Edhe tre muaj ditë pluhur e kolona në hyrje të Vushtrrisë

Aktuale

Edhe tre muaj ditë pluhur e kolona në hyrje të Vushtrrisë

Më: 23 korrik 2017 Në ora: 12:07
ilustrim

Ndërtimi i rrethrrotullimit në hyrje të Vushtrrisë që ka filluar nga marsi i këtij viti ende nuk është afër përfundimit, e përfundimi i tij nuk pritet të ndodhë edhe për tre muajt e ardhshëm. Kolonat e gjata e pluhuri janë bërë shqetësuese për banorët e kësaj pjese, por edhe për të gjithë ata që frekuentojnë magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Duke filluar nga fshati Stanoc i Epërm, aty ku edhe përfundon segmenti me katër korsi, fillon edhe kolona e automjeteve si pasojë e ndërtimit të rrethrrotullimit në hyrje të Vushtrrisë.

E këtë e quan maltretim qytetarja nga Vushtrria, Adlije Neziri, e cila ka ardhur nga Gjermania për pushime. Ajo tha se nuk arrin të kuptoj se pse ndërtimi i këtij rrethrrotullimi është lënë në muajt e verës atëherë kur edhe bashkatdhetarët vijnë për pushime në Kosovë.

“Gjendja e rrugës është katastrofale, maltretim për të gjitha shtresat sidomos për pleqtë dhe fëmijët, edhe për të gjithë njerëzit që jetojnë në Komunën e Vushtrrisë. Sidomos për neve që kemi ardhur prej jashtë duke pritur nga 42 orë dhe gjithë ky maltretim këtu për të shkuar me marrë do harq për fëmijët e mi që kemi ardhur aq të lodhtë. Nuk mund të kuptoj qeverinë e Kosovës edhe shtetin e Kosovës, edhe Komunën e Vushtrrisë pse na kanë pru në këtë gjendje, e kanë lanë bash në kohën ma të papërshtatshme për qytetarët”, tha ajo, raporton KP.

Ndërtimin e këtij rrethrrotullimi e sheh të drejtë vushtrriasi Ilaz Imeri, për shkak të disa aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet, por që ai thotë se nuk mund ta kuptojë se pse është zgjatur kaq shumë.

“Gjendja e rrugës kjo është e drejtë që shteti e ka paraparë me bë këtë rreth këtu, meqenëse kanë ndodhur disa ndeshje këtu dhe kanë humbur jetën shumë persona. Por, një gjë që nuk tolerohet që tre muaj ditë ka filluar, prishin, ndreqin, nuk di çfarë marrëveshje kanë bërë këta. Unë këtu banoj dhe nuk mund ti qeli dritaret kurrsesi, mundeni me pa edhe vet se çfarë pluhuri ka hy brenda, ajo është vështirësi shumë për këtë lagje këtu që banojmë për neve e ndoshta ishalla kur donë Zoti nuk vonohet pak edhe rregullohet kjo punë”, tha ai.

Ndërsa, edhe Drita Kadriu ishte një nga qytetarët e shumtë që ishin bllokuar në kolonë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, për shkak të punimeve në hyrje të qytetit të Vushtrrisë.

“Po vërtetë kjo po na shkakton problem neve që udhëtojmë çdo ditë dhe këtu po shihet investimi në rrugën katër trakëshe që ka mbet gjysmë, është gabim i madh është dashtë të vazhdohet”, tha ajo.

Pavarësisht shqetësimeve të qytetarëve, kompania kontraktuese për përfundim të punimeve është duke i kryer punimet brenda afatit ligjor, pasi që sipas informatave që ka kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, kompania nga Ministria e Infrastrukturës ka afat kohor prej 6 muajsh për përfundim të punimeve.

Sipas kreut të Vushtrrisë janë problemet pronësore në hapësirën ku po ndërtohet rruga që kanë hapur telashe për kompaninë e kontraktuar për përfundim të projektit.

“Realisht nuk mund ta fajësoj kompaninë për zhagitje të punimeve në këtë rrugë në hyrje të qytetit sidomos në ndërtimin e rreth rrotullimit që po bëhet aty, por edhe në një pjesë të rrugës. E vërteta është se kanë lind disa probleme pronësore në hapësirën ku po ndërtohet rruga dhe kanë pas telashe vetë kompania, përfaqësuesit e kompanisë për ndërtimin e rrugës nga ata pronarë. E dini që ky projekt është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe ata e kanë të drejtën me bë shpronësimin i kanë edhe mundësitë, ato po punojnë por që normalisht kur kanë lind këto probleme nuk mund të menaxhohen për një ditë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se përfundimi i gjithë projektit mund të marrë edhe 3 muaj ditë.

“Unë jam në lidhje të ngushtë edhe me Ministrin, por edhe me zyrtarë të tjerë të ministrisë ata po bëjnë të pamundshmen që ky projekt të realizohet sa më shpejt. Unë kam informacione që realisht dinamika e punës i përfshin bukur shumë do ditë për tu përfunduar ky projekt, kam informacione ndoshta diku rreth 3 muaj ditë. Por, po besoj duke u bazuar edhe në gatishmërinë e njerëzve të kompanisë që ky projekt do të realizohet shumë shpejt. Ata janë të gatshëm të punojnë shumë më tepër dhe shumë më shpejt në qoftë se nuk kanë telashe nga pronarë të ndryshëm që kanë pretendime që ju ka cenuar prona e tyre në atë hapësirë”, tha ai.

KosovaPress ka provuar të marrë informacione edhe nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me atë se kur pritet të përfundojë i gjithë projekti për ndërtimin e rrethrrotullimit dhe rrugës në hyrje të Komunës së Vushtrrisë, por që të njëjtët nuk kanë qenë të gatshëm të kthejnë përgjigje.

Projekti për rrethrrotullim dhe zgjerim të rrugës në hyrje të Vushtrrisë është financuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat