Deputeti i LDK-së parashikon destabilitet nëse Thaçi s’ia jep mandatin shumicës LAA-LVV

Aktuale

Deputeti i LDK-së parashikon destabilitet nëse Thaçi s’ia jep mandatin shumicës LAA-LVV

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 23:59
Haxhi Avdyli

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka parashikuar destabilitet të Kosovës nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas tij me garancë pas dështimit të PAN-it, nuk ia jep mandatin shumicës së re parlamentare.

Në emisionin Interaktiv  ai ka thënë se dihet që Hashim Thaçi është themelues i PDK-së dhe, siç ka thënë, do të dëshironte që PDK-ja të jetë në pushtet.

“Por e dimë gjithashtu se ai nuk është më anëtar i PDK-së. Nëse ky president e rrezikon stabilitetin e vendit duke mos i dhënë mandatin një shumice - që vetëm deputetë shqiptarë i ka 61, plus 10 deputetë të pakicës joserbe dhe deputetë serbë, sepse ne nuk i përjashtojmë nëse ata respektojnë Kushtetutën e Kosovës - atëherë ai do të përballet me Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Avdyli.

Ai ka thënë se Kosova do të hyjë në një destabilitet edhe më të fuqishëm me protesta në rrugë e në Kuvend, nëse Thaçi nuk ia jep mandatin shumicës që garanton se e ka shumicën.

“Nëse Thaçi nuk ia jep mandatin shumicës parlamentare unë do të jem i pari që do të dalë në rrugë për të mbrojtur shtetin”, ka thënë Avdyli.

Koalicioni më stabil do të ishte LAA-LVV. Sipas tij e para ka traditën e menaxhimit dhe frymës institucionaliste ndërsa kjo e dyta nuk ka keqmenaxhim apo afera korruptive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat