Kurti: Republika franceze vazhdon të mbetet shembull për shumë vende

Aktuale

Kurti: Republika franceze vazhdon të mbetet shembull për shumë vende

Nga: A.M. Më: 14 korrik 2017 Në ora: 14:10
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar14 korrikun ditën kombëtare të Francës.

Kurti ka thënë se sot, në shekullin XXI ideali republikan francez vazhdon të mbetet shembull për shumë vendet ku ende sundojnë padrejtësisht të paktit e shtypen të shumtit, si në feudalizëm

Postimi i plotë:

Sot është 14 Korriku, dita kombëtare e Francës dhe dua t'i uroj për këtë festë qytetarët e Francës, këtij vendi mik të Kosovës.

Në 14 Korrik të vitit 1789 qytetarët e Parisit, bashkë me ushtarakët e revoltuar, sulmuan burgun e Bastijës ku mbaheshin të mbyllur shumë të burgosur politikë të regjimit monarkik absolutist. Sulmi i tyre revolucionar ishte fitimtar dhe menjëherë pas atyre ditëve Franca i dha ligjërisht fund feudalizmit e proklamoi si ligj "Deklaratën për të drejtat e njeriut dhe të qytetarit", duke themeluar kështu republikën moderne.

Aristokracia kuptimin etimologjik mund ta ketë "sundim i të mirëve", por në fakt ajo ishte sundim i të paktëve, i feudalëve, dhe përjashtim i të shumtëve. Prandaj u desh kryengritja revolucionare për të themeluar republikën, me pjesëmarrje universale të të gjithë popullit, i cili nga i përjashtuar u bë qytetar.

Prej asaj kohe të lavdishme Franca respekton jo vetëm ditën e sulmit në burgun e Bastijës, por edhe parrullën revolucionare "Liri, Barazi, Vëllazëri", si edhe personifikimin e vetë revolucionit tek imazhi i një gruaje, Marianës, e cila prej atëherë shfaqet në emblemat republikane franceze si personifikim i lirisë e i arsyes.

Sot, në shekullin XXI ideali republikan francez vazhdon të mbetet shembull për shumë vendet ku ende sundojnë padrejtësisht të paktit e shtypen të shumtit, si në feudalizëm.

Andaj dhe një herë, ne që përkushtohemi për republikë e demokraci, për liri e për arsye, për barazi e vëllazëri, u urojmë francezëve 14 Korrikun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat