Qeveria me probleme për shkak të mos konstituimit të Kuvendit

Aktuale

Qeveria me probleme për shkak të mos konstituimit të Kuvendit

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 11:58
Qeveria e Kosovës

Mos konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës, ka shkaktuar probleme të shumta për Qeverinë në largim duke lënë kështu pezull edhe çështjen e rishikimit të buxhetit.

Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, tha se aprovimi i parë që duhet të bëhet pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës është aprovimi i ndryshimit të buxhetit për vitin 2017.

Sipas tij, mungesa e mjeteve çon në shkurtim dhe rialokim të fondeve. Ai tha se është përgatitur ndryshimi i ligjit të AKP-së përmes të cilit pritet të hyjnë 88 milionë euro për projektet kapitale.

Hoti: Për shkak se nuk kemi Parlament nuk mund ta procedojmë ligjin 

"Për shkak të shtyrjes së rishikimit të buxhetit ne duhet të marrim vendim për shkurtimin dhe rialokimin e fondeve për shkak se një pjesë e të hyrave kanë qenë të hyra që vijnë nga AKP. Ndryshimin e ligjit të AKP-së e kemi gati në Qeveri dhe meqenëse nuk ka Parlament, ne nuk mund ta procedojmë atë. Aty janë të parapara 88 milionë euro që pritet të vijnë nga AKP e që janë të lidhura me projekte kapitale. Me qenë se ato mjete nuk vijnë ne e kemi gati tabelën me të cilën unë i propozojë Qeverisë që të bëjë shkurtime në projekte kapitale nëpër ministri, në ato projekte kapitale në të cilat nuk kanë filluar procedurat", tha ai, përderi sa shtoi se kanë obligime financiare të cilat duhet të përmbushen brenda këtij viti.

Kryeministri në largim, Isa Mustafa u shpreh se për të tejkaluar situatën e palakmueshme aktuale në vend, dëshiron që Kuvendi të konstituohet qysh nesër.

Mustafa: Nëse nuk i paguajmë borxhet do të shënojmë penalti që do t’i kushtojë shumë vendit

"Ne kemi pasur mjaft shumë telashe dhe kërkesa për me u bë ndryshime dhe plotësime të kontratës. Asnjë veprim nuk e bëjmë jashtë kontratës bazë, por janë detyrimet të cilat rrjedhin mbi bazën e ekzekutimit të punimeve në teren që nëse nuk i përmbushim me kohë do të paguajmë penalti, dhe penaltitë do t'i kushtojnë shumë më shumë këtij vendi sesa që ne pak të rrudhemi me disa projekte dhe të krijojmë hapësirë për t'i paguar. Janë shpenzimet për zgjedhje lokale që duhet KQZ-së rreth 5 – 6 miliardë t’ia sigurojmë sepse i kemi shfrytëzuar për zgjedhjet nacionale të paparashikuara", tha ai.

Qeveria ka miratuar sot edhe vendimin që të shqyrtohen kërkesat për shpronësim për zonat kadastrale Hade dhe Shipitullë.

Kryeministri Mustafa tha rregullimi i çështjes së shpronësimit është më shumë se emergjente. Ndërsa shtoi se problemet janë paraqitur edhe pse në atë zonë shtëpitë nuk janë të banuara.

Mustafa paralajmëroi se mund të ketë probleme me furnizim me energji elektrike për shkak të këtyre vonesave në mihjen e sipërfaqeve.

Ndërkaq, janë aprovuar edhe nismat për negocimin e marrëveshjeve me Kroacinë dhe Kuvajtin me ç'rast u konsiderua se me këtë marrëveshje, hidhen bazat e zhvillimit ekonomik ndërmjet shteteve.

Ndryshe, Qeveria në largim ka aprovuar vendimet për vazhdimin e mandatit për sekretarin e përgjithshëm të  Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Nazmi Zenelaj, kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Standardizim, Hazif Gara, si dhe vazhdimin e mandatit të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat