LDK demanton lajmin e rremë, tregojnë ku ka qëndruar sot Mustafa

Aktuale

LDK demanton lajmin e rremë, tregojnë ku ka qëndruar sot Mustafa

Nga: B.S Më: 19 korrik 2017 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media ka demantuar lajmin e publikuar nga “Indeksonline”, gjoja për një takim të mbajtur me dyer të mbyllura nga kryesia e LDK-së më kryetarin Mustafa.

“LDK, gjatë ditës së sotme, nuk ka pasur asnjë takim as me dyer të mbyllura as me dyer të hapura, as në orët paradites e as në orët e pasdites, dhe Kryetari Mustafa nuk e ka mbledhur as Kryesinë dhe asnjë organ tjetër të partisë”, thuhet në komunikatën e LDK-së, përcjellë “Bota sot”.

Këtë e kanë konfirmuar për “Bota sot”, edhe dy deputetët e LDK-së, Anton Quni e Armend Zemaj.

“Nuk kam njohuri se është zhvilluar ndonjë takim sot”, është shprehur Quni.

“Jo ska pase takim te tille. Neser e ka GP ne ora 10”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, Armend Zemaj. 

Ja konumikata e plotë e LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës demanton lajmin tërësisht të pavërtetë të publikuar në portalin e lajmeve të rreme “Indeksonline”.

LDK, gjatë ditës së sotme, nuk ka pasur asnjë takim as me dyer të mbyllura as me dyer të hapura, as në orët paradites e as në orët e pasdites, dhe Kryetari Mustafa nuk e ka mbledhur as Kryesinë dhe asnjë organ tjetër të partisë.

Janë plotësisht të pavërteta dhe komike “qëndrimet” që gjoja kryetari Mustafa ia paska bërë të ditur anëtarëve të Kryesisë, gjatë një takimi që kurrë nuk është mbajtur, si dhe pjesa tjetër e aludimeve të ulëta të publikuara në këtë tekst që nuk ka asgjë të vërtetë.

Kryetari i LDK-së, njëkohësisht Kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Musafa, sot, gjatë tërë ditës, ka qenë në zyrën e tij në Qeveri, duke kryer detyrat dhe obligimet e tij kushtetuese shtetërore.

I bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e informatave të tilla të pavërteta që po publikohen në vazhdimësi në këtë portal dhe në disa portale të ngjashme, të cilat janë në shërbim të plotë të agjendave të një grupacioni politik.

LDK, duke shprehur konsideratat më të larta, fton Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), që në rast se sheh të dobishme për opinionin publik dhe zhvillimin e mediave në Kosovë, të konfirmoj vërtetësinë e kësaj informate duke i pasur plotësisht në dispozicion zyrtarët e LDK-së për të vërtetuar çdo detaj të publikuar në këtë artikull të rremë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat