LDK kundër Haradinajt, nuk e voton Kadri Veselin për kryeparlamentar

Aktuale

LDK kundër Haradinajt, nuk e voton Kadri Veselin për kryeparlamentar

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 17:37
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

(E plotësuar) - Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të LDK-së, kryetari kësaj partie, Isa Mustafa tha sonte se LDK vazhdon të ketë vija të kuqe për PDK-në, por është e gatshme të bisedojë me Vetëvendosjen dhe me AAK-në jashtë PAN-it.

Ai  tha se deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë në asnjë mënyrë për kryetar të Kuvendit Kadri Veselin, pasi vlerësohet se ai është iniciator i prishjes së marrëveshjes qeverisëse.

Mustafa: Veseli ishte iniciatori kryesor i prishjes së marrëveshjes

“Në asnjë rast nuk do të bëjmë koalicionin me koalicionin PAN ku është Partia Demokratike e Kosovës dhe po ashtu LDK-ja nuk do ta votojnë kryetarin e mëparshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Veselin për kryetar të Kuvendit, për  arsye se konsiderojmë se është një prej iniciatorëve të prishjes së marrëveshjes dhe se ai ka vënë interesat e tij personale dhe partisë së tij, para interesave të shtetit, dhe me njerëz të tillë ne nuk dëshirojmë që të drejtohet Kuvendi i Republikës së Kosovës. Por jemi të interesuar që sa më shpejtë të bëhen institucionet e Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Mustafa për media, pas debatit disa orësh.

Ndërkaq, Mustafa shprehi bindjen e tij se deputetët e LDK-së dhe Koalicionit LAA, nuk do të votojnë ndryshe nga vendimi i Këshillit.

Mustafa: LDK mund të bëjë koalicion me të gjitha partitë tjera përveç PDK-së

“Ne e kemi lënë mundësinë e hapur edhe sot këtu, që ne të vazhdojmë të bisedojmë për çështjet programore, të afrojmë programin i cili do të kishte shprehë synimet programore të LDK-së, sidomos në fushën e ekonomisë. Nëse arrihet kjo, ne prapë do të kthehemi në Këshillin e Përgjithshëm dhe ne këtë mundësi e lamë të hapur në Këshill, edhe për Vetëvendosjen edhe për Aleancën jashtë PDK-së dhe Nismën jashtë PDK-së”, u shpreh ai.

I pari i LDK-së, njëherit edhe kryeministër në detyrë, ka lavdëruar punën e Qeverisë së udhëhequr nga ai, duke pohuar se edhe përkundër kundërshtimit të disa deputetëve të LDK-së për koalicionin qeverisës me PDK-në, sipas tij nuk ka pasur asnjë vlerësim negativ për punët në qeverisje.

Po ashtu Mustafa ka theksuar parësore ka qenë puna që kanë bërë për Kosovën dhe premtoi që humbjet pësuara, LDK do t’i rikuperojë.

Image
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, këto janë pikat që po diskutohen

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm për të diskutuar mbi situatën e fundit politike dhe mbi rezultatet që ka pasur kjo parti në zgjedhjet e 11 qershorit.

Media ka mësuar se në këtë mbledhje përpos rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, do të diskutohet edhe se cili do të jetë qëndrimi i LDK-së për votimin e Kadri Veselit si kryeparlamentar.

Pikë e rendit të ditës është edhe diskutimi se cila duhet të jetë qasja e re e LDK-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Mbledhjen po e kryeson kryetari i LDK-së, Isa Mustafa derisa aty përpos Mustafës, po marrin pjesë edhe tre nënkryetarët, Lutfi Haziri, Agim Veliu dhe Haki Rugova si dhe një pjesë e madhe e deputetëve të zgjedhur të kësaj partie.

Nga ky takim pritet të ketë edhe një përgjigje negative ndaj koalicionit me PAN-in derisa nga ajo që deri tani është thënë, nuk ka asnjë votë nga koalicioni LAA për Ramush Haradinajn si kryeministër, të paktën derisa ai është kandidati i PAN-it.

Nga informatat që media mësohet se kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti do të bëjë një rezyme të asaj që ka ndodhur më 11 qershor dhe si ndodhi që LDK-ja doli me këtë rezultat.

Fillon mbledhja e kryesisë së LDK-së, do të vendoset nëse do ta votojë kryetarin e Kuvendit

Ka filluar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të diskutohet për zgjedhjet lokale dhe nëse do ta votojnë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, në seancën e 3 gushtit.

Në seancën konstituive që do të mbahet më 3 gusht, do të votohet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i cili post i takon PAN-it, por dy partitë Vetëvendosje dhe LDK, ende nuk kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre që do të mbajnë gjatë kësaj seance.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat