Pritet vendimi për Sylejman Selimin

Aktuale

Pritet vendimi për Sylejman Selimin

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 11:58
Sylejman Selimi

Gjykata Supreme dy javë më parë kishte marr vendim për lirimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtakut nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas 7 vite burgim nga Apeli.

Por ndonëse ishte paralajmëruar edhe marrja e vendimit ndaj komandantit tjetër të këtij rasti, Sylejman Selimi, një vendim i tillë ende nuk është marrë.

Avokati i Selimit, Tomë Gashi ka thënë se është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme, pa cekur ndonjë afat kohor se kur mund të ndodh ai vendim.

“Ende nuk ka asgjë, po presim që sa më shpejt të jetë e mundur të na dërgohet vendimi, e kjo nuk varet prej nesh. Në momentin që e marrim vendimin, ne do t’iu njoftojmë”, ka thënë Gashi.

Ai duke komentuar vendimin e mundshëm të Supremes, ka theksuar se është e palogjikshme nëse kjo gjykatë vendos mos ta liroj Selimin.

Sipas tij, do ishte e pakuptim nëse dikush lirohet e dikush vazhdon të jetë në burg për një vepër të njëjtë.

“Sa i përket rastit për të cilin është mbajtur seanca në Gjykatën Supreme, nuk mund të jetë vendim tjetër përveçse lirues, për shkak se nuk ka logjikë juridike që dikush të lirohet e dikush jo për një vepër që pretendohet se kinse është kryer bashkërisht”, ka thënë tutje Gashi.

Ai ka shtuar se i vetmi vendim i drejt dhe i ligjshëm është lirimi nga aktakuza e Sylejman Selimit, për veprën për të cilën është mbajtur seanca më 18 prill në Gjykatën Supreme të Kosovës, që ka vepruar si gjykatë e shkallës së dytë.

Kujtojmë se Selimi është duke vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës pasi është shpallur fajtor nga shkalla e parë për krime të kryera gjatë kohës së luftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat