov, nga rruga selefije ti mos u largo”, thuhet në aktakuzë.

E njëjta përshkruan edhe thirrje të tjera të Abdylit për ta sulmuar vendin “ Dridhjani tokën qafirave, vrisni taghutat, hapni rrugë të mirave, sherijatit shijojani frutat, bëhuni emir të vendit tuaj, mos e lëni në errësirë nën udhëheqjen e huaj, ata s`ja u dojnë të mirën, drogë, bixhoz e zina, ja u kanë lënë errësirën, s`ju dojnë ju dritë me pa, kapni armët e sulmoni Qeveri dhe ambasada, vendin nga të kqinjët çlironi nga udhëheqësit ma katolik se papa”, thuhej në aktakuzë

Gjykimi  njëditësh i Rakip Abdylit

10 ditë pasi iu ngrit aktakuza Rakip Abdylit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj tij filloi gjykimi në Gjykatën Themelore të Pejës. Të njëjtën ditë kur nisi gjykimi edhe përfundoi.

Në seancën fillestare, pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja Merita Bina- Rugova, Rakip Abdyli pranoi fajësinë.

“Po, e pranoj veprën, po nuk e kam bërë me qëllim. E kam kuptuar që është ndesh me ligjin kur jam arrestuar, edhe jam penduar për veprën”, tha i akuzuari.

Gjykatës së Pejës nuk iu deshëm shumë për ta vlerësuar planin terrorist të Abdylit.

Gjykimi i nisur paradite, përfundoi pasdite në Gjykatën Themelore të Pejës për Rakip Abdylin me shpalljen e dënimit ndaj tij.

10 muaj burg ishte dënimi për Rakip Abdylin nga Gjykata Themelore e Pejës për veprimet e tij.

Përveç 10 muajve burg, ai u dënua edhe me 100 euro shpenzime të gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat