Qeveria alarmon se KEK-u mund të ndërprejë prodhimin e energjisë

Aktuale

Qeveria alarmon se KEK-u mund të ndërprejë prodhimin e energjisë

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 10:19
Qeveria e Kosoves

Në mbledhjen e Qeverisë është paraqitur propozim vendimi për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevojat e KEK-ut në Hade dhe Shipitullë.

Kërkesën e ka paraqitur zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugova i cili tha se për këtë çështje janë plotësuar kushtet ligjore që shpronësimi të ndodhë.

Por ka qenë kryeministri Isa Mustafa që ka thënë fjalën kryesore për këtë rast.

Mustafa ka thënë se ky shpronësim është më shumë se emergjent për shkak se është duke u rrezikuar që KEK-u të ndërprejë prodhimin e energjisë elektrike për shkak se shpronësimi nuk është kryer me kohë.

Ai ka thënë se nëse kjo ndodhë, Kosova do të detyrohet të importojë energji elektrike me çmime të larta dhe do të pësojë humbje të mëdha.

Por pa humbje të mëdha nuk do të shpëtohet as tani nëse ndodh shpronësimi.

Shefi i Qeverisë tha se kjo po ndodh për shkak të mos kryerjes së shpronësimit me kohë dhe lejimit të ndërtimeve pa leje në këtë zonë kadastrale.

Mustafa tha poashtu se shpronësimi ka mundur të kryhet me 5 milionë euro më herët ndërsa tani KEK-ut ky shpronësim do t’i kushtojë nga 15 milionë deri në 20 milionë euro.

Ai ndër të tjera tha se me këtë çështje duhet të merren ata që merren me drejtësi ndërsa ekzekutivi duhet t’i respektojë të gjitha kërkesat ligjore në përpikmëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat