Policia e Kosovës: Të gatshëm që t’i arrestojmë të akuzuarit e Gjykatës Speciale

Aktuale

Policia e Kosovës: Të gatshëm që t’i arrestojmë të akuzuarit e Gjykatës Speciale

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 20:12
Policia e Kosoves

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova, ka bërët të ditur se arrestimet e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk do të bëhen nga EULEX-i, por nga Policia e Kosovës. Në këtë institucion sigurie kanë treguar se janë të gatshëm ta bëjnë ketë.

Policia e Kosovës  është e gatshme të nis arrestimet për njerëzit që do të akuzohen nga Gjykata Speciale, kurdoherë që u kërkohet ta bëjnë ketë.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës ka treguar se janë  gatshëm qe t’i kryejnë arrestimet që do t’i kërkohen nga Gjykata Speciale.

 “Policia e Kosovës është institucion kryesor i zbatimit të ligjit. Detyrat dhe autorizimet policore janë të përcaktuara qartë me ligj dhe Kushtetutë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Ai po ashtu ka bërë me dije  se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, andaj nuk mbete alternativë tjetër pos siguria dhe zbatimi i ligjit.

“Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet dhe mekanizmat tjerë si ata vendorë dhe ndërkombëtarë, prandaj çdo veprim apo angazhim ligjor që ndërlidhet me sigurinë dhe zbatimin e ligjshmërisë në vend nuk ka alternativë”, ka thënë ai.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova, në një intervistë të publikuar të enjten, ka thënë se Policia e Kosovës do të merret me arrestimin dhe sjelljen në Gjykatë Speciale të të kërkuarve nga këto dhoma të Specializuara.

Ajo ka theksuar se një gjë e tillë është rregulluar me ligj, porse nëse është e nevojshme, Gjykata Speciale mund të kërkojë edhe bashkëpunim ndërkombëtar.

“Ashtu siç parashihet në Ligj, ne mund të mbështetemi në Policinë e Kosovës, si edhe në cilëndo gjykatë të Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Specializuar mund të vërë në zbatim urdhrat e tij nëpërmjet një force policore brenda Zyrës së tij. Çdo urdhër dhe vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ku përfshihen edhe kontrollet sekuestrimet dhe arrestimet e të dyshuarve në territorin e Kosovës, duhen zbatuar. Këtë e dikton Ligji. Gjithashtu, në rast se del e nevojshme ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndërkombëtar”, ka deklaruar kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekatarina Trendafilova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat