Rasti i Shukri Bujës “përplas” gjyqtarin Ibrahimi dhe avokatin Troshupa

Aktuale

Rasti i Shukri Bujës “përplas” gjyqtarin Ibrahimi dhe avokatin Troshupa

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 14:58
Hamdi Ibrahimi dhe Bahtir Troshupa

Kërkesën e avokatit të Shukri Bujës, Bahtir Troshupa për inicimin e procedurës disiplinore ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, ky i fundit e ka quajtur absurde.

Në përgjigjen që gjyqtari Ibrahimi ka dhënë për “Betimin për Drejtësi”, me rastin e trajtimit të temës rreth tërheqjes së urdhëresës nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për vuajtjen e dënimit me burg për ish-kryetarin e Lipjanit, ka thënë se avokatit Tropshupa, kaherë është dashur t’i merret licenca.

Madje, thotë se një kërkesë të tillë, edhe personalisht e kishte bërë në Odën e Avokatëve të Kosovës.

“Ky është pretendimi më absurd që mund të dëgjohet dhe këtë mund ta thotë vetëm z. Bahtir Troshupa të cilit për shkak të presioneve të vazhdueshme që i bënë ndaj gjyqtarëve me  kërkesa absurde për inicime të procedurave disiplinore dhe me kallëzime penale, kaherë është dashtë që t’i merret licenca e avokatit. Në Odën e Avokatëve të Kosovës personalisht kam iniciuar procedura ndaj av. Bahtir Troshupa dhe kam kërkuar që t’i merret licenca mu për shkak të këtyre presioneve që është duke i bërë tani e disa vite”. Ka thënë Ibrahimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte lëshuar urdhëresë ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja për tu paraqitur më 24 korrik 2017 në Burgun e Dubravës për vuajtje të dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 100 ditëve, pasi që i njëjti nuk e kishte paguar gjobën prej dy mijë eurosh, pasi ishte dënuar më 30 dhjetor 2015 për veprën penale “mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë”.

Urdhëresa e lartpërmendur, kishte ardhur si rrjedhojë e aktvendimit të marr nga gjyqtari Hamdi Ibrahimi, asokohe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në Aktvendimin e datës 6 shtator 2016, të dënuarit Buja, i ishte zëvendësuar dënimi me gjobë prej 2000 eurove, në dënim me burg në kohëzgjatje prej 100 ditëve për shkak se Buja nuk e kishte paguar dënimin brenda afatit ligjor.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçit, si dhe Zyrës së Prokurorit Disiplinor, avokati Troshupa ka theksuar se veprimet e ish-kryetarit të Themelores, Hamdi Ibrahimi, i ka cilësuar të kundërligjshme dhe sipas tij, janë bërë me qëllim të dëmtimit të Shukri Bujës.

Në këtë kërkesë, avokati Troshupa, ka cekur se Buja, më 13 korrik 2016, ka paguar gjobën në lartësi prej 2000 eurove dhe paushallin prej 70 eurove, ashtu siç ishte obliguar nga aktgjykimi i datës 30 dhjetor 2015, i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë drejtim, avokati Troshupa, ka bërë edhe një kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Ibrahimi. Madje, ai ka shtuar se ndaj gjyqtarit Hamdi Ibrahimi ka paraqitur edhe kallëzime penale që nga viti 2014.

Por, Ibrahimi ka thënë se në rastin e Bujës, zëvendësimi i dënimit me gjobë në dënim me burg është bërë për shkak se i dënuari nuk e ka paguar dënimin me gjobë brenda afatit prej 15 ditëve.

Sipas tij, në shkresa të lëndës që kanë qenë në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale nuk ka pas asnjë provë, shkresë, fletë pagesë apo njoftim nga i dënuari se pas kalimit të afatit të përcaktuar me aktgjykim e kishte paguar dënimin me gjobë.

Ai ka thënë se edhe kur është bërë zëvendësimi i dënimit me gjobë në dënimin me burg, në vendim si pikë e veçantë e dispozitivit ka qenë se nëse i dënuari e paguan dënimin me gjobë para se të fillohet me ekzekutimin e dënimit të  zëvendësuar në dënim me burg, atëherë sipas tij, ky vendim për zëvendësimin e dënimit me gjobë revokohet.

“Prandaj ka mjaftuar njoftimi nga i dënuari Shukri Buja se dënimin me gjobë e ka paguar me vonesë dhe vendimi për zëvendësim të dënimit me gjobë në dënim me burg të revokohet automatikisht dhe të tërhiqet urdhëresa”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi, në përgjigjen e tij ka thënë se në kohën sa ka qenë kryetar i kësaj gjykate, për shkak të numrit të  madh të lëndëve në procedurë të ekzekutimeve, përparësi u është dhënë ekzekutimeve të dënimeve me burg.

“Sa u përket dënimeve me gjobë, gjykata ka vepruar brenda mundësive dhe për një kohë është praktikuar që edhe pas kalimit të afatit prej 15 ditëve që i dënuari duhej të paguante dënimin me gjobë fillimisht është dërguar një paralajmërim se nuk e ka paguar dënimin (veprim ky jo i detyrueshëm sipas ligjit) dhe pas kësaj ka pasuar marrja e vendimit  për zëvendësim të dënimit me gjobë në dënime me burg”, ka shtuar Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se gjykata në rastin e Bujës nuk ka vepruar me shpejtësi të dritës, që menjëherë pas 15 ditëve të merr vendim për zëvendësim të dënimit me gjobë në dënim me burg ndaj të dënuarit Shukri Buja, jo pse ai ishte kryetar i Komunës, por për shkak se gjykata kishte çështje tjera  në radhë për vendosje, dhe lënda e të dënuarit Buja nuk ishte me prioritet absolut-sikurse që janë lëndët me paraburgim, dhe nga kjo ngarkesë e gjykatës i dënuari Buja, sipas tij, ka përfituar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat