Zyrtare: Presidenti thërret seancën konstituive më 3 gusht

Aktuale

Zyrtare: Presidenti thërret seancën konstituive më 3 gusht

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 07:24
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 3 gusht 2017, në orën 10:00.

Kryetarin dhe Kryesinë e Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, presidenti Thaçi i ka udhëzuar që të përgatisin edhe propozimin e rendit të ditës.

Këtë vendim, i cili ka hyrë në fuqi sot, presidenti Thaçi e ka marrë duke u bazuar në nenin 66 (paragrafi 3) dhe nenin 84 (pika 3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh vendimin e datës 8 korrik 2017, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 11 qershorit 2017.

As sot Thaçi nuk cakton datën e seancës konstituive

Edhe pse i ftoi për të caktuar datën e seancës konstituive, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk e ka caktuar këtë datë.

Në takimin që e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje, LAA dhe Lista Serbe, presidenti pasi dëgjoi përfaqësuesit e partive parlamentare që ishin prezent tha se data se kur do të mbahet seanca do të bëhet publike shumë shpejt dhe brenda afatit kohor.

Sipas rregullores së Kuvendit presidenti cakton datën e seancës 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

KQZ ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare më 8 korrik.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës për mbajtjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi përcaktojnë qartë hapat dhe afatet kohore brenda të cilave duhet të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës, të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit dhe pastaj të vazhdohet me formimin e Qeverisë.

“Jemi brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Por, kemi nevojë që të lëvizim përpara dhe të fillojmë përgatitjet për seancën e parë të Kuvendit të Kosovës. Prandaj ju kam ftuar sot, si simbol i unitetit kombëtar, në këtë kohë kur kemi nevojë që të mendojmë dhe të debatojmë në mënyrë konstruktive për Kosovën. Tash është koha për bashkëpunim, për dialog, për ndërtim të besimit në mes të gjithë neve. Kjo është arsyeja pse kam ftuar këtë takim”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se partitë politike kanë dëshmuar edhe një herë pjekuri politike, duke mbajtur zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

“Ajo që ka bërë përshtypje më së shumti në zgjedhje ishte fryma, fjalori i matur, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Uroj që kjo frymë të zgjasë edhe në këtë kohë, por edhe pas themelimit të institucioneve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Image

Ai tha se pjesa dërmuese e klasës politike në Kosovë ka dëshmuar vazhdimisht se di të vë interesin e Kosovës para interesave personale, grupore e partiake dhe se ky duhet të mbetet parim bazë i veprimit politik tek të gjitha partitë.

“Ju ftoj që si parti politike të koordinoheni me deputetët tuaj dhe të jenë në dispozicion për mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit të Kosovës në të cilin do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe do të zgjedhim Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, që t’i hapim rrugë pastaj formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri do të jetë qeveri e orientimit euroatlantik, që do të angazhohet të punojë dhe të realizojë aspiratat e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe në BE”, ka thënë ai.

Në këtë takim konsultativ, presidenti Thaçi ka theksuar edhe parimet mbizotëruese mbi të cilat do të themelohet qeveria e re, e cila duhet të jetë qartë me parime euroatlantike.

Ai ka thënë se promovimi dhe mbrojtja e frymës dhe rendit kushtetues duhet të jetë themel i qeverisë së ardhshme.

Gjithashtu, si parime bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet qeveria e ardhshme, presidenti Thaçi ka thënë se janë edhe sundimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, pastaj asociacioni dhe demarkacioni, liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjithë fqinjët, respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe vendosmëria për të luftuar çfarëdo ekstremizmi dhe radikalizmi.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se shumë shpejt do të caktojë datën për mbajtjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Lekaj: Humbësit e zgjedhjeve nuk po bashkëpunojnë

Përfaqësuesi i AAK-së, Pal Lekaj në takimin me Presidentin, Hashim Thaçi, ka fajësuar subjektet tjera që nuk i kanë fituar zgjedhjet, duke thënë se nuk janë në frymën e bashkëpunimit dhe shtetndërtimit por po dominon interesi personal dhe klanor i atyre subjekteve politike.

Sipas tij, ato subjekte tanimë kanë treguar që nuk janë të gatshëm që të jenë në shërbim të të mirës së vendit. AAK sipas Lekës, është e gatshme që të formohen institucionet e vendit brenda afatit të paraparë me ligj.

Thaçi kërkon koordinim të partive për seancën konstituive

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin me përfaqësuesit e koalicionit PAN dhe komuniteteve pakicë, ka ftuar të gjithë partitë politike që të koordinohen për ta mbajtur seancën e parë ku do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë.

“Kjo qeveri do të jetë Qeveria e stabiliteti, multietnike dhe e orientimit euroatlantik, që do të angazhohet të realizojë sa më shpejt aspiratat e qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha ai.

Ai ka thënë se parimet bazë që do të duhej të ndërtohet Qeveria e Kosovës, duket të jenë respektimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, demarkacioni dhe Asociacioni, respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë, transformimi i FSK-së në FAK.

Hoxhaj: PAN-i i ka numrat, seanca të mbahet në fund të kësaj jave

Përfaqësuesi i PDK-së në takim me presidentin Hashim Thaçi, Enver Hoxhaj ripërsëriti se koalicioni PAN i ka numrat që ta bëjnë hapin e parë për seancë konstitutive e më pastaj edhe formimin e Qeverisë.

Sipas Hoxhajt vendi ka nevojë që t’i adresojë disa obligime ndërkombëtare siç është liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi si dhe shndërrimi i FSK në Forca të Armatosura të Kosovës.

 “Si koalicion do të dalim me një program qeverisës dhe kurdo që ju mendoni që të ndodh seanca PDK e mbështet një vendim ë tillë.

 Valdete Bajrami në  emër të Nismës ka thënë se kurdo që presidenti të vendos që t’i jap një dritë jeshile administratës së Kuvendit për ta kryer këtë proces ata pajtohen.

 Bajrami tha se janë në afat kohor të mirë dhe mbajtja e seancës do të ishte optimale për fund të kësaj jave.

PAN dhe komunitetet pakicë i shkojnë Thaçit

Ftesës së presidentit Hashim Thaçi iu kanë përgjigjur përfaqësuesit e koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN, si dhe përfaqësuesit e komuniteteve pakicë.

Takimi ka filluar, ku fjalën hyrëse po e mban presidenti Thaçi.

Aty kanë arritur nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, Enver Hoxhaj nga PDK dhe ata të komunitetit pakicë, por jo edhe ata serb.

Takimit nuk iu kanë përgjigjur përfaqësuesit e LDK-AKR-Alternativa, përfaqësuesit e VV-së dhe ata të listës serbe.

Image

Takimi te presidenti, LAA  dhe VV kanë refuzuar ftesën

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka ftuar për përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare për ta caktuar datën e seancës konstituive.

“Ju njoftojmë se në orën 10:00, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mban takim konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Por Lëvizja Vetëvendosje para disa ditësh ka bërë të ditur se nuk do të marr pjesë në ftesën që iu ka bërë Thaçi, ndërsa njëjtë kanë deklaruar edhe zyrtarë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Refuzimin ndaj ftesës së Thaçit e ka bërë dje publik edhe Lista Serbe nëpërmjet kryetarit Goran Rakiq.

Deri më tani vetëm zyrtarë të koalicionit PDK-AAK dhe Nisma kanë konfirmuar se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Thaçit.

Ndryshe rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik dhje brena 30 ditësh presidenti duhet ta caktojë datën e mbajtjes së seancës konstituive ku zgjidhet kryetari dhe betohen deputetët e rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat